Foto: Facebook

Zbatim i lartë i rekomandimeve të Auditorit nga Hortikultura

Ndërmarrja Publike “Hortikultura” e ka përmirësuar opinionin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare, duke marrë opinion të kualifikuar. Ndryshe nga viti 2017, kur kishte marrë opinion të kundërt nga Auditori në lidhje me pasqyrat financiare, në vitin 2018, kjo ndërmarrje ka përmirësuar ka marrë opinion të kualifikuar.

Në vitin 2018, Auditori ka dhënë opinion të kualifikuar për “Hortikulturën” duke shtuar se Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, përveç disa çështjeve, paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale. Në vitin 2018 “Hortikultura” ka pranuar 14 rekomandime, 5 më pak se në vitin paraprak.

Përkundër numrit të madh të rekomandimeve, Auditori ka konstatuar se kjo ndërmarrje kishte një zbatim të lartë të rekomandimeve krahasuar me mesataren e zbatimit të rekomandimeve në Kosovë që është vetëm 39%. Në vitin 2017, “Hortikultura” kishte pranuar 19 rekomandime nga Auditori, prej të cilave i kishte zbatuar 13 rekomandime, apo 68% të tyre. Ndërsa, 3 rekomandime i kishte zbatuar pjesërisht dhe vetëm 3 rekomandime nuk i kishte zbatuar.

Kjo ndërmarrje në vitin 2017 kishte pranuar opinion të kundërt, pasi Auditori kishte konstatuar se Ndërmarrja Publike “Hortikultura”, në të cilën është aksionar Komuna e Prishtinës, nuk ka paraqitur një pasqyrë të vërtetë financiare për vitin 2017.

Auditori ka gjetur një varg shkeljesh brenda kësaj ndërmarrje, duke përfshirë keqmenaxhim të parasë publike. Të gjitha këto kanë qenë bazë për një opinion të kundërt nga Auditori.

“Pasqyrat vjetore financiare për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje i ka ndërruar numrat e financave për t’i barazuar numrat në kontabilitet. Fitimet e mbajtura reale ishin për 28 mijë e 418 euro më të ulëta se sa ato që janë prezantuar në Pasqyrat Financiare Vjetore.

Parregullsitë në prokurim

Në dy raportet e fundit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në ndërmarrjen “Hortikultura” janë evidentuar probleme në fushën e prokurimit. Përderisa në vitin 2017 “Hortikultura” kishte blerë mallra pa procedura të prokurimit, në vitin 2018, e njëjta ndërmarrje ka shmangur procedurat e prokurimit në disa prej blerjeve nën 1 mijë euro.

Ndërmarrjet Publike me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve kanë për obligim që të respektojnë të gjitha procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Për furnizime me material higjenik, ndërmarrja në vitin 2017 nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit, mirëpo furnizimet ishin realizuar pa kontratë.

Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së planifikimit të duhur. Më tej, blerjet e bëra duke mos u mbështetur në kontratë dhe pa proces formal të pranimit nuk japin siguri për ndodhjen dhe saktësinë e shpenzimeve.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që blerjet e mallrave dhe shërbimeve bëhen në harmoni të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik në mënyrë që të shmanget diskriminimi apo favorizimi i operatorëve ekonomik dhe të sigurohet shfrytëzimi efikas i fondeve publike”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2017.

Sa i përket tenderëve, në vitin 2017 janë gjetur parregullsi edhe gjatë hapjes së një tenderi në ndërmarrjen publike “Hortikultuara”.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që në procesin e hapjes së tenderëve të jenë të përfshirë personat përgjegjës dhe të caktuar me anë të vendimit. Në rast të pamundësisë së zbatimit të vendimit, duhet t’i reflektoj ndryshimet përmes shfuqizimit dhe aprovimit të vendimit tjetër”, potencohet në raportin e auditimit. Ky rekomandim është zbatuar gjatë vitit 2018.

Por, në raportin e vitit 2018, Auditori kishte gjetur dobësi të tjera në fushën e prokurimit, meqë kjo ndërmarrje kishte shmangur procedurat e prokurimit në disa prej blerjeve nën 1 mijë euro.

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit të Prokurimit Publik, Autoriteti Kontraktues mund ta përdorë procedurën me vlerë minimale për çdo kontratë publike vlera e përllogaritur e të cilës është më pak se 1 mijë euro.

Me dhënien e porosive për blerje në lidhje me prokurimin me vlerë minimale, Autoriteti Kontraktues do të sigurojë një konkurrim efektiv, transparencë dhe efektivitet të lartë të përdorimit të fondeve publike. Gjatë testimit të 19 mostrave, në 12 prej tyre Auditori ka gjetur se ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimit.

Prej tyre 9 mostra ishin furnizime me mobile dhe inventar për zyre dhe 3 raste të tjera pajisje të teknologjisë informative. Vlera totale e furnizimeve për mobile dhe inventar për zyre sipas faturimit është 860 euro, ndërsa vlera e pajisjeve të teknologjisë informative ishte 1,085 euro.

Këto furnizime kanë qenë të planifikuara, por sipas zyrtarit të prokurimit nuk janë zhvilluar procedura të prokurimit për shkak se mobilet dhe pajisjet tjera janë blerë të kualitetit më të mirë nga operatori i përzgjedhur sesa nëse do të bliheshin përmes prokurimit.

Sipas Auditorit, blerja e mobilieve dhe pajisjeve tjera duke anashkaluar procedurat e prokurimit ka ndikuar në favorizimin e një operatori të caktuar ekonomik dhe ka dëmtuar konkurrencën e lirë dhe transparencën.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se të gjitha blerjet që i nevojiten ndërmarrjes të planifikohen dhe pastaj të realizohen përmes procedurave adekuate të prokurimit duke pas parasysh konkurrencë e lirë dhe transparencën për të arritur vlerën e shtuar për para”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

4 vjet pa Komision të auditimit

Auditori ka gjetur se Ndërmarrja Publike “Hortikultura”, në të cilën është aksionare Komuna e Prishtinës nuk ka pasur Komision të auditimit nga viti 2014 deri në shtator të vitit 2018.

Për katër vjet me radhë “Hortikultura” ka qenë pa Bord të drejtorëve dhe pa Komision të auditimit.

Sipas Ligjit për ndërmarrje publike, kërkohet që ndërmarrja të ketë komisionin e auditimit i cili ka autorizimet e veta që burojnë nga ligji për miratimin e planeve dhe mbikëqyrjen e punëve të Njësisë për Auditim të Brendshëm.

Në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet se mungesa e Bordit dhe Komisionit të auditimit ka reflektuar, përveç tjerash, tek rishikimi dhe miratimi i planeve vjetore të auditimit të brendshëm.

“Megjithatë, auditori i brendshëm kishte hartuar planet e auditimit duke bërë përpjekje të bazohet në rreziqet që i ka ndërmarrja, mirëpo këto plane ishin të pa miratuara nga komisioni i auditimit”, thuhet në raport.

Në mungesë të Komisionit, dhe raportet e auditimit të brendshëm kishin mbetur pa u shqyrtuar. Komisioni i aksionarëve e kishte themeluar Komisionin e auditimit në shtator 2018.

Sipas Auditorit, mungesa e gjatë e formimit të bordit të drejtorëve dhe e komisionit të auditimit kishte ndikuar në dobësimin e kontrolleve të brendshme dhe në adresimin e përgjegjësive lidhur me menaxhimin financiar dhe kontrollin.

“Kryesuesi i Bordit për të arritur përfitimin maksimal nga aktiviteti i auditimit të brendshëm, përmes komisionit të auditimit duhet të rishikoj në mënyrë kritike planet e auditimit të brendshëm për të konfirmuar se ato bazohen në rrezik dhe që përfshijnë edhe aktivitetet e vitit aktual. Po ashtu, të gjitha raportet e auditorit të brendshëm të shqyrtohen dhe merren veprimet konkrete për adresimin e rekomandimeve për t’i ndihmuar menaxhmentit të ndërmarrjes në arritjen e qëllimeve dhe objektivave të saj”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Mos prezantim i saktë i detyrimeve  

Në vitin 2017 Auditori kishte gjetur se “Hortikultura” nuk i kishte prezantuar saktë detyrimet në pasqyrat financiare. Kurse në vitin 2018, shënimet shpjeguese te pasqyrat financiare nuk ishin të plota.

Në raportin e vitit 2017, është vërejtur se llogaritë e pagueshme të prezantuara në PFV ishin nënvlerësuar për 1,322 euro, ndërsa obligimet rrjedhëse në vlerë 766 euro nuk ishin prezantuar fare në PFV.

Me tej edhe pse në PFV obligimet për tatime dhe kontribute ishin prezantuar saktë, në shënimet kontabël këto obligime ekzistojnë në vlerë prej 30,253 euro. Po ashtu, në shënimet kontabël figurojnë obligime ndaj punëtorëve në vlerë prej 8,081 euro, mirëpo realisht ndërmarrja gjatë vitit kishte paguar të gjitha obligimet ndaj punëtorëve.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që janë marrë veprimet e nevojshme për t’i korrigjuar shënimet kontabël dhe të siguroj prezantim të saktë në PFV”, thuhet në rekomandimin e vitit 2017.

Kurse në vitin 2018, Auditori ka gjetur se te detyrimet tatimore shuma e prezantuar prej 9,389€ si obligim i tatimit në fitim nuk korrespondonte me shënimet e ATK-se pasi që shuma e cila është llogaritur në bazë të shënimeve të ATK-së është 8,930€.

“Që do të thotë se kemi një mbivlerësim të obligimeve për 459€. Ne nuk kemi gjetur ndonjë shënim shpjegues tjetër për të vërtetuar gabimin e llogaritur nga Hortikultura”, thuhet në raportin e vitit 2018.

Gjithashtu, Auditori ka potencuar se në pasqyrat financiare të viti 2018 janë prezantuar zërat për kapital themelues në shumë prej 121,727€, por mungojnë të dhënat krahasuese për vitin 2017.

Te zotimet dhe kontingjentet, Auditori ka thënë se është dhënë një përshkim se ndërmarrja nuk ka detyrime kontingjente në dy vitet e fundit. Ndërsa në raportet e tremujorit të dytë është përmendur së në ketë periudhe janë zhvilluar dy seanca për lëndë penale dhe një për lëndë civile, të cilat ndërmarrja nuk i ka prezantuar në shënimet shpjeguese të PFV-ve. Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak të mos kujdesit dhe rishikimit të duhur gjatë përgatitjes së shënimeve shpjeguese.

“Kryesuesi Bordit duhet të siguroj se shënimet shpjeguese kanë një rol të veçantë dhe japin informata të mjaftueshme për të gjithë zërat, përfshirë zërat e obligimeve tatimore dhe detyrimeve kontingjente si dhe të sigurojë paraqitjen e të dhënave krahasuese për kapitalin themelues”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

14.5 mijë euro pa bazë ligjore për punëtorët

Auditori ka gjetur se kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Hortikultura” ka aprovuar kërkesat e punëtorëve për avance në vlerë prej 14,489.00 mijë euro në vitin 2018.

Kryeshefi ekzekutiv kishte aprovuar kërkesat e punëtorëve për avance në shumë prej 50 euro e deri në 100 euro në të gatshme. Sipas librit kryesor për vitin 2018 janë dhënë avance në vlerë 15 mijë euro.

Në raportin e auditimit thuhet se për aprovimin e kërkesave të punëtorëve për pranimin e avancave, duhet të ketë një politikë apo udhëzim të brendshëm ku do të përcaktohen vlerat e avanceve dhe kriteret e dhënies.

Auditori ka konstatuar se Ndërmarrja Publike “Hortikultura” nuk kishte një bazë ligjore apo politikë të shkruar për dhënien e avancave ndaj punëtoreve.

“Kjo ka ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte bord të drejtorëve nga viti 2013 deri në shtator 2018”, vazhdon raporti.

Më tej Auditori ka thënë se dhënia e avanceve ndaj punëtorëve, përveç së është e pa bazë ligjore, mund të ketë si rrezik mos kthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes.

“Kryesuesi i Bordit duhet të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e dhënies së avancave ndaj punëtoreve pa bazë ligjore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Bordi ka marrë 1,700 euro pa miratimin e Komunës së Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Bordi i Ndërmarrjes Publike “Hortikultura” ka marrë 1,700 euro në vitin 2018 pa miratimin e aksionarit të kësaj ndërmarrje që është Komuna e Prishtinës.

Sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike, honorari themelor për drejtorët e Ndërmarrjes Publike përcaktohet me një vendim të komisionit përkatës Komunal të Aksionarëve. Po ashtu, me ligj parashihet që “NP është përgjegjëse për pagesën dhe kompensimin për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me vendimin e aksionarit. Drejtorët e NP nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga NP”.

Mirëpo, gjatë rishikimit të pagesave për Bordin e Drejtorëve të NP ‘Hortikultura’, është vërejtur se janë bërë pagesa në kundërshtim me nenin në fjalë, për kompensim të honorarëve nga 50 euro për çdo mbledhje të mbajtur shtesë, përveç asaj që është caktuar nga aksionari.

Pagesat e tilla për mbledhjet e mbajtura për muajt nëntor/dhjetor 2018 arrijnë totalin 1,700 euro për katër anëtarët e bordit. Pagesat janë ekzekutuar sipas vendimit të datës 30 nëntor 2018, i nxjerrë nga Komisioni i Auditimit dhe pa miratimin paraprak të aksionarit.

“Këto pagesa janë bërë për shkak të punës së tyre shtesë, për hartimin e rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, pagesa të tilla në kundërshtim me ligjin si dhe ekzekutimi i vendimeve për pagesa shtesë pa aprovimin e aksionarit rrit rrezikun e menaxhimit jo të duhur të mjeteve financiare të Ndërmarrjes.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se vendimi për kompensimin e punëve shtesë të anëtarëve të bordit paraprakisht të jetë miratuar nga Aksionari, në të kundërtën të mos bëhen pagesa tjera përveç atyre që u takojnë si kompensime të rregullta”, theksohet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Pasqyrat financiare për herë të parë në vitin 2017 janë audituar nga ZKA, ndërsa më herët janë audituar nga auditorë të jashtëm privat.