Goran Rakic, kreu i Listës Serbe dhe Marko Gjuriq , drejtori i të ashtuquajturës 'Zyra për Kosovën dhe Metohinë', duke festuar fitoren e zgjedhjeve për kryetar komune në tetor 2017 në Mitrovicën e Veriut. BETA FOTO / SASA DJORDJEVIC / EV).

Zgjedhjet në Veri të Kosovës: Demokraci me vetëm një zgjedhje

Mungesa e partive opozitare serbe në Kosovë, në zgjedhjet e së dielës për kryetar komune në veri të Kosovës, janë një shenjë tjetër se demokracia po pushon së ekzistuari atje, pasi që nuk po përmbushen as standardet minimale demokratike.

Të hënën, filloi fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, për kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin, të cilat janë kryesisht të banuara nga serbët e Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi i shpalli zgjedhjet në prill të këtij viti, pasi që kryetarët e këtyre katër komunave të cilat përfaqësoheshin nga partia Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar, në shenjë proteste ndaj vendosjes së tarifës për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës.

Pavarësisht se tarifa ende është në fuqi, Lista Serbe do të garojë në zgjedhje. Udhëheqësi i saj, i cili është edhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, arsyetoi pjesëmarrjen e partisë në zgjedhje, duke deklaruar se nuk duan të shohin një shqiptar të zgjedhet si kryetar në veri të Kosovës.

Tre nga katër kryetarët e komunave që dhanë dorëheqje, do të jenë përsëri kandidatë, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se kandidatët fitues nga Lista Serbe mund të japin dorëheqje përsëri nëse ata fitojnë.

Edhe më alarmuese është fakti se Lista Serbe, do të jetë i vetmi subjekt politik serb në Kosovë, që konkurron në zgjedhje, duke shkaktuar dëm në vetë thelbin e demokracisë në rajon.

Opozita serbe në Kosovë, e cila mblidhet rreth bllokut të opozitës “Savez za Srbiju” (Aleanca për Serbinë), kanë vendosur të mos kandidojnë fare, duke përmendur vrasjen e dy ish-anëtarëve të opozitës, Oliver Ivanoviq dhe Dimitrije Janicijeviq, si dhe mungesën e kushteve të barabarta për fushatë, si një arsye më shumë për të mos marrë pjesë.

Në zgjedhjet e mëparshme, serbët e Kosovës të paktën kishin një zgjedhje. Edhe pse Lista Serbe ka fituar në mënyrë dërrmuese, në zgjedhjet që janë mbajtur në rajon, por të paktën ka pasur kundërshtarë politikë që përfaqësonin zëra të ndryshëm, për serbët e Kosovës që jetojnë në veri. Për zgjedhjet e radhës: ekziston vetëm një opsion: Lista Serbe.

Në fletën e votimit, do të jenë tri opsione në zgjedhjet për kryetar komune; Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Sidoqoftë, duke ditur realitetin dhe historinë e votimit të serbëve të Kosovës, do të ishte iluzion të besohet se serbët e Kosovës në Veri, mund të kenë dyshime se kë duhet të votojnë.

Mungesa e zgjedhjes është një portret i gjallë i gjendjes së gjërave në Veri të Kosovës, ku nuk ka as demokraci, as liri të zgjedhjes. Ky është momenti për të pyetur veten se çfarë ka ndodhur me demokracinë dhe ku është e drejta jonë për të zgjedhur, kur nuk kemi kandidatë për të zgjedhur mes tyre. Pse duhet të shkojmë në zgjedhje për të votuar, kur fituesi tashmë dihet?

Është e qartë se këto zgjedhje janë të organizuara për të ndjekur ligjin dhe për të krijuar institucione në veri, por në këtë situatë edhe ligji duket të jetë asgjë më shumë se qesharak. Ligji dhe procesi demokratik po ndiqen për të krijuar diçka që nuk respekton aspak parimet demokratike.

Në mënyrë të pa arsyeshme kryetarë e komunave japin dorëheqje, konkurrojnë në zgjedhje dhe pastaj ndoshta përsëri ofrojnë dorëheqje, të gjitha me mbështetjen e Vuçiqit, pa lejen e të cilit asgjë nuk ndodh, ku të gjitha këto shtojnë marrëzinë e situatës. Është një cikël vicioz i lojës, me të njëjtin rezultat dhe sundimtar të njëjtë.

Me afrimin e zgjedhjeve, serbët e Kosovës në veri kanë vetëm një mundësi: një parti, të njëjtët kandidatë të cilët mund të japin dorëheqjen, askush për t’i kundërshtuar, dhe vetëm një mendim në garën politike për detyrë. A është kjo demokraci? A është kjo liri e zgjedhjes?

Për disa vite tani, vullneti i lirë i serbëve të Kosovës është kufizuar dhe zgjedhjet e 19 majit vetëm do të ndihmojnë në krijimin e kësaj pozite. Ata nuk kanë të drejtë të zgjedhin, por ka shumë të ngjarë, siç është tradicionale, serbët e Kosovës do të udhëzohen të shkojnë në votime dhe të zgjedhin partinë dhe kandidatin e vetëm që munden.

Qeveria serbe, nën sundimin e Presidentit Aleksandër Vuçiq, gjithmonë ka theksuar të njëjtën ide: që serbët e Kosovës të bashkohen nën një parti. Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe asnjë udhëheqës tjetër të fortë të opozitës, kjo duket se është një punë e arritur.

Serbët në veri të Kosovës kanë vetëm një përfaqësues politik, të personifikuar nga partia e krijuar dhe e sunduar nga Beogradi.

Lloji i zgjedhjeve që po ndodh në veri të Kosovës tradicionalisht shihet vetëm në regjimet autokratike ku fituesit janë të njohur edhe para shpalljes së zgjedhjeve. Ka shumë faktorë që garantojnë ekzistencën e demokracisë, por zgjedhjet e lira kanë qenë gjithmonë një fokus dhe ndërsa ka përkufizime të ndryshme të zgjedhjeve të lira, një gjë është e sigurt: Është zhgënjyese të mendosh për demokracinë pa konkurrencë zgjedhore.

Zgjedhjet do të kalojnë, Lista Serbe do të fitojë, politikanët serbë do ta festojnë fitoren si zakonisht, por qytetarët e zakonshëm do të kenë humbur mundësinë për ndonjë pjesëmarrje demokratike. Në gjithë këtë degradim, heqjen e lirisë së qytetarëve dhe mohimin e procesit demokratik, mbetet vetëm një pyetje: Çfarë tjetër duhet të ndodhë për të shënuar varrimin e demokracisë?

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.

Nevena Radosavljeviç është një gazetare dhe trajnere e pavarur në ndërtimin e paqes dhe transformimin e konflikteve nga Leposaviqi. Ajo është master në Paqe dhe Siguri nga Instituti për Kërkimin e Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut.