Vrasja e 18 vjeçares, krejt çka dihet për rastin dhe të kaluarën e të dyshuarve

Kanë kaluar një javë që nga rasti tragjik i vrasjes ‘mizore’ të 18 vjeçarës, Marigona Osmani në Ferizaj. Për këtë vrasje tashmë janë paraburgim dy të dyshuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Marigona Osmani të dielën e kaluar ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit të Ferizajt nga Krivaqa dhe Sejdiu, të cilët u identifikuan pas disa orësh dhe u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës.

Dardan Krivaqa, sipas dosjës së Prokurorisë, dyshohet se në mënyrë mizore, e ka vrarë  të ndjerën Marigona Osmani.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari Krivaqa, për motive të ulëta me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën, derisa ajo ka ndërruar jetë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër Arbër Sejdiu ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psiqike e fizike.

Në dosjen e prokurorisë për rastin e vrasjes së 18 vjeçares theksohet se ajo u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi deri në vdekje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D. K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet vendimin e caktimit të paraburgimit për të dyshuarit Krivaqa e Sejdiu.

Si ndodhi arrestimi i të dyshuarve?

Më 22 gusht Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jetë në emërgjencën e spitalit të Ferizajt nga të dyshuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Të njëjtit ishin larguar nga spitali për t’u shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Arbër Sejdiu ishte arrestuar të njëjtën ditë nga Policia e Kosovës derisa nuk kishte pranuar të deklarojë asgjë në lidhje me rastin, duke thënë se kishte dëgjuar vetëm disa britma në banesë.

Sejdiu me vendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj  do të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, avokatja e Arbër Sejdiut, Arbnora Shefkiu tha se i mbrojturi i saj nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“Pasi jam konsultuar me të dyshuarin me të njëjtin jemi pajtuar që mos ta kundërshtojmë kërkesën për caktimin e paraburgimit, me qëllim që e njëjta të shërbej në zbardhjen më të shpejt dhe më të mirë të gjithë ngjarjes se si ka ndodhur vrasja e tani të ndjerës M.O. Po ashtu i pandehuri ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunoj me gjitha organet në zbardhjen e rastit”, ka thënë Shefkiu.

I dyshuari tjetër, Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 24 gusht, apo dy ditë pasi i njëjti e kishte dërguar të vdekur Marigona Osmanin në emërgjencën e Ferizajt.

Krivaqa ishte arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë kohës që ishte në arrati në fshatin Sojevë të Ferizajt. Ai nuk kishte pranuar të deklaronte asgjë dhe i njëjti është dërguar në paraburgim për 30 ditë.

Dardan Krivaqa në njoftimin e Prokurorisë thuhet se në bashkëkryerje dyshohet se ka kryer veprën penale, ‘Vrasje e rëndë’.

Çfarë dihet deri më tani?

18 vjeçarja, Marigona Osmani e cila u soll pa shenja jete në emërgjencën e Spitalit të Ferizajt, u varros më 24 gusht, ditën kur u arrestua edhe personi i dytë që dyshohet se vrau atë.

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu të dyshuar për vrasjen e 18 vjeçares tashmë gjenden nën masën e paraburgimit.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që çuan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçares Marigona Osmani.

Sipas dosjes së Prokurorisë një natë më parë, dhuna fizike dhe psiqike kishte filluar ndaj viktimës nga Krivaqa. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie. Gjatë gjithë kohës në banesë kishte qenë edhe Arbër Sejdiu por që i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim, por i njëjti dyshohet se kishte marrë pjesë në dhunën psiqike e fizike ndaj viktimës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Dardan Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu, kanë kryen veprën penale ‘Vrasja e rëndë’.

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu akuzohen edhe për vepra të tjera penale.

Vetëm këtë vit, Dardan Krivaqa u dënua 3 herë me vendim të formës së prerë, Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, sipas evidencave të Gjykatës Themelore të Ferizajt ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë plotë 9 herë.

Vrasja që tronditi opinionin publik

Vrasja e Marigona Osmanit që dyshohet të ketë ndodhur nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu ka tronditur opinion pubik në Kosovë.

Të martën e kaluar në Ferizaj u zhvillua protestë para objeteve të instiucioneve të rendit.

“Mos e normalizoni vrasjen e grave” dhe “Nuk ju durojmë më”, ishin disa nga parullat e protestës që u përcollën me hedhje të ngjyrës së kuqe dhe vezëve në drejtim të objekteve të institucioneve të gjykatës, policisë e prokurorisë.

Ndërkaq të enjten dhjetëra aktivistë nga shoqëria civile dhe qytetarë kanë protestuar  para Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë kësaj proteste njëra nga aktivistet, në emër të të gjithë protestueseve kërkoi monitorim dhe sanksionim të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës.

“Kërkojmë monitorim sanksionimi të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës që nuk i trajtojnë raste sipas kodit penal të Kosovës dhe konventës së Stambollit. Kërkojmë llogaridhënie nga këshilli gjyqësor e prokurorial i Kosovës dhe inspektorëve Policor për këto raste të shkeljes. Plan konkret nga qeveria e Kosovës me bazë ligjore. Monitorim, sanksionim, shkarkim. Drejtësi për gratë e vrara”, u shpreh ajo.

KALLXO.com pas hulumtimeve rreth të kaluarës së dy të dyshuarve për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit zbuloi se Arbër Sejdiu ka një rast penal për tentim-vrasje të hapur dhe ende të pagjykuar që nga viti 2013-të.

Kurse Dardan Krivaqa siç zbuloi Kallxo.com ishte dënuar këtë vit, por që vendimi ende nuk është i plotëfuqishëm

Po ashtu KALLXO.com zbuloi se i dyshuari Dardan Krivaqa në dy raste për të cilat ishte në burg, ishte liruar para kohe.

Dosja: Dardan Krivaqa u lirua dy herë para kohe, me vendime të drejtorëve të burgjeve