'Zërat e shuar' të grave në 'veshët e shurdhër' të drejtësisë

Rastet e dhunës në familje nuk po ndalen, njëjtë po ndodh edhe me vrasjet e grave në Kosovë.

Bashkë me fatalitetin e tyre, fatal del të jetë edhe vënia e drejtësisë për këto viktima.

Krahas protestave masive e simbolike, thirrjeve të shumta, “zërat e humbur” të grave po ndeshen me mendësinë patriarkale dhe sistemin “breshkë” të drejtësisë.

Vetëm në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë janë raportuar 1 mijë e tre raste të dhunës në familje. Ndërsa, në vitin 2019 ishin raportuar 1 mijë 915 raste të dhunës në familje.

Nga të dhënat e Qendrës për Studime Gjinore në dy vitet e fundit 13 gra kanë mbetur të vrara (duke përfshirë këtu vdekjen e gruas në Kamenicë dhe vrasjen e vajzës 17 vjeçare në Pejë).

Sipas organizatave jo-qeveritare për të drejtat e grave, vrasja e grave në Kosovë po lihet pas dore nga institucionet e drejtësisë dhe po mungon veprimi i Policisë në raportimet për dhunë në familje. Si pasojë e anashkalimit institucional rastet e vrasjeve të grave po rriten.

Rasti i fundit i vdekjes së S. M. në Berivojcë të Kamenicës, ku i dyshuar është bashkëshorti i saj, është vetëm një nga rastet e vrasjes së grave në Kosovë.

Me 25 korrik, në Kamenicë, një burrë 42 vjeçar dyshohet të ketë vrarë bashkëshorten e tij, 34 vjeçare.

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit, Nuhi Mavroqanit, sipas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari Nuhi Mavroqani veprën penale e ka kryer duke e goditur bashkëshorten e tij, me shufër metalike, fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ku më pas ka vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Në aktvendimin e Gjykatës, thuhet se një vepër e tillë penale, sipas Ligjit të KPPRK-së, parashihet dënimi nga minimumi deri në 10 vjet, deri në maksimum burgim të përjetshëm.

Nuhi Mavroqani, i dyshuar për vrasjen e gruan e tij me shufër metalike po del të ketë qenë edhe më parë i dënuar për veprën penale të lëndimit trupor, pikërisht ndaj gruas së tij, tanimë të ndjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të  vitit 2017 të siguruar nga KALLXO.COM, Nuhi Mavroqani gjatë vitit 2017 në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës i kishte shkaktuar edhe më parë lëndime gruas së tij duke e goditur me bisht të sëpatës.

Neni 75 i Kodit Penal të Kosovës për ashpërsim të dënimit recidivizëm të shumëfishtë, thotë se nëse kryesi është dënuar më parë dy herë apo më shumë herë me burgim prej së paku një vit për vepra penale të kryera me dashje, mund t’i shqiptojë dënim më të rëndë recidivistit duke shtuar jo më shumë se gjysmën e maksimumit të dënimit.

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovë tha se në Kosovë njëherë burrat po i vrasin gratë, e shteti po i vret për së dyti.

Sipas saj kjo po ndodh si pasojë se shteti nuk po i merr masat e duhura të parandalimit dhe riintegrimit të rasteve të dhunë në familje.

“Nëse do të kishte shërbime të mira të riintegrimit të personave që kanë përjetuar dhunë në familje, duke siguruar banesa sociale, punë dhe edukim apo çkado qoftë e nevojshme, shumë gra nuk do ta kishin nevojën të kthehen prapë tek abuzuesi pasi që kanë përjetuar dhunë”, tha Kurti.

Në bazë të monitorimeve të RrGK-së në seancat gjyqësore lidhur me raste e dhunës, një përqindje shumë e madhe e grave që i paraqesin rastet e dhunës, të njëjtat kërkojnë nga Gjykata t’ia falë dënimin bashkëshortit dhe dëshirojnë të kthehen me ta në shtëpi.

“Çfarëdo qoftë arsyeja që një grua që ka përjetuar dhunë e shtyen të kthehet tek abuzuesi, institucionet nuk duhet ta lejojnë këtë, por duhet të bëjnë zgjidhje strehimi afatgjatë për to, në mënyrë që mos ta kenë nevojën të jetojnë në frikën se mund të jenë viktimat e radhës”, tha Kurti.

Liridona Sjarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se vrasja e gruas në Kamenicë nga bashkëshorti i saj i paraqet një praktikë të femicidit që po vazhdon t’i vrasë gratë pikërisht sepse janë gra.

Sjarina tha se më tepër janë të shqetësuara që institucionet po dështojnë t’iu ofrojnë mbrojtje grave të cilat janë viktima të dhunës në familje e që po përfundojnë me vrasje.

“Ngjashëm me rastet e tjera, rastet e vrasjes dhe dhunës me baza gjinore vazhdojnë të injorohen dhe neglizhohen skajshmërisht nga institucionet e drejtësisë. Përveç që shteti po dështon në parandalimin e dhunës, praktikat e mëhershme tregojnë që edhe vënia e drejtësisë për viktimat mbetet sfidë”, tha ajo.

Përveç reagimeve në rrjetet sociale dhe takimeve që i kanë mbajtur me me grupet dhe në rrjetet e organizatës, situata e pandemisë dhe masat e reja nga Qeveria e kanë pamundësuar organizimin e ndonjë proteste ose marshi nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Qendra për Studime Gjinore.

Sjarina, tutje tha se mos-reagimi i policisë po del të jetë vdekjeprurës për gratë dhe siç po tregon edhe rasti i Kamenicës, dhuna ndaj grave vazhdon të injorohet nga institucionet gjegjëse, pasiqë rastet që përfundojnë me fatalitet zakonisht e kanë një histori të raportimeve të vazhdueshme në institucione.

Sipas saj, tendencat që dhunuesit të lihen të lirë po ndikon në ‘amnistimin’ e këtij krimi i cili nuk trajtohet me seriozitetin e duhur as nga institucionet e as nga shoqëria në sens më të gjerë.

“Ndonëse viteve të fundit është punuar me institucione me qëllim të rritjes së ndjeshmërisë gjinore në trajtimin e rasteve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi të cilat nuk paraqesin raste të izoluara, mendësia patriarkale dhe brishtësia institucionale po ndikojnë që dhuna sistematike dhe vrasjet e grave të mos merren seriozisht nga institucionet gjegjëse”, tha Sjarina.

Sjarina për vrasjen e grave e fajëson mendësinë patriarkale në Kosovë.

Sipas saj, në gjykimin e shoqërisë, gratë vriten pikërisht sepse janë gra dhe arsyet gjenden në mendësinë patriarkale e cila ushqehet nga të gjitha institucionet, duke nisur nga familja e deri tek institucionet shtetërore të cilat po dështojnë ta reformojnë kulturën.

Sjarina tha se mendësia patriarkale po i jep fuqi dhe pushtet burrave kundrejt grave, pushtet ky i cili përveç dhunës sistematike edhe po i vret gratë. Dhe se mendësia patriarkale bashkë me organizimin ekonomik e politik që shkon në disfavor të grave po prodhon pabarazi të thellë gjinore e cila po i lë gratë në pozitë më të dobët dhe rrjedhimisht më lehtë të cenueshme.

Ndërsa sipas Erza Kurtit, mentaliteti patriarkal ka bërë që shumë gra të shihen si pronë e familjes, e babës apo e burrit, si gjak i huaj dhe nga kjo shumë raste kanë përfuduar me fatalitet.

“Këtë e kemi vërejtur edhe për rastin e fundit, komentet e shumë personave në rrjete sociale, duke arsyetuar vrasësin gjoja se ai nuk e ka vrarë pa një arsye, duke ofenduar kështu viktimën dhe gratë në përgjithësi. Ideja që gruaja duhet të durojë edhe shuplakën edhe dhunën më të madhe për hir të familjes na ka sjellur në këtë situatë ku jemi sot”, tha Kurti.

Në vitin 2018 në Kosovë kanë vdekur katër gra nga gjashtë raste të vrasjeve në familje.

Përfaqësuesja e RrGK-së në lidhje me rastin në Kamenicë tha se menjëherë si kanë marrë vesh për rastin, iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë, respektivisht Gjykatës Themelore të Gjilanit që të ketë kujdes të shtuar në trajtim të këtij rasti, dhe që dorasi të marrë dënimin e merituar, ashtu siç parashihet me ligj për kyerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Kurti paralajmëroi që për çdo dështim nga institucionet do të kërkojnë përgjegjësi për mos efikasitet dhe pandëshkueshmëri të vrasësve të grave dhe se do të ushtrojnë presion publik në rast se nuk ndërmirren hapat e duhur ligjor.

Ajo tha se duke pasur për bazë gjetjet e hulumtimeve të realizuara nga RrGK, shpesh herë është vënë re se gjyqtarët, prokurorët, si dhe zyrtarët policor, gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, kanë tendencë të fajësojnë viktimën, madje edhe kur të gjitha provat dëshmojnë të kundërtën.

Njëjtë sikurse Qendra për Studime Gjinore, edhe nga RrGK u tha se janë disa raste me radhë ku gratë po përfundojnë të vrara për shkak të mos reagimit të menjëhershëm nga institucionet.

“Menjëherë pas marrjes së lajmit kemi kontaktur institucionet e drejtësisë ku na kanë informuar që në vitin 2017 e ndjera ka përjetuar dhunë në familje dhe ka pranuar tretman mjekësor prej dhunës që ka përjetuar nga tashmë ish bashkëshorti”, tha Kurti.

Sipas saj, këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Gjilanit, ku ndaj dorasit është ngritur aktakuzë ‘’Lëndim i lehtë trupror’’, për shkak se i njëjti me 17 korrik 2017 kishte goditur ish-bashkëshorten e tij me bisht të sopatës.

“Kemi pasur raste kur Policia nuk e ka kryer punën e vet si duhet, në rastet e dhunës në familje kur zyrtarët policorë kanë shkuar në vend të ngjarje, në deklaratat e tyre e kanë fshehur të vërtetën e rastit, mirëpo për këtë do të kërkojmë drejtësi dhe zbardhje të rastit”, tha Kurti.

Në lidhje me këtë çështje, Kurti tha se është zinxhiri institucional të cilit duhet t’i funksionojë çdo hallkë, për shkak se nëse një institucion nuk është funksional, rasti përfundon me fatalitet.

Tutje, ajo tha se një ndër mangësitë e shtetit në këto raste, janë dënimet e ulta që caktohen dhe kjo po rrezikon që rastet të përsëriten, njësoj sikurse tek rasti Kamenicës ku i dyshuari është recidivist.

“Problemi është se rastet e dhunës në familje, prokuroria shpesh herë i ngrit aktakuzat si lëndime të lehta truprore apo kanosje, dhe kështu kjo ndikon që abuzuesi të përfundojë duke marrë dënime minimale”, tha Kurti.

Sipas të dhënave që ka siguruar RrGK, nga viti 2015 janë rreth 33 raste të viktimave të dhunës në familje, ku pjesa më e madhe e tyre janë gra.

Sipas raportit të OSBE-së, 13 vdekje të grave kanë ndodhur nga mbi 1 mijë raste të dhunës në familje gjatë periudhës janar-shtator 2018 në Kosovë.

Në gusht të vitit të kaluar, qyteti i Prizrenit u trondit nga vrasja e Armenda Aliut nga bashkëshorti i saj.

Aktakuza thotë se më 6 gusht të vitit 2019 rreth orët 23:18 minuta, i akuzuari Bajram Velija me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij A. V., me 15 plumba ndërsa deri te ngjarja ka ardhur pas një mosmarrëveshje paraprake që i akuzuari kishte me bashkëshorten.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për vrasje parasheh dënimin me burgim të përjetshëm.

Ndërsa në vitin 2018, Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari, i akuzuari Pjetër Ndrecaj.

Nga gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, i’u dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Rast tjetër i vrasjes së grave dhe zvarritjes të institucioneve të drejtësisë është rasti i Diana Kastratit, e cila u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, në vitin 2019, Gjykata e Prizrenit kishte marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.

Me 95 mijë euro Gjykata e Prizrenit e ka vlerësuar vuajtjen/dhimbjen shpirtërore që i është shkaktuar prindërve të Dianës me rastin e vrasjes së vajzës së tyre, të holla këto të cilat Republika e Kosovës me anë të këtij vendimi është e detyruar t’ia paguajë Gëzim e Makfire Kastratit.

Gjykata e Prizrenit vlerësoi se me rastin e vrasjes së Diana Kastratit, vrasje e cila sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë, prindërve të Dianës u është shkaktuar vuajtje e dhimbje shpirtërore.

Në vitin 2017 një grua tjetër vdiq si viktimë e dhunës në familje. Sevdije Berisha, 52 vjeçare, u sulmua nga i shoqi më 17 nëntor, dhe vdiq një javë më vonë nga lëndimet e tmerrshme në trupin e saj.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga BIRN, 66-vjeçari Isen Berisha gjithashtu plagosi gruan shtatzënë të djalit të tij 27 vjeçar.

Siç ndodh shpesh me këto krime, Prokuroria Themelore e Prishtinës dyshon se Isen Berisha është i sëmurë mendërisht.

E njëjta gjë u tha edhe për burrin e Zejnepe Bytyqit nga Suhareka, Nebih Berisha, i cili e kishte therë 23 herë, e kishte keqtrajtuar atë për vite me radhë dhe kishte pasur një dosje kriminale të gjatë para se ta vriste.

Nebih Berisha ishte dënuar me 12 vjet e gjysmë burg për vrasjen e bashkëshortes, por pastaj Gjykata e Apelit ia shtoi këtë dënim edhe për 4 vjet.

Pjetër Ndrecaj u rikthye në rigjykim, burri i Diana Kastrati ka ikur nga vendi, bashkëshorti i Zejnepe Bytyqit u dënua me 17 vjet burg, një zgjatje e dhënë nga Gjykata e Apelit pas një dënimi më të shkurtër me pretekstin se i akuzuari ishte i sëmurë mendor dhe deklarata e avokatit të tij se motivi i vrasjes ishte pabesia e saj.

Dafina Zhubi u vra në apartamentin e të dashurit të saj, Astrit Dibra dhe prokuroria tha se ajo kishte kryer vetëvrasje. Dibra pas disa muajsh Astrit Dibra ishte liruar nga paraburgimi me arsyetimin se viktima kishte kryer vetvrasje.

Një ekspertizë e huaj, një institucion zviceran i quajtur ‘Forensicons’, arriti në përfundimin se ajo u vra dhe përjashtoi mundësinë që ajo mund të kishte qëlluar veten në kokë.

Neni 173 i Kodit Penal të Kosovës, vrasje e rëndë konsiderohen privimi e jetës së anëtarit të familjes, fëmijës dhe parasheh dënim jo më pak se dhjetë vjet burg ose burgim të përjetshëm.

Diana Kastrati, Valbona Ndrecaj , Zejnepe Bytyqi, Sevdije Berisha, Dafina Zhubi janë vetëm disa nga emrat e viktimave nga vrasja  e burrave të tyre.

Të gjitha këto gra janë vetëm disa nga gratë të cilat zërat e tyre hasën në “veshët e shurdhër” të drejtësisë.