Aleksandar Vuçiq feston fitoren e partisë së tij - Foto: FoNet

Zgjedhja e humbësve

Një person i vetëm duket se ka fituar zgjedhjet. Fytyra e tij ishte e shfaqur kudo, emri i tij ishte në fletëvotim, megjithëse jo si kandidat, dhe mitingjet virtuale u mbizotëruan prej tij. Aleksandar Vuçiq është fituesi i qartë i zgjedhjeve parlamentare të Serbisë të dielën e kaluar.

Ndërkohë që nuk po garonte në zgjedhje dhe si president shteti duke qëndruar mbi politikat partiake, ishte e qartë se fitorja e Vuçiqit ishte absolute. Partia e tij fitoi rreth 62 për qind të votave dhe 191 nga 250 ulëset në Parlament, rreth 76% të ulëseve. Shumicën që e ka siguruar i hap shtegun ndryshimeve kushtetuese që do të lejonin që regjimi, ashtu sikurse në Hungari, ta përshtasë Kushtetutën për nevojat e partisë në pushtet.

Partneri i tij afatgjatë i koalicionit, Socialistët dhe aleatët e tyre fituan 10.4% dhe 32 ulëse, dhe Aleanca Patriotike e Serbisë, motori prapa kryetarit të Beogradit të Ri, Aleksandar Shapiq, fitoi 11 ulëse, duke kaluar  pragun 3% me 3.64%. Pragu elektoral u ul nga 5% në 3% vetëm disa javë para zgjedhjeve në një përpjekje të qartë nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet për të forcuar përfaqësimin e partive të vogla në Parlament në mënyrë që të dobësojë efektin e bojkotit opozitar.

16 ulëset e mbetura mbahen nga partitë e pakicave, të cilat kanë një prag më të ulët elektoral. Opozita e vetme në Parlamentin serb janë dy deputetë shqiptarë nga komunat me shumicë shqiptare të Bujanocit dhe Preshevës, pasiqë partitë e pakicave bashkëpunuan me qeveritë e mëparshme rreth Partisë Përparimtare Serbe dhe Shapiq gjithashtu nuk kandidoi kundër Qeverisë.

Është kjo fitore aq e madhe saqë rezultatin e shndërron në një humbje për Vuçiqin. Një Parlament pa opozitë nuk mund të shërbejë si kamuflim për të legjitimuar sundimin, kinse demokratik, të presidentit. Në rast se më shumë se 21 partitë dhe grupet kandiduese të kishin hyrë në Parlament, siç janë grupet e ndryshme të ekstremit të djathtë dhe fashist ose disa demokratë dhe reformistë të shpërndarë, Partia Përparimtare Serbe (SNS) do të mund të kishte pohuar se Serbia kishte një Parlament pluralist. Tani, Serbia nuk e ka një Parlament të tillë dhe kësisoji shpërfaq natyrën autoritare të regjimit.

Blloku opozitar humbi gjithashtu. Ndërkohë që pjesëmarrja ishte ndoshta më e ulët sesa thonë shifrat zyrtare, sipas OJQ-së së pavarur dhe që ka monitoruar zgjedhjet CRCTA, pjesëmarrja ishte rreth 48 për qind, pra 8 deri 9 për qind më e ulët se zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2016. Kjo nënkupton një rënie të vogël, që nuk mund të atribuohet vetëm opoziës, por përkundrazi edhe epidemisë COVID-19 dhe mospërfilljes së vetë votuesve.

Është e qartë se përpjekja kryesore nga regjimi ka qenë që të nxisë sa më shumë votues në pjesëmarrje, pasi shumica e parregullsive të përmendura nga CRTA janë fokusuar në shtimin e numrave të votuesve dhe zyrtarët e SNS duket se i kanë bërë ftesë votuesit potencial në ditën e zgjedhjeve duke ushtruar presion ndaj tyre për të votuar.

Opozita bojkotuese ka arritur ta deligjitimojë pjesën tjetër opozitare që mori pjesë në zgjedhje, siç është Lëvizja e Qytetarëve të Lirë me në krye Sergej Trifunoviqin, i cili fitoi vetëm 1.5% të votave ose Serbia e Bashkuar Demokratike që fitoi më pak se 0.9%.

Në të njëjtën kohë, opozita që bojkotoi këto zgjedhje është larg të qenit e bashkuar. Dikur Partia e madhe Demokratike është prishur dhe njollosur nga lufta e brendshme duke përfshirë një përleshje në selinë e partisë në ditën e zgjedhjeve midis fraksioneve të ndryshme. Përndryshe, opozita është një aleancë e shqetësuar midis ekstremit të djathtë Dveri, ndarjet nga Partia Demokratike e cila ishte në pushtet më parë dhe disa grupeve të tjera. Tani jashtë Parlamentit, të shkëputur nga fondet, pa një strategji të qartë dhe me pak aleatë dhe kontakte ndërkombëtare, blloku opozitar do të përballet me vështirësi të mëdha në rrugën e tij.

BE është humbësi definitiv në këto zgjedhje. Serbia ka kohë që është përkrahur, në mënyrë jo kritike, si kandidati kryesor i zgjerimit të BE-së. Tani, përballet me një Parlament me mungesë të mandatit demokratik dhe me një regjim, natyra autoritare e të cilit është bërë tashmë e qartë.

Një deklaratë e përbashkët e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell dhe Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi ishte jashtëzakonisht kritike, duke gjetur vërejtje në një opsion të kufizuar të votuesve si dhe në mbizotërimin e mediave të partisë në pushtet.

Partitë Europiane dështuan, jobefasisht të rreshtuara në vija partizane. Socialistët dhe Përparimtarët i quajtën saktësisht këto zgjedhje si një tallje me demokracinë dhe kërkuan ngadalësimin e procesit të pranimit, ndërkohë që Donald Tusk nga Partia Popullore Europiane i dërgoi mesazh urimi bashkëpunëtorit të familjes së partisë së tyre, Partisë Përparimtare (SNS), duke përmendur paksa në mënyrë alarmante “më shumë fuqi, më shumë përgjegjësi”.

Procesi i zgjerimit komprometohet seriozisht nga zgjedhjet. Serbia ka negociuar pranimin e saj për më shumë se gjashtë vjet, në të njëjtën periudhë gjatë së cilës demokracia dhe sundimi i ligjit kanë pësuar një prapakthim bazuar në çdo indikator dhe nga të gjitha organizatat që monitorojnë demokracinë në nivel global, duke përfshirë Freedom House, Bertelsmann Transformation Index, VDem Institutute, dhe Economist Democracy Index.

Institucionet e BE-së, me përjashtim të qartë të Parlamentit, befasisht kanë heshtur për këtë. Nëse BE-ja i kthehet normalitetit pas zgjedhjeve, jo vetëm që do të inkurajojë konsolidimin e mëtutjeshëm të autoritarizmit në Serbi, por, mes të tjerash edhe në rajon, përfshirë Malin e Zi dhe Shqipërinë. Më e rëndësishmja, kjo nënkupton që BE nuk është duke u përballur vetëm me mbajtjen e autokratëve brenda BE-së, por edhe gjatë procesit të pranimit, kur nevojiten edhe më shumë mekanizma. Për t’u përballur me lëvizjen autoritare, BE duhet ta angazhojë veten e saj me Serbinë.

Në vitin 2014, BE fillimisht injoroi autoritarizmin e qeverisë së Gruevskit dhe dëbimin e opozitës. Vetëm skandali i përgjimit të vitit 2015 shkaktoi një angazhim më të qëndrueshëm të BE-së. Rreziku është që në Serbi, alternativat politike të bëhen më euroskeptike, pasi ata shohin qeverinë të mbështetur nga BE dhe vendet anëtare të saj dhe si shumë prej partive që sot kundërshtojnë integrimin europian.

Një angazhim i ripërtërirë i BE-së kërkon disa komponentë, përkatësisht një ndërmjetësim kuptimplotë midis qeverisë dhe opozitës se si të rikthejë opozitën në procesin politik bazuar në trajtimin e disa prej kufizimeve më serioze demokratike. Për më tepër, një mision për sundimin e ligjit, siç është raporti i Priebe i hartuar në vitin 2015 nga ekspertë të pavarur që do të identifikonin mangësitë dhe përparësitë për reformën, dhe një proces pasues.

Familjet e Partisë Europiane duhet të punojnë së bashku në vlerësimin e tyre për demokracinë sesa ta bëjnë demokraci një çështje partizane në Ballkanin Perëndimor. Deklaratat bipartizane dhe ndërmjetësimi nga eurodeputetët nga partitë më të mëdha europiane do të zvogëlonin rrezikun që autoritarizmi të ndihmohej edhe më tej nga përçarjet partizane.

Përfundimisht, Komisioni, Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare duhet ta kenë parasysh gamën e gjërë të opsioneve në lidhje me vetë bisedimet mbi pranimin. Këto mundësi përfshijnë moshapjen e kapitujve të rinj në negociata, një sinjal të nivelit të ulët. Më serioze do të ishte të sjellë në mendje klauzolën çekuilibruese, e cila ka qenë pjesë e negociatave për pranim për tetë vjet. Kjo i jep mundësi pezullimit të bisedimeve në të gjithë kapitujt nëse nuk bëhet progres i mjaftueshëm në lidhje me sundimin e ligjit.

Përfundimisht, metodologjia e re, e vendosur nga Komisioni si reagim ndaj vetos së Francës mbi bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë ofron mekanizma të mëtejshëm për të bërë presion ndaj kandidatëve për anëtarësim. Ai u jep mundësi shteteve anëtare t’i pezullojnë negociatat në disa fusha dhe t’i rihapin kapitujt e mbyllur, si dhe të rivlerësojnë fondet dhe përfitimet e tjera të bashkëpunimit. Mundësia më serioze do të thoshte pezullimin e bisedimeve të anëtarësimit në tërësi.

Përderisa opsioni i fundit mund të jetë kundërproduktiv për momentin, do të ishte mirë të merren parasysh disa nga masat e ndërmjetme. Pezullimi i bisedimeve mbi anëtarësimin, megjithatë, duhet të jetë një kërcënim i besueshëm nëse Qeveria serbe nuk bën disa hapa të qartë dhe të verifikueshëm për rivendosjen e institucioneve demokratike. Duke marrë parasysh mjetet që BE ka në dispozicion tani për të insistuar në vlerat thelbësore të BE-së në bisedimet e anëtarësimit, mospërdorimi i tyre do të çimentonte rezultatin e zgjedhjeve si një mundësi të humbur për Serbinë dhe BE-në.

(Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN)