Xhemshit Krasniqi Del Sot Para Gjykatës

Zyra e Prokurorit të Shtetit konfirmoi sot se Policia e Kosovës të martën ka ekzekutuar një letër rreshtim kundër të arratisurit Xh.K, i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Krasniqi ka qenë epror i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Letër rreshtimi rrjedh nga një hetim i kryer nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës e EULEX-it (NJHKL), duke filluar në vitin 2009, nën udhëheqjen e  PSRK-së.  I dyshuari do të paraqitet sot në ora 14:30 para gjyqtarit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës për seancën e paraburgimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ndaj arrestimit të Xhemshit Krasniqit kanë reaguar edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Në një reagim të lëshuar sot, OVL e UÇK-së thotë se është e indinjuar thellë për arrestimin e veteranit të luftës Xhemshit Krasniqi dhe keqtrajtimin e familjes së tij nga ana e Policisë.

“Ky arrestim është vazhdimësi e sulmeve kundër dinjitetit të veteranëve të luftës, bazuar në akuza qesharake dhe të paargumentuara, që vijnë nga ana e kolaboracionistëve”, thuhet në reagim.

Kjo organizatë u ka bërë thirrje bartësve të institucioneve të drejtësisë, “të merren me fajtorët e vërtetë, ata që terrorizuan popullin shqiptar të Kosovës me dekada dhe që kryen masakrat më të tmerrshme në fundshekullin e 20-të, deri në shkallën e gjenocidit”.

Nga ana tjetër, OVL e UÇK-së ka kërkuar përgjegjësi nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni për raportimet se policia ka përdorur dhunë gjatë arrestimit të Krasniqit.

“Askush në Kosovë nuk duhet të ketë guxim të e keqtrajtojë dikë, e më së paku ata që e kanë për detyrë sigurinë tonë”, thuhet në reagim.