Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Zgjedhjet - E arritura dhe dështimi i vitit 2019

Viti 2019 u karakterizua me zhvillime të theksuara në skenën politike kosovare, megjithëse nuk solli rezultatet e pritura drejt krijimit të institucioneve të reja, pas shprehjes së vullnetit qytetar në zgjedhjet nacionale të tetorit.

Mes kritikave për nepotizëm, rritjes së pagave, shpenzimeve pa kriter të parave të taksapaguseve, e shterjes së rezervave shtetërore, dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit me arsye ftesën nga Gjykata Seciale për intervistim, i pasoi zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Më 6 tetor, qytetarët e Kosovës përmes votës së lirë kthyen përmbys qeverisjen duke i dhënë besimin opozitës së derivonshme që të qeverisë vendin, por këta të fundit s’u morën vesh deri më tani për një gjë të tillë.

Lidhur me zhvillimet politike të këtij viti, analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se paradoksalisht, edhe e arritura më e madhe, edhe dështimi më i madh në politikën kosovare të vitit 2019, i përkasin një ngjarjeje të vetme: zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Qytetarët treguan shkallë të lartë të emancipimit politik, duke e artikuluar qartazi dhe dinjitetshëm vullnetin për ndryshime sistemore, mirëpo liderët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk i përmbushën pritjet për krijimin e institucioneve të reja me shpejtësinë dhe konstruktivitetin e premtuar”, thekson ai.

Sipas Muhaxhirit, sërish u dëshmua hendeku mes synimeve politike të qytetarëve dhe mospasjes së një adrese të qartë për gatishmërinë e konkretizimit real të tyre.

Pritjet për vitin 2020

Viti i ardhshëm pritet të jetë sfidues duke marr parasysh se ende nuk janë konstituuar të gjitha institucionet e reja si dhe një varg çështjesh të hapura që e presin qeverinë e ardhshme.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se situata e këtillë politike nuk ofron pritshmëri pozitive për fillimvitin 2020.

“Krahasuar me praktikën e tre muajve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në javët e ardhshme duhet të tregojnë iniciativa dhe përkushtime shumëfish më të mëdha për kompromise nëse dëshirojnë të bashkëqeverisin”, thotë ai për Gazetën JnK.

Në qoftë se kjo nuk ndodh, atëherë siç thotë Muhaxhiri, ekzistojnë dy skenarë: qeveri e gjerë me afat të caktuar, ose zgjedhje të reja.

“Të dyja rastet do të nënkuptojnë vazhdim të komplikimeve dhe mungesa të strategjive afatgjate, duke imponuar improvizime që do të shkojnë në dëm të stabilizimit politik dhe institucional”, tha ai.

Ndërkaq, analisti tjetër politik Nezir Kraki për Gazetën JnK ka folur për gjasat e krijimit të një qeverie “befasuese”.

“Nuk do ketë qeveri deri në janar apo shkurt dhe gjasat janë që qeveria e re të jetë befasi për të gjithë, sidomos nëse sabotimi i opsionit të parë, do të thotë i qeverisë eventuale VV dhe LDK, vazhdon në këtë formë”, shprehet Kraki.

Kurse, Muhaxhiri ka shtuar se kësisoj nga kjo gjendje do të shtohen presionet e mëdha ndërkombëtare për përfundimin e dialogut me Serbinë dhe përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale me peshë gjeostrategjike.

“Kjo do t’i zhvendos në plan të dytë planifikimet e domosdoshme shtetërore me qëllim të rritjes së nivelit të suksesshmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit, përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe të mirëqenies, si dhe përgjithësisht – të shpresës për jetë më të mirë”, ka theksuar ai për Gazetën JnK.