Zafir Berisha

Arsyetuesi i armëve

Kandidati i Bashkimit Demokratik për Prizrenin, Zafir Berisha dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës me këtë parti në legjislaturën e tretë (2007-2010), edhe pse braktisi partinë në pushtet në vitin 2010, me gruan e tij u njoh pikërisht në ndërtesën prizrenase të kësaj partie. 

Brikena Berisha, gruaja e Zafirit, teksa foli për të mirat e të këqijat e burrit të saj, tregoi se me të është njoftuar në zyrat e PDK-së, ku tha se punonte si administratore. 

Berisha tha se ka ndërruar parti, për t’i avancuar vlerat që sipas tij po i mungojnë partisë që braktisi para tre vjetësh. 

Njeriu që në vitin 2007, edhe pse ishte kryetar dege, nuk u përzgjodh nga ish-partia për kryetar të Prizrenit, ndërsa loboi për tash rivalin, Ramadan Muja, duke u larguar pastaj pikërisht për pakënaqësitë me ndërhyrjet nga qendra dhe mënyra se si Muja ndërtoi administratën komunale kur u bë kryetar, kur la PDK-në, u kërkoi falje prizrenasve që ua kërkoi votën për Ramadan Mujën. 

Kur u pyet pse debatit të Zgjedhjet Lokale 2013, po i mungon Ramadan Muja, Berisha përgjigjen e pati në majë të gjuhës, ndërsa foli si prej grykës së pushkës. 

“Për me ardhë në debat duhet me ditë çka me thanë. Duhet me pasë nifarë trimnie e burrnie me u përballu me qytetarët e Prizrenit”, tha Berisha. 

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Vërrinit, në Brigadën 125, i ardhur në luftë nga Gjermania, ku kishte fituar azil si i përndjekur politik, i kohës së regjimit të Millosheviqit, e arsyetoi bashkëpartiakun e tij Isa Berisha, të cilit i është gjetur një revole, në qendrën e votimit, në shkollën “Fadil Hisari”  në lagjen Tusus, gjatë zgjedhjeve të kaluara. 

Atëherë Zafiri ishte në PDK, ndërsa shoferi i tij Isa Berisha qe dënuar me 4 mijë euro gjobë dhe pesë vjet mospjesëmarrje në zgjedhje, nga paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi ishte vëzhgues zgjedhjesh. 

“Ai ka mbajt revole si fëmijë, po ashtu ka qenë në luftë me mua”, tha për Isën, Zafiri, duke ironizuar se mbajtja e revoles është bërë për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë e jo në Suedi. Më tutje, ai tha se “deri më tre nëntor është normale me pas armë rreth vetes”, teksa shtoi se pasi i ka hyrë politikës, vetë nuk mban armë, por një armë duhet të jetë gjithmonë dhjetë metra larg vendit ku ai rri. 

Kur u zu ngushtë pse mendon kështu, Zafiri tha se në Kosovë nuk ka ligj, ndërsa ua kërkoi prizrenasve votën për subjektin e tij për mbizotërim të rendit e ligjit, duke thënë se edhe për të çështja e mbajtjes së armëve është e dhimbshme. 

Kandidati, për të cilin bashkëshortja e tij tha se nga ushqimet më së shumti i pëlqejnë specat djegës, në momente të caktuara gjatë debatit ishte i papërmbajtshëm e temperament. 

I pyetur pse është kritikues i ashpër i pushtetit të Ramadan Mujës, ai u përgjigj se është kritikues i të gjitha pushteteve, duke thënë se “as Eqa nuk ka kaluar më mirë”. 

Eqa është emri përkëdhelës për Eqrem Kryeziun, kryetarin e Prizrenit, në periudhën 2000-2007. 

Zafir Berisha që arsyetoi mbajtjen e armëve në vendvotime, gjatë debatit të nëntë tetorit në Prizren, u pyet nëse do të flasë njësoj edhe për kulturën dhe trashëgiminë historike të Prizrenit. 

Ai tha se Shatërvanit do t’ia kthejë krenarinë, duke ndërtuar dy parkingje për vizituesit ditorë, ndërsa premtoi drejtori të kulturës që do të udheheqej nga një bord i organizatave joqeveritare që merren me aktivitete kulturore. 

“Nuk nënkupton kulturë, me dalë me recitu vjersha në Shatërvan, por kultura nënkupton bashkëpunim mes të gjithë mekanizmave kulturorë të Prizrenit”, tha Berisha, duke shtuar se ka ditur të flasë edhe me pushkë kur ka qenë koha, ndërsa di të flasë edhe për të gjitha sfidat e prizrenasve. 

Politikanin që pas luftës, nuk u zbriti xhipave, duke pasur një Tojota, pastaj Landrover dhe tash një BMW X5, ata që e njohin që kur ishte fëmijë, e konsiderojnë shumë të guximshëm. 

“Ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm, por dhe shumë guximtar, ka dalluar nga të tjerët për guximin, ka qenë shumë i lëvizshëm si nxënës, nuk e ka pas problem me u pri të tjerëve për ndonjë problem”, thotë Hajredin Shala, mësuesi i Zafirit.

Shala tregon edhe një rast që e lidhë me Zafirin. 

Thotë se në moshën dymbëdhjetëvjeçare  kur Zafiri ishte në klasën e VI-të, u përjashtua nga shkolla, duke u konsideruar si armik i bashkim-vllaznimit, sepse ai së bashku me disa shokë, shkroi parullën Kosova Republikë. 

Ishte viti 1981, kur nëpër demonstrata që shtypeshin dhunshëm, nga pjesëmarrësit e tyre po kërkohej shteti i Kosovës. 

“Për mua, ka qenë shumë e vështirë të më përjashtohet nxënësi”, kujton mësuesi Shala, derisa gruaja e Zafirit, Brikena, thotë se një jetë të tërë burri i saj e kaloi në shërbim të vendit.