Wesley Clark Kërkon Licencë për Naftë

Janë shumë rrugë në Kosovë që mbajnë emrin e tij e madje edhe një auto-shkollë, por gjenerali amerikan në pension Wesley Clark tani është duke kërkuar për të fuqizuar lidhjet e tij me shtetin që e nderon atë për rolin në luftën e Kosovës. 

Tani udhëheqës i firmës energjetike me seli në Kanada, Envidity, Clark po kthehet në Kosovë me një kërkesë për minerale, për të shpuar përgjatë regjionit të Dukagjinit, në rezervat e pazbuluara të thëngjillit, të cilat pastaj do t’i shndërroj në naftë sintetike.

Duke përdorur teknika pak të njohura – proceset e Gazifikimit Nëntokësor të Thëngjillit dhe Gazit të Kthyer në Lëng – firma shpreson se do të prodhojë deri në 100,000 barelë të naftës në ditë, ose 15 milionë litra. 

Ky operacion në Kosovë do të ishte më i madhi i këtij lloji në botë, dhe sipas Envidity, do të investohen 8 miliardë dollarë amerikanë në Kosovë. 

Firma po ashtu thotë se do ta bëjë Kosovën të pavarur në naftë dhe lëndë djegëse për aviacion përbrenda 6 e deri në 7 vitesh. 

Lënda djegëse sintetike – nafta dhe vajguri – mund të përdoren për të krijuar rrymë, plehra dhe në prodhim të plastikës. Lënda djegëse po ashtu është testuar me sukses nga Forcat Ajrore të SHBA-së për të ndezur aeroplanët luftarakë. 

Envidity, e cila ka degën e saj në Kosovë, Envidity Energy Kosova LLC, ka aplikuar në qeveri me 25 prill për licencë. Ajo ende nuk i është lëshuar.

“Pas marrjes së licencës për hulumtim, ne propozojmë të fillojmë me shpime të avancuara dhe teknologji sizmike për të përcaktuar se sa resurse të thëngjillit të reja ekzistojnë thellë në tokë, në zonën e Basenit të Dukagjinit”, Jeff Brook, shef ekzekutiv, ka shkruar në letrën e aplikimit, e cila ishte kopjuar edhe për kryesuesin e firmës, Wesley Clark, të cilën Gazeta Jeta në Kosovë e ka në dispozicion (shih dokumentin këtu).

“Hulumtimi ynë do të kryhet jashtë hapësirës e cila tashmë është identifikuar si një sipërfaqe e përshtatshme për minierë sipërfaqësore të thëngjillit”, thuhet në letër. 

“Për më tepër, ky hulumtim mund të nxjerr në shesh po ashtu burime shtesë në sipërfaqe të cilat mund t’ia kalojmë qeverisë”.

foto  
Wesley Clark  

 

Shpimet në Dukagjin:

Studimi së pari do të fokusohet në zonën e Dukagjinit dhe pastaj në basenin e Kosovës Jugore, afër qytetit të Prizrenit. 

“Nëse, siç dyshojmë ne, mund të gjinden depozita të dukshme thellë në tokë, si në basenin e Dukagjinit,  po ashtu edhe në basenin e Kosovës Jugore, Envidity propozon që të vazhdojë me një zgjerim dhe zhvillim të dukshëm të këtij burimi të pashfrytëzuar, së pari në basenin e Dukagjinit dhe më vonë në zonën e basenit të Kosovës Jugore”, shkruan firma. 

Faza fillestare mund të krijojë një fabrikë “demonstruese” që do të prodhojë 1,500 barelë në ditë duke përdorur procesin e “Fishcer- Tropsch”, tashmë në përdorim komercial në Kinë dhe Kanada. 

Procesi Fischer-Tropsch është një reaksion kimik që konverton një përzierje të monoksid karbonit dhe hidrogjenit në lëngje hidrokarbure, siç është nafta.

Procesi prodhon vajra sintetike dhe lëndë djegëse sintetike, pikërisht nga thëngjilli, gazi natyror apo biomasa.

Ky proces ka tërhequr vëmendje të herëpashershme, si një burim i naftës me squfur të ulët dhe ka adresuar furnizimin apo koston e lëndës djegëse, por ka mbetur relativisht e panjohur.

Envidity kohëve të fundit ka filluar një program të ngjashëm në Mongoli si me këto plane në Kosovë.

Implementimi në masë të madhe të teknologjisë së Fischer–Tropsch bëhet nga një seri e fabrikave të kompanisë Sasol që operon në Afrikën Jugore, një shtet me rezerva të mëdha të thëngjillit por me pak naftë.

Huti për Licencë 

Selvete Grajçevci, nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, KPMM tha se komisioni është takuar me përfaqësuesit e Envidity pas aplikimit për licencë.

“Për momentin nuk mund të lëshojmë licencë për Envidity sepse ligji për miniera dhe minerale trajton ndryshe mineralet energjetike. Duhet të ketë aprovim nga qeveria e cila duhet të hapë tender për këtë çështje”, Grajçevci i tha Gazetës JnK. 

Sipas nenit 18, “Licencat që i nënshtrohen dhënies me proces konkurrues”, të ligjit për miniera dhe minerale, thotë se të gjitha licencat për hulumtim apo shfrytëzim që ka të bëjë me mineralet energjetike do të jepen vetëm pas ushtrimit të një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues të tenderimit.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se topi duhet të jetë në anën e KPMM-së.

“Të gjitha kërkesat do të shqyrtohen dhe vlerësohen sipas procedurave të parapara me ligj,” tha Baxhaku. “Në rastin konkret, për çdo ofertë do të shkohet me procesin konkurrues”.

Baxhaku tha se varet nga KPMM-ja për të nisur procesin. “Nuk kemi marrë asnjë propozim nga KPMM-ja. Ata thjesht nuk mund të gjuajnë topin te qeveria”, tha Baxhaku.

Ai shtoi se qeveria ka planifikuar studimin e saj për këto rezerva nëntokësore të thella e cila përkohësisht është ndalur për shkak të një ankese në procesin e tenderit.

Ish-anëtari i bordit në KPMM, Zenun Elezaj, tani profesor në Fakultetin e Metalurgjisë në Prishtinë, mirëpret një projekt të tillë, duke thënë se kjo punë mund të jetë një hap i madh për Kosovën. 

“Projekti është shumë i rëndësishëm,” tha ai. “Do të përdoren zonat me thëngjill në thellësi prej 250 metrave”, shpjegoi ai. 

“Me aplikimin e kësaj metode nuk do të ketë nevojë të shkatërrohen sipërfaqe të tëra të tokave, sepse djegia bëhet në brendi, duke mos pasur nevojë edhe për deponimin e hirit dhe mbulesës”, tha profesori duke vënë theksin në mbrojtjen e ambientit. 

Firma i ofron Kosovës përafërsisht 30 për qind nga të gjitha të ardhurat nga projekti, e kështu mund të fitohet një shumë prej 300 milionë eurosh në vit.

“Qeveria nuk ka risk financiar, pasi që Envidity do të investojë kapitalin e vet privat në këtë projekt strategjik; një projekt që ka aftësi ti sjell Kosovës një transformim të plotë që të jetë e pavarur në lëndë djegëse përbrenda gjashtë deri në shtatë vite”, shkruan letra e Envidity.

Hero për shqiptarët:

Clark, sipas biografisë së tij në ueb-faqen e Envidity, u pensionua nga armata e SHBA-së pas 38 viteve si “gjeneral me katër yje”. 

Foto

Tabelë rrugore në Prizren

Në detyrën e tij të fundit si Komandant Suprem i Forcave të Bashkuara për Evropën, ka udhëhequr forcat e NATO-së deri në fitore “duke shpëtuar 1,5 milionë shqiptarë nga pastrimi etnik”, shkruan ai, duke iu referuar konfliktit të Kosovës në vitin 1999.

Clark mbetet një hero për shqiptarët e Kosovës dhe shumë rrugë janë emëruar sipas emrit të tij, si në Pejë, Prizren, Vushtrri, Ferizaj, dhe po ashtu një auto shkollë që mban emrin e tij në Fushë Kosovë. 

Valdet Drenovci, pronar i auto shkollës ”Wesley Clark” në Fushë Kosovë, thotë se ka emëruar shkollën e tij sipas gjeneralit sepse kontributi i tij për Kosovën ka qenë shumë i madh.

“Të gjithë e dimë se çfarë ka bërë ai për popullin tonë. Ai ka qenë një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për çlirimin e Kosovës”, tha Drenovci.

“Kemi shumë klientë që vijnë tek ne për shkak të emrit të njohur të Wesley Clark”, tha ai. 

“Është shumë mirë që zotëri Clark vjen të investojë në Kosovë”.