Ylli Isufi
”Gilangjia”
Ylli Isufi, kandidati i pavarur që synon karrigen e kryetarit të Gjilanit, dëshiron që këtë qytet t’ua kthejë banorëve të tij, që ai të jetë vetëm i “gilangjive”, si tha vetë në Emisionin Jeta në Komunë.
Ai iu drejtua bashkëqytetarëve me fjalët se jeton këtu e bashkë me ta, e di si frymojnë, ndërsa nëse fiton nuk do t’i qeverisë nga Prishtina, siç tha që bëjnë rivalët e tij të lidhur me parti politike.
Për këtë edhe kandidon si i pavarur, që të mos ketë mbështetje nga subjektet politike, megjithëse ka vetëm tridhjetë vjet.
Isufi që në vitin 2008 diplomoi në Fakultetin e Shkencave Kriminalistike të AAB-së, ndërsa sivjet kreu studimet pas-diplomike në degën e Studimeve Europiane, synon që përveçse ta qeverisë Gjilanin, të përmirësojë edhe padrejtësitë historike.
Në debatin e 16 tetorit për Gjilanin Isufi shkoi larg kur tha se do t’i kthejë 700 vendbanimet e vjedhura nga pushtuesi, duke e pasur fjalën për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, në dimrin e vitit 1877 dhe verën e vitit vijues.
Në atë kohë kur Perandoria Osmane ishte në shthurje e sipër, forcat serbe të mbështetura nga Rusia, zbrazën një hapësirë të madhe banimi nga popullata joserbe. Shumica e të dëbuarve ishin shqiptarë.
Kur u kthye në realitetin e tashëm komunal, Isufi nuk pati përgjigje në pyetjet konkrete, por foli kundër keqpërdorimeve të qeverisjes aktuale që sikur të mos ishin, do ta lejonin zhvillimin.
Nga një ish-zyrtar për dokumente në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai është shndërruar në politikan.
Ai nuk pranoi që gazetarët e Jetës në Komunë t’i xhirojnë ambientet familjare të tij, me arsyetimin se nuk dëshiron t’i dëshpërojë bashkëvendësit me pamjet nga shtëpia e tij, e standardit të lartë.
Ofroi që e ëma e tij të flasë për të nga ndonjë ambiente tjetër, nga shtëpia e motrës së saj, për ta ruajtur “shëndetin” e “gillangjive”.
I pyetur nga Jeta Xharra gjatë debatit: çfarë shtëpie ke që nuk na le të xhirojmë?, Isufi tha se shtëpia e tij është katërkatëshe, duke treguar edhe me gishtërinj katet e saj.
Por ai u kujdes që nëna e tij të jetë në qendër të vëmendjes në publik, fare pranë moderatores.
Shoqëria e tij Yllin e përshkruan si një djalë qejfli, që i frikësohet dhe e nderon shumë nënën e tij Qamile Isufin. Madje tregojnë se derisa është duke qëndruar në kafene dhe merr telefonatë nga nëna e tij, Ylli lë shoqërinë dhe shkon menjëherë tek ajo.
Në jetën e përditshme ai ka dëshirë të duket bukur dhe të kujdeset për rroba. Miqtë e tij tregojnë se ai akoma i ruan me fanatizëm rrobat që i kishte veshur për mbrëmjen e maturës.
Ushqimi: pitet, flijat
Pija: makiato e madhe e rëndë
Sporti: Futbolli
Futbollisti: Xherdan Shaqiri
Pseudonimi: Ylli i Madh dhe Komandanti