X-i i Pabesueshëm për Mbrojtjen

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për Rastin Kleçka. Kryetari i panelit gjykues i njoftoi palët se në seancën e së martës do të jepeshin argumentet lidhur me pranueshmërinë e dëshmisë së dëshmitarit X.

Ai shtoi se të gjitha parashtresat e palëve që i janë dorëzuar këtij paneli, janë lexuar dhe nuk është e nevojshme që të deklarohen në seancë, por janë të lirë të deklarohen.

Avokati i Fatmir Limajt, Karim Khan, i propozoi gjykatës që fillimisht të japë fjalën e tij prokurori, e pastaj mbrojtja. Ai kërkoi nga gjykata që t’i dorëzohen mbrojtjes deklaratat e 9 dëshmitarëve të mundshëm, të propozuar nga prokurori dhe të mos vazhdohet me procedurën pa u marrë parasysh parashtresat e palës mbrojtëse. Khan iu referua kërkesës të datës 8 shkurt, për marrjen në pyetje të prokurorit në cilësinë e dëshmitarit.

Prokurori deklaroi se nuk e ka marrë aktvendimin e gjykatës lidhur me këtë kërkesë. Ai saktësoi se ka bërë kërkesë që gjykata t’i dëgjojë si dëshmitarë dhe emrat e tyre ia ka dhënë gjykatës.

Por kryetari i panelit gjykues deklaroi se nuk e vlerëson të nevojshme që në këtë fazë të procedurës të dëgjohet prokurori në cilësinë e dëshmitarit dhe shtoi se ndoshta kjo mund të jetë e nevojshme në ndonjë fazë të mëvonshme.

Avokati Khan kërkoi nga kryetari i panelit gjykues që për seancat e radhës ose të zgjatet kablloja e mikrofonave, edhe për avokatët, ose të sigurohet një mikrofon pa kabllo, ashtu që të bartet tek secili avokat. Po ashtu, ai kërkoi që avokatëve në fund të seancës t’iu jepet kopja e procesverbalit dhe pastaj të deklarohen rreth procesverbalit. Kryetari i panelit gjykues tha se do ta marrë parasysh këto kërkesa.

Shqyrtimi vazhdoi me argumentet e palës mbrojtëse, të cilët konsideruan se në këtë çështje ka pasur shkelje procedurale, duke filluar nga shkeljet që ka bërë gjykatësi i procedurës paraprake.

Sipas avokatëve, askush nuk mund të shpallet fajtor vetëm me deklaratën e një dëshmitari.

Avokati mbrojtës i Naser Krasniqit, Florin Vertopi, përmendi prova që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të dëshmitarit X, në të cilat thuhet se ai ka pasur një lloj skizofrenie dhe për këtë ka përdorur terapi. Prokurori dhe gjykatësi i procedurës paraprake, duke pasur këto prova, sipas tij, nuk kanë vepruar si duhet.

“Agim Zogaj te gjykatësi i procedurës paraprake ka përmendur se ka qenë dy herë te psikiatri dhe kjo nuk është verifikuar”, tha Vertopi, duke iu referuar dy fletëlëshimeve të spitaleve psikiatrike në Prizren dhe Prishtinë

Avokati theksoi se deklaratat e dëshmitarit X nuk janë të besueshme ngase ai kur është marrë në pyetje, në cilësinë e të pandehurit, ka qenë pa prezencën e avokatit. “Dhe në kohën kur ka qenë dëshmitar bashkëpunues ka mundur edhe të gënjejë, ngase ai nuk mund të japë betimin për shkak se edhe ai pritej të gjykohej”.

Sipas Vertopit, duke iu referuar letrës së fundit të dëshmitarit X, është e mundur që ai të ketë pasur edhe kërcënime, ta zëmë se do të ndiqej penalisht.

“Për shkak të shkeljeve të shumta procedurale, si nga prokurori ashtu edhe nga gjykatësi i procedurës paraprake dhe besueshmërisë së deklaratave të dëshmitarit X, këto prova duhet të hidhen poshtë si të papranueshme”.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e së martës përfundoi, ndërsa seanca e radhës vazhdon sot me fillim nga ora 10. Në këtë seancë pritet që avokati Florin Vertopi ta përfundojë fjalën e tij, e pastaj do të deklarohen avokatët e tjerë.

Me dakordimin e të gjithë avokatëve, e fundit do të deklarohet mbrojtja e Fatmir Limajt.

Në fund të seancës, avokati Khan propozoi që në seancat e radhës të ftohet dëshmitarja Ganimete Thaçi për t’u dëgjuar.

Pas pushimit të drekës, seanca do të vazhdonte në ora 13:30, por filloi në ora 15:00, ngase avokati Bajram Tmava ishe në një seancë tjetër dhe klienti i tij nuk ka pranuar që të angazhojë avokat zëvendësues.