
Pamja ballore e TKK-së pas rinovimit. Foto: MKRS.
Zgjedhjet 2025: Premtimet e ricikluara të partive politike për artin e kulturën
Partitë dhe koalicionet parazgjedhore kanë përfshirë artin dhe kulturën në Programet e tyre zgjedhore, ndonëse disa prej premtimeve i kanë të njëjta e disa i kanë të përsëritura nga Zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, as premtimet e reja nuk mungojnë.
Në shumë pika partitë dhe koalicionet që garojnë në Zgjedhjet e 9 shkurtit për të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës kanë ngjashmëri në Programet për kulturën. Shumica e prioriteteve që ato i kanë përfshirë në Programet e tyre janë premtime të ricikluara, të bëra për më shumë se një dekadë, e që kanë mbetur të parealizuara.
Ndërtimi i objekteve për institucionet elitare të kulturës, si objekti për Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatri Kombëtar, Muzeu i Arteve Moderne, si dhe garantimi i mbështetjes më të madhe financiare për skenën e pavarur të kulturës, janë pjesë e përbashkët e Programeve të partive politike. Nisur nga ky fakt, Programet zgjedhore po shihen me rezerva nga komuniteti artistik.
Premtimet e përsëritura
Subjekti më i madh politik në vend, Lëvizja Vetëvendosje! në Programin e saj zgjedhor ndër prioritetet për katër vjetët e ardhshme i ka paraparë “politikat ekonomike kreative”, mbështetjen financiare dhe hapësirat për krijuesit e pavarur, ansamblet rezidente, si dhe vazhdimin e projektit “Arti në shkolla”.
LVV premton se do të ketë në fokus modernizmin e objekteve kulturore. “Projektet e mëdha, ai i Teatrit të Operës dhe Baletit e Muzeu i Artit Bashkëkohor do të bëhen pika referimi globale – duke ofruar hapësira të denja për krijimtarinë bashkëkohore ndërkombëtare.” – thuhet në Programin zgjedhor 2021-2025 të LVV-së.
Gjithashtu LVV premton funksionalizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, sidomos investimeve në arkeologji dhe ruajtjen e qendrave historike të qyteteve e kujdes për nisjen e punimeve për konservimin e Kullave brenda Kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz.
Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës ndër prioritetet e saj në Programin zgjedhor ka renditur ndërtimin e një Qendre Kombëtare të Arteve Performuese, ndërtimin e një galerie të arteve pamore në Kosovë, ndërtimin e Memorialit të Gjenocidit, si dhe ndërtimin e një shkolle të restaurimit e konservimit të trashëgimisë kulturore dhe të rehabilitimit të qendrave historike të qyteteve.
“Kosova ka një trashëgimi kulturore të pasur, por qendrat historike si: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja, Vushtrria dhe Mitrovica janë dëmtuar ndër vite. Ndërtimi i një Shkolle të Restaurimit është thelbësor për ruajtjen e kësaj trashëgimie dhe rikthimin e identitetit unik të këtyre qyteteve.” – thuhet në Programin zgjedhor të PDK-së për 2025.
Pos këtyre ky subjekt politik në prioritet do të ketë edhe krijimin e një Strategjie të e re për Kulturën për ta promovuar potencialin krijues dhe ekonominë kreative, fuqizimin e pavarësisë së institucioneve kulturore; gjenerim në të ardhura vetjake përmes një qasjeje të integruar dhe partneritetit publiko-privat të trashëgimisë kulturore, por edhe nxitjen e shkëmbimet kulturore ndëretnike brenda Kosovës.
Muzeu i Paqes dhe Rezistencës
Lidhja Demokratike e Kosovës, në prioritetet e saj kulturore të parapara me Programin zgjedhor 2021-2025, ka renditur ndërtimin e objekteve të institucioneve kulturore, si: objektin e Teatrit, objektin e Operës dhe Baletit, Muzeun e Artit Bashkëkohor, Qendrën e Librit dhe themelimin e Muzeut të Paqes dhe të Rezistencës, i cili do të përfshijë veprimtarinë shoqërore, politike, humanitare të Kosovës gjatë viteve të 90-ta. LDK-ja premton se do të ndajë 10 milionë për këtë Muze, përmes së cilit do të prezantohet veprimtaria e institucioneve të Kosovës gjatë viteve 1990/99, si Shoqata Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, organizmi i arsimit dhe fushat e tjera.
“Muzeu i Paqes dhe i Rezistencës është i një rëndësie të madhe politike, kulturore e identitare, si dhe do të bëhet referencë themelore e shtetit të Kosovës. LDK-ja do të synojë që nëpërmjet promovimit ky Muze do të bëhet qendër e interesimit për turizëm kulturor në vendin tonë. Rreth 10 milionë euro do të ndahen për objektin e Muzeut në fjalë.” – thuhet në Programin zgjedhor të LDK-së.
Kjo parti premton edhe masa tjera për fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, si pavarësi të institucioneve të kulturës dhe funksionalizim të objekteve të trashëgimisë kulturore, qendrave kulturore e bashkëpunime ndërkulturore me shtetet e tjera.
Ndërsa koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët, Forumi Intelektual E30, Ideal është fokusuar në zhvillimin e turizmit, duke i parë asetet e trashëgimisë kulturore si potencial për zhvillimin e kulturës, sidomos qytetet si: Prizreni, Gjakova, Rahoveci, Dragashi, Juniku.
“Për më tepër Kosova ka potencial për zhvillimin e turizmit kulturor me vende të ndryshme fetare, me vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike.” – potencohet në Programin zgjedhor të këtij Koalicioni.
Në anën tjetër pritjet e komunitetit kulturor janë minimale nga Programet e shpalosura të subjekteve politike për kulturë.
Edhe Koalicioni për Familjen në Programin zgjedhor 2025 ka paraparë investime në infrastrukturën kulturore, për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës, themelimin e Qendrës Kombëtare të Librit, mbështetje për krijimtarinë artistike (filmin) – duke listuar edhe një sërë planesh që premton se do t’i zbatojë në fushën e kulturës dhe artit.
“Libri, teatri, filmi, sporti etj., kanë mbetur në margjina të interesave politike. Por me ne, artistët, shkrimtarët, përkthyesit etj., do të ndihen të përfaqësuar. Në një anë do të jetësohet një politikë intensive e promovimit të vlerave të mirëfillta, e në anën tjetër te brezat e rinj do të bëhet përpjekje për t’ua kultivuar shijen e njëmendët për artin e njëmendët.” – thuhet ndër të tjera në Programin zgjedhor të Listës për Familjen.
“Kultura, e fundit në fjalorin politik dhe elektoral”
Krijuesi e kritiku Ilir Muharremi ka thënë për KALLXO.com se premtimet e partive politike që lidhen me artin dhe kulturën vazhdojnë t’i kenë në fokus kryesor projektet infrastrukturore, për sa kohë që aspektet e tjera të rëndësishme për zhvillimin e kulturës shpesh anashkalohen.
Sipas tij subjektet politike po premtojnë ndërtimin e objekteve të reja për institucionet kulturore në shumë raste, pa detaje konkrete lidhur me afatet kohore apo lokacionet specifike. 
“Është e rëndësishme të theksohet se përtej infrastrukturës fizike Sektori i Kulturës ka nevojë për mbështetje në aspekte të tjera, si: përmirësimi i politikave kulturore, financimi i projekteve artistike, edukimi kulturor dhe promovimi i artistëve vendorë. Fatkeqësisht, këto çështje shpesh mbeten në hije në Programet e partive politike.” – ka thënë ai.
Partitë politike në Kosovë sipas tij ende nuk i adresojnë plotësisht nevojat e komunitetit artistik dhe kulturor në Programet e tyre zgjedhore – duke u fokusuar kryesisht në premtime për projekte infrastrukturore të cilat shpesh mbeten të parealizuara.
Ndërkaq, regjisori Mahir Musliu ka thënë për KALLXO.com se kultura në fjalorin politik dhe elektoral është e fundit ose nuk zënë vend fare. Sipas tij premtimet e dhëna nga subjektet politike janë plot dyshime se do të realizohen.
“Arti dhe kultura politikanëve tanë nuk u sjell as vota, as tenderë e para. Sepse, ky trekëndësh është shumë i rëndësishëm për politikanin e ditës së sotme te ne. Vota i sjell në pozita. Pozitat ua sjellin tenderët. Pastaj, këta tenderë shndërrohen në mjete materiale. Në këtë kontekst, këto premtime i shoh të kota, nga fakti se secila parti që do të vjen në pushtet i ndërron këto premtime. Ata përpiqen t’i bëjnë joshëse, vetëm sa për të ardhur te pushteti dhe harrohen më pastaj. Uroj që të ndodhë e kundërta.” – ka thënë Musliu.
Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 09.02.2025.