Vritet Aksidentalisht nga i Mituri

Policia e Malishevës ishte informuar të dielën rreth  orës 07:55 se në fshatin Maxharrë, një person është vetëplagosur me armë zjarri, të llojit pistoletë.

“Viktima ishte sjellë në Emergjencën e Malishevës për ndihmë mjekësore, e më pas është përcjellë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, për shkak të plagës që kishte marrë në kokë”, ka bërë të ditur Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë Rajonale në Prizren.
 
Hetues policorë nga Malisheva, e më pas edhe hetues nga Hetimet Rajonale, kanë nisur hetimin e rastit, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të mitur, mbi të cilin bie dyshimi se aksidentalisht ka shkrehur armën, me të cilin është kryer plagosja.

“Sot, nga QKUK-ja është konfirmuari lajmi se viktima nuk ka mundur t’i mbijetojë lëndimit dhe ka ndërruar jetë”, ka konfirmuar Berisha.

Krim teknika ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkaq në cilësi të provës materiale është sekuestruar një pistoletë e llojit “Ecol Special” me dy fishekë dhe një gëzhojë.

I dyshuari, pas intervistimit në konsultim me Prokurorin, është dërguar në mbajtje.

Policia në Prizren ka njoftuar gjithashtu për një rast vetëvrasjeje, që ka ndodhur të dielën në Gjonaj të Hasit.

Në një dhomë të shtëpisë, D. Çoça i vitlindjes 1946 është gjetur i vdekur dhe me plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Hetuesit e policisë, krim teknika dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat hetimore. Sipas hetimeve fillestare dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje me pistoletë.

Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar një pistoletë të llojit P 38, me tre fishekë. Motivi i vetëvrasjes, sipas dëshmitarëve, thuhet të jenë problemet financiare.