Dy kandidatët e rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francës - Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen - Foto: Flickr

Zgjedhjet në Francë: Macron dhe Le Pen përballen në një debat vendimtar elektoral

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kundërshtarja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen do të përballen sot, e mërkurë, në një debat që mund të jetë vendimtar në garën e ngushtë për të vendosur se kush do ta udhëheqë Francën për pesë vitet e ardhshme.

Për Le Pen, e cila renditet pas Macron-it në sondazhet e opinionit përpara votimit të së dielës, gjithçka tregon se ajo ka staturën për të qenë presidente dhe t’i bindë më shumë votues se nuk duhet të kenë frikë të shohin të djathtën ekstreme në pushtet.

“Frika është argumenti i vetëm që presidenti aktual duhet të përpiqet dhe të qëndrojë në pushtet me çdo kusht”, tha Le Pen në një video të re të fushatës të martën, duke e akuzuar Macronim për nxitje të dënimit mbi atë që një presidencë e ekstremit të djathtë do të thoshte për Francën.

Për Macron-in, ndoshta sfida më e madhe nuk do të jetë të tingëllojë arrogant, diçka që shumë votues e kanë kritikuar tek ai, teksa po provon t’i gjejë gabimet që ai sheh në planet e politikave të kandidates Le Pen.

“Francezët tani e shohin atë si një presidente të mundshme, ndryshe nga viti 2017. Tani na takon ne të dëshmojmë se ajo do të jetë një presidente e keqe,” tha një burim i afërt me Macron, duke shtuar se ai do të “kundërshtojë projektin e saj dhe të provojë se është jokonsistente dhe joreale.”

Debati, i cili fillon në orën 19:00 sipas orës evropiane, do të jetë i vetmi mes dy kandidatëve.

Kur Macron dhe Le Pen u përballen për herë të parë kundër njëri-tjetrit për postin e presidentit, në vitin 2017, debati ishte katastrofik për kandidaten anti-emigracion dhe euroskeptike, Le Pen.

Ajo i ngatërroi shënimet e saj dhe humbi pozitën e saj, ndërsa debati i dha mundësinë një Macroni të paprovuar në atë kohë t’i bindte votuesit se ishte i përshtatshëm për të qenë president.

Shumëçka ka ndryshuar që nga ajo kohë.

Dueli

Së pari, megjithëse rreshtimi është i njëjtë, rezultati i zgjedhjeve është më i hapur, me epërsinë e presidentit centrist, pro-evropian në sondazhet e opinionit, diferenca shumë më e ngushtë se në 2017-ën.

Dhe Macron tani ka qenë në pushtet për pesë vjet, që do të thotë se Le Pen mund ta sulmojë atë në historikun e tij.

Ajo gjithashtu mund të performojë më mirë se në debatin e 2017-ës, të cilin ajo vetë e quajti një dështim, ndërkohë që mund të jetë e vështirë për Macron ta përsërisë një performancë të tillë nokdauni.

Por Macron nuk është pa asete për këtë debat, i cili do të jetë i vetmi përballje direkte mes të dyve në të gjithë fushatën.

Me ekspertin e ekstremit të djathtë Eric Zemmour tani jashtë loje, Le Pen humbi një rival që e bëri atë të dukej më pak radikale, në krahasim, dhe që e ka goditur atë në sondazhet e opinionit.

Më pas, papunësia është në nivelin më të ulta në 13 vitet e fundit dhe ekonomia franceze i ka tejkaluar vendet e tjera të mëdha evropiane – edhepse inflacioni po shënon një rritje.

Dhe ndërkohë që deri më tani ajo ka arritur në masë të madhe ta lërë mënjanë këtë, Le Pen ende njihet për admirimin e saj për presidentin rus Vladimir Putin në të kaluarën i cili tani shkon në disfavor saj.

Për të dy, përpjekja për të fituar mbi votuesit e majtë do të jetë kruciale.

Ndërkohë që kampi i Le Pen ka qenë duke u përpjekur gjatë ditëve të fundit për ta shpjeguar planin e saj për ndalesën e hixhabit në të gjitha vendet publike, për Macron, një propozim për të shtyrë moshën e pensionit po e lë atë të ekspozuar.

Të dy e kanë lehtësuar fushatën përpara debatit. Por ndërkohë që Le Pen thuhet se po fokusohet në përgatitjen për debat, burimet në ekipin e Macron janë të prirur të theksojnë se presidenti është ende në punë dhe nuk e ka marrë një ditë të tërë pushim për t’u përgatitur për debatin.

“Të jesh president nuk është një punë me kohë të pjesshme”, tha një ndihmës i fushatës për Reuters./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala