YanukovychLeaks: Gazetarët Ukrainas Krijojnë Histori

Kjo patundshmëri është e njohur mjaft mirë prej anës së medias si një lokacion i paqasshëm- gazetarët në fakt nuk kanë shkelur kurrë më larg se 300 metra nga porta hyrëse e oborrit. 

Edhe në rast të marrëdhënieve solide me Yanukovych-in, përfaqësuesve të mediave u është lejuar vetëm afrimi deri te porta kryesore në ditën e gazetarisë, edhe atë vetëm për të pranuar ëmbëlsira.

Ndërkaq tani një numër i madh i aktivistëve nga opozita vizituan këtë objekt për të dokumentuar korrupsionin, i cili bashkë me dokumente ishte duke u fundosur në rezervuarin e ujit. Dikush kishte njoftuar zhytësit, të cilët filluan të rikthenin shumë dokumente prej fundit të liqenit. 

Reporteri Dmytro Gnap prej Slidstvoç TV Hromadske, Vlad Lavrov prej The Kyiv Post dhe Oksana Kovalenko përfaqësuese e Ukrainska Pravda-s ishin gazetarët e parë prezent në këtë ndodhi.  

Ata nuk u larguan prej aty përgjatë gjithë fundjavës.

Aty u gjetën dhjetëra- mijëra dokumente. Llogari të ndryshme prej miliona dollarësh para të gatshme. Shuma luksoze të harxhuara në të mira materiale si dhe kafshë ekzotike. Dosje të investimeve të Yanukovich-it. Si dhe një listë e zezë  me media lokale.

Gnap, Lavrov dhe Kovalenko shumë shpejt kuptuan se këto dokumente nuk ishin vetëm një material ekskluziv, por gjithashtu u kanosej rreziku i shkatërrimit, konfiskimit, ose vjedhjes. 

Shumica e tyre kishin ngecur në gypat e ujit. Një pjesë e tyre ishin djegur, duke përfshirë këtu dhe atë që gazetarët e cilësuan të ishte lista e patundshmërive personale të Yanukovych-it. 

Gjendja u tensionua më tepër, ngaqë askush nuk e dinte sa kohë do u duhej gazetarëve për të qëndruar në këtë objekt, ndërsa në çdo moment forcat e qeverisë mund të shfaqeshin aty.

Në ndërkohë, gazetarët bënë diçka të hatashme. Ata u morën vesh që të bashkëpunonin ndërmjet veti duke u dakorduar që fillimisht t’i sigurojnë [dokumentet] e pastaj t’i raportojnë.  Kjo natyrisht që nuk paraqiste një vendim të lehtë. 

Megjithatë, ishte e qartë se nëse nuk vepronin kështu, dosje kritike të historisë së shtetit të tyre do të humbin. Vendi i ngjarjes në ndërkohë ishte duke u mbushur me gazetarë të cilët dëshironin të grabisnin ndonjë storje dhe të lëshonin hapësirat e pallatit presidencial. 

Përkundrazi, ndodhi që grupit iu bashkuan edhe një grusht gazetarësh që reflektonin njëjtë, si Anna Babinets nga Slidstvoç TV Hromadske;  Oleksandr Akymenko, Katya Gorchinska dhe Vlad Lavrov përfaqësues të  Kyiv Post.  Natalie Sedletska, një gazetare e Radio Free Europe ishte kthyer nga Praga për të ndihmuar.

Lavrov, një hulumtues eminent kishte ardhur në konkludim se këtij ekipi i duhej më tepër ndihmë. Ai kërkoi ndihmë prej OCCRP -Organized Crime and Corruption Reporting Project që paraqet një konzorcium të qendrave hulumtuese që nga Evropa deri në Azinë Qendrore. 

Lavrov shërben si redaktor regjional për këtë konzorcium.  Ai po ashtu kërkoi ndihmë prej redaktorëve në Bosnjë. Ky ekip kërkoi dhe gazetarin veteran Oleg Khomenok, një trajner hulumtues me dy OJQ mediatike, Inernews dhe Scoop. 

Khomenok nuk ngurroi dhe nxitoi në vend me një laptop dhe u dakordua të vepronte si një koordinator i logjistikës. Nga ana tjetër, dikush kishte thirrur arkivin e shtetit dhe kishte siguruar një llambë speciale për t’i tharë dokumentet.

Pjesa më e madhe e fundjavës kishte kaluar duke “peshkuar” dokumentet dhe duke i tharë ato. Gazetarët më pas kuptuan se nëse gypat e ujit nuk do të ishin të ndarë dhe të thatë, dokumentet do të ishin shndërruar në një masë balte dhe kështu nuk do ekzistonte mundësia e rikuperimit të tyre. 

Ky ekip gazetarësh mori një anije, u shpërnda natën e parë, e ditën e nesërme u zhvendos në shtëpinë luksoze të mysafirëve për të vendosur dhe tharë më tepër dokumente. Në këtë mënyrë këto vende u shndërruan në zyrat qendrore të tyre. Për të dëshmuar seriozitetin e punës së tyre, jashtë objektit kishin vendosur një pankartë që thoshte: “Gazetari hulumtuese në proces- mos na shqetësoni”.


Tharje dhe klasifikim: Gazetarët në kompleksin luksoz Yanukovych | Foto: Kyiv Post © Pavel Podufalov

Lavrov shijonte këtë akt duke theksuar atë që simbolizon. “Kjo shtëpi e mysafirëve ishte vendi më i mbyllur në Ukrainë, e ndoshta dhe në gjithë Evropën Lindore”, shpjegonte ai.

“Ishte vendi ku Vladimir Putin qëndroi si mysafir, e sot u shndërrua në një qendër hulumtuese prej gazetarëve dhe vullnetarëve që kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë. A e imagjinoni dot? Nëse dikush, para një jave, do më thoshte se një gjë e tillë do ndodhte, unë do e konsideroja atë person të çmendur”, shtoi Lavrov.

Në një moment të caktuar, më shumë se 50 persona ishin duke ndihmuar. Ushqime, vozitje dhe të mira tjera të domosdoshme, ishin siguruar në mënyrë konstante prej njerëzve që mbështesnin këtë punë. 

Gazetarët në mënyrë sistematike u detyruan që të ndajnë, thajnë dhe fotokopjojnë secilën faqe të dokumenteve. Në ndërkohë, secila trokitje në dyert e objektit alarmonte ata, meqë në çdo moment pritej të vinte policia për ta larguar brigadën e qytetarëve që po qëndronin jashtë. 

Protestues të armatosur kishin arritur për të siguruar këtë objekt. Negociatat mes protestuesve dhe zyrtarëve të qeverisë kishin rezultuar me një ambient të paqëndrueshëm. Në momentet e qetësisë, gazetarët lexonin- jo për të përpiluar artikuj, por për ta analizuar domethënien e dokumenteve. 

Ditën e hënë, ata shkuan në Suholucchya, një klub i gjuetisë i frekuentuar prej miqve të Yanukovych-it si dhe u drejtuan në Honka, shtëpinë kryesore të ish-presidentit. Procesi është në vazhdimin e sipër.

Ndërkaq, disa orë pasi Lavrov kishte informuar stafin teknik të OCCRP-së në Bosnjë, Dan O’Huiginn dhe Adem Kuriq, filluan të dizajnonin një ueb-faqe duke përgatitur një vend ku do të lokalizoheshin dokumentet. 

Deri ditën e hënë ishin bërë kërkesa prej gazetarëve tjerë për t’i shpalosur të gjitha dokumentet. 

Në këtë periudhë tensionuese që tani më karakterizon Ukrainën një kohë të gjatë, konspiracionet formohen lehtësisht. Për të demonstruar transparencën e tyre, gazetarët nisën publikimin e dokumenteve të gjetur.  Deri të mërkurën, gati 2000 dokumente, nga një sasi prej 50,000 dokumentesh sa vlerësohet se janë, u postan në ueb-faqe.  Shumë të tjera janë duke u postuar me kalimin e orëve.

Ueb faqja e re është: www.yanukovychleaks.org 

Edhe pse këto dokumente u postuan me një shpejtësi të madhe, ky grup i gazetarëve e dinte që shumica e mediave do të injoronin storjet më kruciale dhe nuk do të gërmonin thellë për lajme.  Ata vendosën të krijojnë një ekip prej 10 personave me qëllim të vendosjes së storjeve më kryesore- storje për të cilat nevojiten javë për t’u kompletuar dhe raportuar.  

Ukraina është, në shumë mënyra, një vend ideal për këtë ndodhi. Ajo karakterizohet me një media luftarake, e cila ka pasur aftësi të mprehta me vite si rezultat i raportimit të sekreteve qeveritare dhe korrupsionit. 

Në 20 vjetët e fundit, media ukrainase ka ndërtuar një traditë impresionuese të gazetarisë hulumtuese. Disa qendra të vogla hulumtuese janë ende aktive dhe të mbështetura prej grupeve si Regional Press Developent Institute dhe donatorëve perëndimorë. 

Media e pavarur e Ukrainës ka organizuar Konferencën e 7 Investigative për Gazetari Hulumtuese në vitin 2011, duke mbledhur kështu rreth 500 gazetarë prej 75 shteteve në zemër të Kievit.

“Media guximtare e Ukrainës është e natyrshme kur bëhet fjalë për raportimin hulumtues”, tha David Kaplan, drejtor i Global Investigative Jorunalism Network. “Atë që po shihni është rezultat i shumë viteve të trajnimit dhe raportimit në kushte të vështira”, shtoi ai. 

Gazetarët tani do të zëvëndësojnë punën e tyre – nga gjetja dhe ruajtja e dokumenteve në raportimin e tyre. Ata kanë ende punë për të bërë. Megjithatë, ata kanë në duar një grumbull voluminoz të dokumenteve si dhe një ironi të mrekullueshme.

“Tani jemi duke okupuar korrupsionin e Yanukovych-it dhe duke hulumtuar shkeljet e tij”, tha Lavrov. “Dhe kjo… është madhështore”, shtoi ai. 

Përgatiti: Erlina Tafa