Arkiv

Zemërgjerësia e ZRrE-së, lejon operimin tre mujor të hidrocentraleve pa leje

Bordi i Rregullatorit për Energji në mbledhjen e shtatë për vitin 2019 vendosi që dy Hidrocentralet e kompanisë “KelKos Energy” në grykën e komunës së Deçanit, “Bellaja” dhe “Deçan”, të operojnë pa leje edhe për 90 ditë të tjera.

Një vendim i datës 28 mars i këtij viti, obligonte kompaninë “KelKos Energy” që brenda 90 dite të pajiset me Certifikatë të Përdorimit dhe Leje Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë në mënyrë që të pajiset me Licencë për prodhimin e rrymës elektrike.

Por, ky vendim nuk është respektuar nga operatori ekonomik “KelKos Energy”.

Kjo kompani ka bërë një kërkesë në drejtim të ZRrE-së për të kërkuar shtyrjen e afatit kohor prej tre muajve për kompletimin e dokumenteve për tri Hidrocentralet, “Bellaja”, “Deçan” dhe “Lumbardh II”.

Bordi i ZRrE-së votoi unanimisht për dy hidrocentralet, “Bellaja” dhe “Decan” që të shtyhet afati edhe për tre muaj, ndërsa për Hidrocentralin e tretë, “Lumbardh II” anëtarët e Bordit votuan me nga dy vota pro dhe dy kundër.

Bordi i ZRrE-së ishte i përbërë nga Arsim Janova, kryesues, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj anëtarë.

Përfaqësuesi i ZRrE-së, Afrim Ajvazi ka dhënë edhe shpjegimet për kërkesën e kompanisë investuese “KelKos Energy”. Ai tha se për hidrocentralet “Bellaja” dhe “Deçan”, ZRrE kërkon nga bordi që të shtyhet afati kohor edhe për 90 ditë të tjera.

“Kemi pasur takime edhe me Ministrinë dhe me investitorin, dhe ka ardhur shkresa prej Ministrisë së Mjedisit e cila e udhëzon ZRrE-në që brenda periudhës kohore 90 ditore, Ministria do ta përfundojë projektin, dmth do ta lëshojë certifikatën e përdorimit. Janë në proces të shqyrtimit, kanë pranuar krejt dokumentet e nevojshme dhe për shkak të specifikave janë ende duke e shqyrtuar. Kemi propozuar bordit në përputhje dhe në koordinim me Ministrinë t’i mundësohet edhe një afat prej 90 ditë që investitori ta sjellë dëshminë e fundit që kërkohet në këtë proces dhe të vazhdojë të operojë”, deklaroi Ajvazi para anëtarëve të bordit të ZRrE-së.

Operimi pa leje

Siç thuhet në vendimin e ZRrE-së të datës 28 mars, e të cilin e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, “KelKos Energy” me datë 24 shkurt të vitit 2016 kishte bërë një kërkesë për marrjen e licencës për prodhimin e energjisë elektrike. Pas shqyrtimit të kërkesës, ZRrE kishte vërejtur se kompanisë i kishte munguar leja mjedisore, e cila lëshohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe siç thuhet në vendim, nga ajo kohë deri më tani, “KelKos Energy” nuk e ka dërguar lejen mjedisore në ZRrE.

ZRrE ishte njoftuar zyrtarisht me datë 22 janar 2019 nga MMPH se kompania “KelKos Energy” nuk kishte aplikuar në këtë Ministri për leje Mjedisore për prodhim të rrymës elektrike.

Ndërsa, më 1 mars të këtij viti, vetë ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kishte njoftuar ZRrE-në se operatori ekonomik “KelKos Energy” nuk i kishte plotësuar të gjitha kushtet administrative për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit, dhe si rrjedhojë Ministria kishte vlerësuar se nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.

Ndonëse, “KelKos Energy” nuk i kishte plotësuar kushtet dhe dokumentet e nevojshme, operimi në dy hidrocentralet, “Bellaja” dhe “Deçan”, ishte lejuar me kushtin që brenda 90 ditëve kompania t’i plotësojë dokumentet e nevojshme, por ky afat është vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.

“Lumbardhi II”, nuk lejohet të operojë

Në mbledhjen e datës 10 korrik  Bordi i ZRrE-së gjithashtu shqyrtoi edhe kërkesën e “KelKos Energy” për vazhdimin e operimit të Hidrocentralit “Lumbardh II”. Por, për këtë çështje pati mospajtimeve ndërmjet anëtarëve të Bordit.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji vendosi që mos ta miratojë kërkesën nga investitori “KELKOS Energy” për operim për “Lumbardh II”.

Kryesuesi i Bordit, Arsim Janova, tha se  operimi  për “Lumëbardhi II” nuk duhet të vazhdohet pa i kompletuar të gjitha dokumentet.

“Jam për të mbetur në fuqi vendimi i parë, me mbetë i shkyçur jashtë operimit derisa nuk i sjellë dokumentet. Këtu, ka dallime të mëdha prej dy hidrocentraleve të para. Unë jam kundër, megjithatë secili e ka vendimin dhe mendimin e vet”, ka thënë kryesuesi i Bordit të ZRrE.

Edhe anëtari tjetër i Bordit të ZRrE-së, Besim Sejfiaj e arsyetoi votën kundër.

“Unë jam kategorikisht kundër që të kthehet dhe të kyçet prapë, për arsye se operatori në këtë rast e ka kaluar çdo limit të mundshëm. Mos të bijmë pre e asaj që nesër ministria të thotë që ZRrE-ja i lejon pa licenca me punu x gjeneratori”, tha ai.

Operimi i Lumbardhit pa leje është ngritur si çështje edhe në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Selman Hoti, anëtar i Bordit të ZRrE-së votoi pro kërkesës së kompanisë “KelKos Energy” ndërsa tha se votën e tij do ta arsyetoj përmes kërkesës përcjellëse.

“Unë e kam një vendim të formësuar dhe një bindje timen për votim, unë si bëj thirrje askujt për me votu për apo kundër, e kam qëndrimin tim dhe të drejtën time, do ta arsyetoj me shkresën time përcjellëse”, deklaroi Hoti.

Edhe anëtari tjetër i Bordit, Izet Rushtiti votoi pro kërkesës së operatorit ekonomik.

“Ministri në shkresën e tij ka thënë se ka një progres, dhe unë duhna me i besu ministrit, sepse vërtetë është një progres sepse kanë luajtur gjërat pozitivisht dhe nuk dua ta paragjykoj se çfarë vendimi do të jep ministria, pozitiv ose negativ se ne nuk mundemi edhe me u përzi””, deklaroi Rushiti gjatë mbledhjës së shtatë të Bordit të ZRrE-së.

Në fund, votimi ishte dy vota kundër kërkesës së “KelKos Energy” dhe dy vota për, gjë që vendosi që vendimi i datës 28 mars të mbetet në fuqi e i cili pati shkyqur nga rrjeti hidrocentralin “Lumbardh II”.

Kompania “KELKOS Energy” kishte bërë kërkesë më 26 qershor që “Lumbardhi II” të kthehet në operim dhe t’i vazhdohet afati për kompletimin e dokumenteve.

Të shtunën, më 13 korrik është paralajmëruar edhe një protestë kundër operimit të Hidrocentraleve pa leje në grykën e Deçanit.

Në debatin “Lumbardhi në Gypa” të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi premtoi se vetëm një ditë pas debatit do t`ia dërgojë Zyrës së Rregullatorit për Energji një shkresë më të cilën e informon që kompania  nuk i plotëson kushtet ligjore për të operuar me hidrocentralet në Lumbardh të Deçanit.

“Nesër do të dërgojë letrën në ZRrE më të gjitha informatat”, kishe thënë Mataoshi.

Këtë premtim ministri Matoshi e ka mbajtur dhe ua ka dërguar shkresën ZRrE-së, përmes së cilës e ka njoftuar se nuk i ka përfunduar të gjitha procedurat administrativo-ligjore pranë MMPH-së për projektin “Ndërtimi i Hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit” dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.

Kompania, e cila po synon të investojë në Komunën e Pejës ia ka hedhur edhe paq me dy raportet e inspektorateve të cilat e denonconin për shkelje. KELKOS u bë temë debati pas nismës për të ndërtuar hidrocentral mbi lumin Lumbardh të Pejës ndërsa BIRN zbulon se gjykata e Prishtinës vjetërsoj njërën nga çështjet e ngritura ndaj kësaj kompanie

Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar një hulumtim që tregon vjetërsimin e lëndëve në gjykatë që kanë të bëjnë me kompaninë ZRrE-së nuk lejon operimin e ‘KELKOS Energy’ në hidrocentral, i kërkojnë plotësimin e dokumenteve.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale

 

www.kallxo.com