Vritet Pronari i Një Butiku Kinez në Pejë

Policia në Pejë ka njoftuar se të hënën, rreth orës 20, ka ndodhur një rast i grabitjes në rrugën “Eliot Engel”, në një dyqan, në pronësi të një shtetasi nga Kina, me banim të përkohshëm në Pejë.

Ye Pei You, 42-vjeçar, gjatë konfrontimit me dy grabitësit, ka pësuar lëndime të rënda nga thika, dhe ka vdekur pas mesnatës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Policia dhe prokurori publik, të cilët kanë dalë në vend të ngjarjes, kanë kuptuar se You, banues në “Ymer Basha” në Pejë, ishte duke punuar në butikun e tij, kur kanë hyrë dy persona të moshave të ndryshme, përshkrimin e të cilëve policia e ka të njohur. Ata e kanë sulmuar viktimën.

Njëri nga sulmuesit e ka qëlluar viktimën dy herë në pjesën e përparme të gjoksit, me një thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, me qëllim për të kryer veprën e Grabitjes, ka konfirmuar Xhevat Ibra, zëdhënës i policisë në Pejë.

Personat e dyshuar kanë ikur nga vendi i krimit në drejtime të kundërta. Viktima është dërguar menjëherë në Emergjencën e Spitalit Rajonal Pejë, por për shkak të plagëve serioze dhe përkeqësimit të gjendjes është dërguar në QKUK në Prishtinë. Rreth orës 1, pas mesnatës, policia ka pranuar informatën se viktima, gjatë intervenimit kirurgjik, ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit publik, trupi i pajetë do të dërgohet në ekzaminim të mëtejshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe më pas do të bartet për në shtetin e tij (Kinë) për ceremoninë mortore.

Hetuesit e policisë rajonale janë duke mbledhur prova dhe dëshmi, si dhe janë ndërmarrë dy operacione të bastisjeve në dy lokacione të ndryshme. Policia thotë se është në kërkim të kryerësve të kësaj vrasje.