Ilustrimi: Pixabay

‘Xhihadistët e rrjeteve sociale’ në Ballkan më të rrezikshëm se ish-luftëtarët

Shqetësimi në Ballkan që prej rënies së kalifatit të Shtetit Islamik është fokusuar në kërcënimin e paraqitur nga luftëtarët që janë kthyer. Por ekspertët thonë që ata që luftojnë online janë një rrezik më i madh.

 

Që kur Shteti Islamik e humbi kalifatin e vetëshpallur në fund të vitit të kaluar dhe “kalifin” e tij në tetor, shqetësimi në Ballkan është përqendruar në perspektivën e qindra luftëtarëve të huaj nga rajoni që kthehen në shtëpi, të forcuar nga beteja dhe një kërcënim për sigurinë.

Ekspertët, megjithatë, thonë që një grup tjetër paraqet një rrezik të madh: mijëra simpatizantë të ISIS-it që nuk u larguan kurrë.

ISIS-i mund të jetë i gjunjëzuar në Lindjen e Mesme, por përkrahja për ideologjinë e tij nuk është zvogëluar midis shqipëtarëve të radikalizuar të Ballkanit, ku përkrahja nga rrjetet sociale për propagandën e ISIS-it dhe imamët që e shpërndajnë fjalën e tij mbetet “e rëndësishme”.

Këta ekspertë thonë që autoritetet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut kanë nevojë të vendosin programe të deradikalizimit që targetojnë jo vetëm luftëtarët e huaj të kthyer por edhe “xhihadistët e mediave sociale” të cilët ndajnë bindjet e tyre ideologjike por që kurrë nuk i kapën armët.

Këto programe kushtojnë, dhe do t’u duhet ndihmë nga jashtë, paralajmërojnë ata.

“Luftëtarët e huaj janë vetëm manifestimi më i dukshëm i një problemi më të madh me terrorizmin në Ballkan”, tha studiuesi dhe konsulenti i politikës së jashtme dhe sigurisë me seli në Uashington, Adrian Shtuni.

“Problemi përfshin një kontingjent të fortë të “xhihadistëve të mediave sociale” shumë të përkushtuar, të cilët edhe pse nuk kanë qenë në Siri dhe Irak, mbështesin dhe shpërndajnë në mënyrë aktive ideologjinë e ISIS dhe Al Kaida, nxisin dhunë terroriste, radikalizëm, rekrutim, dhe madje komplotojnë sulme terroriste në internet”, tha Shtuni për BIRN.

Gjatë Forumit të Rezistencës së Ballkanit Perëndimor të javës së kaluar, i organizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, IRI, në Sofje të Bullgarisë, BIRN foli me ministrat e brendshëm të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për numrin e shtetasve të tyre ende në kampe të ISIS-it dhe afatet e kthimit të tyre.

Ministri i brendshëm i Kosovës Ekrem Mustafa tha: “Ne kemi vështirësi për të identifikuar qytetarët e Kosovës që kanë mbetur atje sepse, pas humbjes së territorit që ISIS mbajti, njerëzit u shpërndanë në drejtime të ndryshme, kështuqë kalkulimet janë të vështira.  Megjithatë, unë mund të them që ne kemi një interes për t’i kthyer të gjithë ata, fëmijë, gra dhe burra, dhe t’i trajtojmë ata në bazë të kontributit të tyre në zonat e konfliktit”.

“Në dijen tonë, në kampet e Sirisë, ne kemi 12 gra dhe 6 fëmijë si dhe burra në zonat e konfliktit. Megjithatë, që nga muaji qershor i 2016 ne nuk kemi pasur as edhe një rast të njerëzve që kanë lënë vendin për t’u bashkangjitur ekstremistëve në zonat e konfliktit”, tha Oliver Spasovski, Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut.

“Ne kemi fëmijë që kanë lindur në zonat e konfliktit, prandaj unë nuk mund ta them numrin e saktë të njerëzve që janë momentalisht atje. Ne gjithashtu kemi problem me identifikimin dhe vërtetimin e rolit të tyre të kaluar në zonat e konfliktit. Prioriteti ynë është kthimi i fëmijëve dhe ne po bëjmë ҫdo përpjekje në këtë drejtim, megjithëse nuk kam një afat”, tha Romina Kuko nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë.

Luftëtarët e huaj të riatdhesuar tashmë janë të njohur për autoritetet, tha Skender Perteshi, hulumtues në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë, QKSS.

“Simpatizuesit e Shtetit Islamik ose terroristët e rritur në shtëpi do të paraqesin më shumë një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare sesa luftëtarët e huaj të kthyer, të cilët tashmë janë identifikuar nga autoritetet dhe aktivitetet e të cilëve monitorohen shpesh”, tha Perteshi për BIRN.

‘Gjurmë e rëndësishme e propagandës’

Studimi i vetë Shtunit sugjeron se rrjetet e propagandës pro-ISIS vazhdojnë të synojnë në mënyrë aktive audiencën shqipfolëse në internet, veçanërisht përmes platformave të mediave sociale dhe aplikacioneve të mesazheve të koduara.

Në një studim rreth propagandës terroriste në internet të kryer në tre muajt e parë të këtij viti, Shtuni identifikoi 27 kanale aktive Telegame në gjuhën shqipe ose faqe të operuara nga militantët dhe/ose luftëtarët e Shtetit Islamik, bashkëpunëtorië të al Kaidës, Hay’at Tahrir al -Sham ose mbështetës të përgjithshëm të xhihadit dhe 6,352 abonentë ose llogari që pasuan një prej më shumë prej tyre.

“Madhësia e gjurmës së propagandës terroriste të identifikuar nga ky vlerësim është e rëndësishme, duke marrë parasysh që ajo përqendrohej vetëm në një platformë të mesazheve sociale”, tha ai.

Në Facebook, që është i konsideruar si më pak i sigurtë, simpatizuesit e ISIS-it shpesh e kufizojnë veten për të postuar citime nga predikimet e dy imamëve radikalë në Maqedoni të Veriut dhe Kosovë dhe një imami të vetëshpallur në Shqipëri – Rexhep Memishi, Zekirija Qazimi dhe Genci Balla – të gjithë këta që vuajnë dënimet me burg për rekrutimin e luftëtarëve për ISIS.

Por më 20 nëntor, prokurorët specialë në Kosovë ngritën akuza për terrorizëm kundër luftëtarit të huaj të kthyer Fitim Lladrovci për një postim në Facebook në të cilin ai i lavdëroi bombat e koordinuara vetëvrasëse në Shri Lankë në prill, në të cilin vdiqën 259 njerëz.

Bedri Elezi, drejtor për studime të sigurisë në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare, i cili ka ndihmuar në riatdhesimin e familjeve të luftëtarëve shqiptarë të ISIS, tha se arrestimi i Lladrovcit dërgoi mesazhin se një veprimtari e tillë në mediat sociale nuk do të tolerohej.

“Ky mesazh i bëri mbështetësit e ISIS shumë të kujdesshëm në lidhje me ato që ata postojnë në internet”, tha ai.

Burime të pakta

Bazuar në raportet e mediave, informacionet e OJQ-ve dhe burimeve në terren, BIRN vlerëson se nga viti 2012 dhe 2014, rreth 660 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u bashkuan me grupet militante në Siri dhe Irak.

Kosova është njëra ndër vetëm disa vende që ka kërkuar të lehtësojë kthimin e organizuar të luftëtarëve të huaj dhe është duke u përpjekur të riintegrojë gratë dhe fëmijët e luftëtarëve. Por ekspertët vënë në dyshim nivelin e përpjekjeve të bëra në deradikalizim, veçanërisht në lidhje me ata persona që nuk u larguan kurrë.

Deri tani, Kosova ka rreth 240 të kthyer nga Siria dhe Iraku, nga të cilët më së paku 135 janë burra.

Sipas Shtunit, Kosova ka mbi 100 të kthyer, për një milion shtetas, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, për krahasim, kanë midis katër dhe gjashtë të kthyer për milion. Sidoqoftë, Kosova ka shumë më pak burime për t’u marrë me ta.

“Kjo pabarazi midis madhësisë së sfidës të përfaqësuar nga kthimi i luftëtarëve të huaj dhe mjeteve për të adresuar në mënyrë efektive, është e detyruar të krijojë një rrezik të konsiderueshëm dhe të vazhdueshëm të sigurisë në Ballkanin Perëndimor me implikime të mëtejshme”, paralajmëroi ai.

Shtuni tha se shtetet si Kosova do të kenë nevojë për bashkëpunim më të mirë rajonal kundër-terrorizmit dhe mbështetje të mekanizmave të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Dhe çdo program për të kthyerit duhet të adresojë mbështetësit e radikalizuar të ISIS-it që luftojnë edhe përmes mediave sociale.

“Në Kosovë, zona si Vitia, Kaҫaniku, Prizreni, Malisheva, Mitrovica dhe Prishtina kanë një komunitet thelbësor që ndikohet nga ideologjia e ISIS,” tha Elezi.

Perteshi tha se Kosova dukej se ishte përpara Maqedonisë së Veriut përsa i përket deradikalizimit, por do të duhej të bënte më shumë.

“Ky është një proces i gjatë dhe kërkon shumë përpjekje financiare dhe ekspertizë për zbatimin më të mirë të projekteve në lidhje me projektet e integrimit dhe rehabilitimit”, tha ai.