Oliver Ivanoviq

Vrasja e pazgjidhur e Oliver Ivanoviçit shoqërohet me pretendime për fshehje provash

Tre vjet pas vrasjes së kreut të partisë opozitare serbe të Kosovës Oliver Ivanoviç, çështja ende e pazgjidhur e vrasjes shoqërohet me pretendime për ndërhyrje politike, pengim i hetuesve, fshehje provash dhe paaftësi gjyqësore.

Tre vjet më parë, më 16 janar, kur autorë të panjohur qëlluan gjashtë plumba në trupin e liderit të partisë opozitare serbe të Kosovës Oliver Ivanoviç para zyrës së tij në qytetin e Mitrovicës, njerëzit në Serbi dhe Kosovë shtangën, ndërsa diplomatët perëndimorë druheshin se mos vrasja e një politikani tjetër në Ballkan mund t’i jepte fund dialogut të brishtë për të normalizuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Vrasja e Ivanoviçit, lideri i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, i cili njihej si një politikan i moderuar serb i Kosovës, hodhi një hije të errët në Serbi, duke i kujtuar shumë njerëzve vrasjen e Zoran Djindjiç në vitin 2003, i cili ishte kryeministri i parë i Serbisë pas përmbysjes së liderit autoritar Sllobodan Millosheviç.

Atentati u duk se ishte një goditje profesionale dhe udhëheqësit politikë në Beograd dhe Prishtinë premtuan ta zgjidhnin çështjen sa më shpejt të ishte e mundur, ndërsa gjithashtu e përdorën atë si një mundësi për retorikë ndaj njëri-tjetrit.

Në korrik 2018, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, premtoi “rezultate konkrete që do të shkaktojnë shumë dhimbje koke, si në Kosovë ashtu edhe në Beograd”. Disa ditë më vonë, homologu serb i Thaçit, Aleksandër Vuçiç pretendoi se Beogradi kishte “njohuri operacionale” rreth çështjes dhe madje përmendi disa shqiptarë etnikë si të dyshuar të mundshëm.

Oliver Ivanoviç duke votuar në zgjedhjet komunale në Mitrovicë, nëntor 2013. Foto: EPA/DJORDJE SAVIC.

Megjithatë, tre vjet pas vdekjes së Ivanoviçit, çështja është larg zgjidhjes. Beogradi po e mban hetimin të fshehtë dhe nuk ka bashkëpunuar me Prishtinën, pasi Serbia refuzon ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur ose të punojë me policinë ose gjyqësorin e saj.

Ndërkohë Prishtina ka paditur gjashtë të dyshuar, të gjithë serbë, por ende nuk ka pasur një seancë gjyqësore në të cilën të jenë paraqitur prova ose të jenë dëgjuar dëshmitarë.

Vetë aktakuza nuk përmend personin e dyshuar për vrasjen ose personin që urdhëroi vrasjen. Në mënyrë të pazakontë, ajo është ndryshuar gjithashtu tre herë nga prokuroria, gjë që ka bërë që ekspertët ligjorë të ngrenë dyshime mbi vlefshmërinë e saj dhe nëse akuzat mund të provohen në gjykatë.

Të dyshuarit kryesorë në këtë rast, të cilët aktakuza pretendon se drejtonin një grup të organizuar kriminal që ishte përgjegjës për vrasjen e Ivanoviçit, janë dy biznesmenë serbë polemikë të cilët prej kohësh janë dyshuar për aktivitete kriminale nga shërbimet e sigurisë së Serbisë – Milan Radoiciç dhe Zvonko Veselinoviç.

Megjithatë, Radoiciç dhe Veselinoviç janë të dy në Beograd dhe autoritetet e Kosovës nuk mund t’i arrijnë ata, si edhe nuk janë në mesin e gjashtë personave që janë akuzuar sepse ligji i Kosovës nuk lejon aktakuza nëse ata që akuzohen nuk paraqiten në gjykatë.

Disa vëzhgues besojnë se çështja ka ngecur në harresë për arsye politike.

“Pas tre vjetësh, hetimi ka humbur në një labirint interesash politike dhe marrëveshjesh të ndryshme midis politikanëve dhe kriminelëve. Dhe sot, në vend të provave, ne kemi supozime. Në vend të një hetimi, kemi manovrim politik. Në vend të rezultateve, kemi akuza të reja. Në vend që të hedhim dritë mbi krimet, ne po i harrojmë ato”, tha për BIRN Milivoje Mihajloviç, një gazetar në Beograd, i cili ka lindur dhe ka punuar për vite në Kosovë.

Syle Hoxha, një prokuror i cili ka punuar për çështjen në Prishtinë, tha se kur ai ishte i përfshirë, kishte një mungesë bashkëpunimi nga Serbia dhe se zyra e BE-së në Kosovë nuk i bëri presion të mjaftueshëm Beogradit për ta ndihmuar.

“Ne këmbëngulëm për bashkëpunim përmes zyrës së BE-së, por nuk pati asnjë bashkëpunim serioz dhe të duhur. Serbia po fsheh prova. Serbia ka përgjime dhe ka refuzuar t’i dorëzojë ato. Neve na kanë dhënë thjesht disa numra telefoni. Nuk kemi qasje në përgjimet e kompanive telefonike serbe”, tha Hoxha për BIRN.

Çështja në Serbi është ende në fazën para hetimore, i tha BIRN Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar.

Policia duke ruajtur skenën ku u vra Ivanoviçi në Mitrovicë më 16 janar 2018. Foto: EPA-EFE/STRINGER.

Nuk dorëzohen videoja e kamerës dhe provat telefonike

Në dhjetor 2019, pas pothuajse dy vjet hetimesh, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzoi gjashtë persona për pjesëmarrje ose organizim të një grupi kriminal, shpërdorim detyre, asistim në vrasje, armëmbajtje të paligjshme, zbulim të sekreteve zyrtare dhe keqpërdorim të provave në lidhje në çështjen Ivanoviç.

Megjithatë, aktakuza që nga ajo kohë është ndryshuar tre herë pas ankesave nga mbrojtësit dhe versioni i fundit nuk është bërë publik ende. Dihet se ajo përmend edhe dy të dyshuar të tjerë pa emër, por nuk dihet asnjë informacion të ri në lidhje me krimin. Akuzat ende nuk janë konfirmuar nga një gjykatës.

Deri më tani, është mbajtur vetëm një seancë përgatitore, në shkurt 2020, ndërsa të tjerat janë shtyrë për shumë arsye: mungesa e përkthimit në gjuhën serbe, pandemia e koronavirusit dhe “çështje teknike” të pashpjegueshme.

Gjashtë personat e akuzuar deri më tani janë Nedeljko Spasojeviç, Dragisa Markoviç, Zarko Jovanoviç, Rade Basara, Marko Rosiç dhe Silvana Arsoviç.

Spasojeviç, Markoviç, Jovanoviç dhe Basara ishin të gjithë policë të Kosovës para se të arrestoheshin. Dragisa Markoviç dhe Zarko Jovanoviç ishin të parët në skenën e krimit dhe janë akuzuar për ndërhyrje në prova. Jovanoviç dyshohet se futi një nga gëzhojat në xhepin e tij, ndërsa Dragisa Markoviç i telefonoi dikujt nga Ministria e Brendshme Serbe nga vendi i ngjarjes, por nuk dihet se kë sepse, siç thuhet në aktakuzë, ofruesi i rrjetit celular të shtetit serb Srbija Telekom nuk e dha atë informacion.

Silvana Arsoviç ishte administratore e partisë politike të Ivanoviçit. Ajo akuzohet, si i vetmi person i pranishëm në zyrën e partisë politike të Ivanoviçit në Mitrovicë kur ai u qëllua për vdekje jashtë ndërtesës, për shkëputjen e energjisë në mënyrë që kamerat e sigurisë me qark të mbyllur të mos funksiononin kur ai u vra.

Çështja e kamerave CCTV në veriun e populluar nga serbët në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku ndodhej zyra e Ivanoviç, është një tjetër problem që ka penguar hetimin, pasi në Mitrovicë dhe rrethinat e saj ka me qindra kamera që janë instaluar nga autoritetet e Beogradit, por ata nuk pranojnë t’ua  dorëzojnë filmimet hetuesve të Kosovës.

Sipas një dëshmitari të paemëruar, oficerët e akuzuar të policisë kontrolluan videot e kamerave jo vetëm pranë vendit të krimit, por edhe përgjatë rrugës që përshkoi makina e përdorur nga vrasësit dhe ia fshehën pamjet autoriteteve të Prishtinës.

Homazhe për Ivanoviçin në Mitrovicë pas vrasjes së tij në janar 2018. Foto: EPA-EFE/Djordje Savic.

Mahmut Halimi, avokati mbrojtës i të dyshuarit Marko Rosiç, i tha BIRN se 95 për qind e provave janë në Serbi, duke e bërë të pamundur një hetim të duhur.

“Mendoj se aktakuza e tretë është edhe më e dobët se versionet e mëparshme. Të pandehurit nuk akuzohen për vrasje. Ata akuzohen se kanë ndihmuar në vrasje në mënyra të ndryshme”, tha Halimi.

“Ne jemi në një situatë shumë serioze që dëmton kryesisht sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial të Kosovës”, shtoi ai.

Jovana Filipoviç, avokatja mbrojtëse e të dyshuarës Silvana Arsoviç, gjithashtu vuri në dyshim kompetencën e prokurorisë së Kosovës.

“Në këtë rast, hetimi u krye në mënyrë të dobët dhe informacionet u mblodhën në mënyrë joprofesionale. Kur gjërat shkojnë keq që nga dita e vrasjes, nuk mund të pritej që ato të dilnin mirë, por, pavarësisht kësaj, nuk prisja kaq shumë pengim dhe abuzim me ligjin”, tha Filipoviç për BIRN.

Të dyshuar me lidhje politike të lirë në Serbi

Prokuroria nuk ka publikuar ende ndonjë provë kundër dy burrave të akuzuar për kryesimin e grupit të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Ivanoviçit, biznesmenëve serbë Milan Radoiciç dhe Zvonko Veselinoviç.

Megjithatë, jo shumë kohë para vdekjes së tij, Ivanoviç pohoi në një intervistë për BIRN se Radoiciç ishte figura kryesore dhe mbajtësi i vërtetë i pushtetit në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe, edhe pse në atë kohë Radoiciç nuk ishte i përfshirë në politikë.

Radoiciç dhe Veselinoviç ishin nën hetim nga policia serbe dhe agjencia shtetërore e inteligjencës, BIA, e cila dyshonte se ata merreshin me kontrabandë droge, armësh dhe nafte, si dhe spastrim parash dhe fajde, zbuloi faqja investigative KRIK.

Veselinoviç dhe Radoiciç bashkëpunonin me kriminelët shqiptarë të Kosovës, sipas raporteve të BIA-s të siguruara nga KRIK. Megjithatë, autoritetet serbe kurrë nuk ngritën akuza.

Ashtu si Ivanoviçi i vrarë, Veselinoviç është një ish-‘rojtar i urës’ – një nga serbët që monitoroi urën mbi lumin Ibër që ndan komunitetet serbe dhe shqiptare të Kosovës në qytetin e Mitrovicës. –“Rojtarët e urës” u akuzuan për përfshirje në dhunën etnike në 2011.

Veselinoviç u përmend gjithashtu në 2001 në një dokument të brendshëm të policisë serbe të quajtur “Libri i Bardhë i Krimit të Organizuar”, i cili pretendonte se ai ishte organizatori i një grupi të përfshirë në vjedhje të mëdha, vjedhje automjetesh motorike, zhvatje dhe falsifikim dokumentesh në Mitrovicë. Ai u gjykua një herë për trafik heroine, por u lirua nga akuzat.

Radoiçiç u akuzua për rrëmbimin e një biznesmeni maqedonas në 2009. Njeriu i rrëmbyer papritur e ndryshoi deklaratën e tij ditën e fundit të gjyqit, duke bërë që Radoiciç të lihej i pafajshëm, sipas KRIK.

Milan Radoiciç (djathtas) dhe Zvonko Veselinoviç (në mes) me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç Nikola Petroviç (i pari nga e majta). Foto: BIRN.

Të dy kanë gjithashtu lidhje të profilit të lartë politik si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Në Serbi, ata kanë kompani të shumta ndërtimi që punojnë në shumë projekte të mbështetura nga shteti.

Në vitin 2019, BIRN publikoi fotografi të Radoiciçit dhe Veselinoviçit me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Nikola Petroviç, dhe të Veselinoviçit me vëllain e Vuçiçit, Andrej, në ambientet e Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Faqja e lajmeve në Kosovë Gazeta Express gjithashtu publikoi një foto në 2017 të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Ramush Haradinaj, të ulur me Radoiciçin në një restorant në Prishtinë.

Dy vjet më vonë, Haradinaj zbuloi se ai kishte bashkëpunuar me Radoiciçin dhe se ai shkoi me të për të vizituar presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili bisedoi me Radoiciçin për dy orë.

KRIK gjithashtu publikoi foto të Radoiciçit në një jaht në Mal të Zi me Behgjet Pacollin, një biznesmen kosovar dhe ish-ministër i jashtëm.

Radoiciç u bë nënkryetar i Listës Serbe, partia kryesore serbe e Kosovës e mbështetur nga Beogradi, në korrik 2018, pas vrasjes së Ivanoviçit.

Në nëntor 2018, forcat speciale të policisë së Kosovës u përpoqën të arrestonin Radoiciçin, por nuk e gjetën atë në shtëpinë e tij në Mitrovicë. Në vend të kësaj, ata thanë se gjetën 75 gram kokainë.

Radoiciç ka mohuar çdo keqbërje dhe zyrtarët nga Partia Progresive në pushtet në Serbi e kanë mbrojtur atë nga akuzat.

“Milan Radoiciç nuk është një lule, por ai në asnjë mënyrë nuk mori pjesë në eliminimin e liderit të nismës qytetare të Liri, Demokraci, Drejtësi, Oliver Ivanoviç”, këmbënguli presidenti serb Vuçiç në një konferencë për shtyp në korrik 2019.

Vuçiç madje tha se Radoiciç kishte kaluar një provë poligrafike.

Genc Nimoni, një ekspert ligjor dhe menaxher i programit të sundimit të ligjit në OJQ-në Antikorrupsion Çohu në Prishtinë, tha për BIRN se gjyqësori duhet të përcaktojë nëse Radoiciçi dhe Veselinoviçi ishin të përfshirë në vrasje.

Deri atëherë, e gjithë çështja është në një rrugë pa krye, sepse “dy figurat kryesore në aktakuzë vazhdojnë të jenë të paarritshëm për gjyqësorin e Kosovës për arsye politike dhe gjyqësore”.

“Ecuria e procedurave të tilla varet gjithashtu nga bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar, në këtë rast ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe duke marrë parasysh që Kosova – në këtë rast Ministria e saj e Drejtësisë – nuk ka bashkëpunim me homologen e saj serbe, kjo çështje do të vazhdojë të përballet me pengesa”, shtoi Nimoni.

Milan Radoiciç (majtas) pasi u bë nënkryetar i Listës Serbe, në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj në korrik 2018. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Mbeten të turbullta motivet e vrasjes

Shumë kanë pohuar se vrasja e Ivanoviçit ishte qartazi një vrasje e motivuar politikisht, por hetimi nuk ka gjetur ende ndonjë motiv koherent për vrasjen e tij.

Në kohën e vdekjes së tij, Ivanoviçi po gjykohej përsëri për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në 1999, gjë që ai e kishte mohuar. Megjithatë, në periudhën e pasluftës, ai kishte evoluar në një politikan të moderuar i cili mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës etnike shqiptare dhe ishte bërë kritik ndaj qeverisë serbe.

Ivanoviç kishte pasur për disa vjet mosmarrëveshje me Partinë Progresive në pushtet në Beograd dhe me partinë që ajo mbështet në Kosovë, Lista Serbe.

Në vitet para vrasjes së tij, makina dhe zyrat e partisë së Ivanoviçit u dogjën dhe apartamenti i tij u shkatërrua. Shoku i tij më i mirë, Dimitrije Janicijeviç, i cili ishte gjithashtu një deputet në Mitrovicën e Veriut, u vra në vitin 2014 në të njëjtën datë me Ivanoviçin.

Në zgjedhjet lokale në Kosovë në 2017, disa muaj para vrasjes së tij, Ivanoviç u vu në shënjestër të ashpër në një fushatë mediatike nga partia Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, por edhe nga zyrtarë të shtetit serb si Marko Djuric, drejtori i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën në atë kohë, i cili tha se një votë për Ivanoviçin ishte një “votë për prishjen e unitetit serb në Kosovë”.

Pas vrasjes, Beogradi dhe Prishtina shkëmbyen akuza në lidhje me pretendimin e mungesës së bashkëpunimit të palës tjetër në hetim, por gjatë vitit të kaluar, të dy palët kanë bërë më pak zhurmë rreth çështjes.

Nebojsa Vlajiç, i cili ishte avokati dhe shoku i Ivanoviçit, tha se ai beson se si Beogradi ashtu edhe Prishtina dinë më shumë për atë që ndodhi, por po fshehin informacione.

“Nuk jam i sigurt se kush ka interes të drejtpërdrejtë në këtë, por është e qartë se ata nuk po na tregojnë gjithçka”, tha Vlajiç për BIRN.

“Beogradi nuk bëri publike asgjë, ndërsa Prishtina ka krijuar një aktakuzë që besoj se edhe vetë personi që e shkroi e beson”, tha ai.