Zbutet Qëndrimi Perëndimor Ndaj Sirisë

Partia opozitare laburiste ka kërkuar të mërkurën më shumë kohë që Parlamenti britanik të mund të shqyrtojë më thellësisht mundësitë e përgjigjes ndaj sulmeve kimike në Siri dhe ka kërkuar fakte të qarta për këto sulme.

Poashtu edhe disa deputetë të partisë konservative në pushtet janë shprehur se do të kundërshtojnë mundësinë e një sulmi britanik mbi Sirinë, pasi që kryeministri David Cameron kishte kërkuar votim nga parlamenti për këtë çështje.

Pengesat në Britani kanë stopuar planet e SHBA-ve për një sulm raketor gjatë kësaj jave, meqë administrata amerikane kishte bërë me dije më herët gjatë javës se nuk e kishte ndërmend të sulmonte Sirinë e vetme.

Gjatë ditës së mërkurë, edhe Sekretari Gjeneral i OKB-së ka kërkuar më shumë kohë për inspektorët e kësaj organizate për të kompletuar punën e tyre në terren, duke shtuar se atyre u nevojitën edhe katër ditë.

Megjithëse ende nuk ka caktuar një datë për sulmin e mundshëm, Presidenti Obama ka deklaruar para shikuesve amerikanë se tashmë ka konluduar, se forcat qeveritare siriane janë mbrapa sulmeve kimike në Damask.

Ndërkohë agjencia ruse e lajmeve ka njoftuar se Rusia do të dërgojë dy anije luftarake në jug të Mesdheut për shkak “të situatës tashmë të njohur”.

Luftë diplomatike është zhvilluar të mërkurën edhe nëpër zyrat dhe korridoret e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Britania është munduar të bind anëtarët e përhershëm të këtij këshilli të aprovojnë një rezolutë  që do të autorizonte masat për mbrojtjen e civilëve në Siri.

Por një gjë e tillë është refuzuar nga Rusia.

Analistët perëndimorë për Lindjen e Mesme kanë thënë se mosbesimi i publikut ndaj pretendimeve të administratës britanike dhe amerikane për sulmet kimike në Siri, i ka rrënjët tek vendimi i kontestuar i aleatëve për sulmin në Irak në vitin 2003, mbi bazën e ekzistimit të armëve kimike, gjë që më vonë nuk ishte vërtetuar.

(Shkrimi bazohet në raportimet e BBC-së, Reutersit, The Guardian)