
Zbogar: Të Zhdukurit, Një Bombë Emocionale
“E kuptoj që është një bombë emocionale dhe se ka energji emocionale pas kësaj çështjeje”, tha Zbogari, gjatë një vizite në qytetin e Gjakovës në Kosovë të enjten, ku u takua me anëtarë të Shoqatës së Personave të Zhdukur.
“Kjo është një çështje që duhet të mbetet e hapur – duhet të mbahet në tavolinë, derisa të mbyllet”, tha ai.
Që nga fundi i luftës së viteve 1990-të, Komisioni Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka vendosur kontakte mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, por progresi ka mbetur i ngadaltë.
Sidoqoftë, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, në dhjetor të vitit të shkuar, për të intensifikuar bashkëpunimin mes komisioneve të tyre përkatëse për personat e zhdukur.
“Shpresoj që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që shpresojmë ta arrijmë në këtë dialog [mes Prishtinës dhe Beogradit me mbështetjen e BE-së] do të ndihmojë të zgjidhë këtë çështje gjithashtu”, tha Zbogari.
Por, ai sugjeroi edhe se “është ndoshta më mirë t’i lihet fushës humanitare dhe të mos bëhet tepër politike”.
Disa nga familjet e të zhdukurve kanë shprehur irritimin se qeveria e Kosovës nuk ka rritur përpjekjet për të zgjidhur problemin, siç ka premtuar.
“Gjithmonë po prisni për diçka, por nuk e dini kurrë se për çfarë po prisni”, tha për BIRN-in, Myrvete Hoti-Kosumi, motra e Ukshin Hotit, politikan që u zhduk gjatë konfliktit.
Ajo tha se “shpresa është venitur se do të bëhet dicka për të zhdukurit”.
Komisioni për personat e zhdukur nga Prishtina dhe Beogradi u takuan dy herë gjatë vitit 2012, por afati kohor për takimet e ardhshme mbetet i paqartë.
“Mbi Beogradin duhet bërë më shumë presion”, argumentoi Prenk Gjetaj, shefi i komisionit të personave të zhdukur në Kosovë.
Gjetaj tha se ndërkohë, komisioni do të vazhdojë të mbledhë të dhëna për varret masive para se të fillojnë sërish gërmimet në pranverë.
Por, nga 36 lokacionet ku ishin planifikuar të bëheshin gërmime gjatë vitit 2012, vetëm 19 u bënë, pjesërisht për shkaqe sigurie.
“Ka disa probleme në lidhje me disa lokacione në pjesën veriore të Kosovës. EULEX-i thotë se mungesa e sigurisë është arsyeja kryesore pse nuk mund të bëhen gërmime aty, porse kushtet mund të plotësohen nëse KFOR-i merret me këtë”, tha Gjetaj.