Ilustrimi-Jeta Dobranja

Votuesit e rinj shpresojnë në ndryshime

Prishtina Insight ka folur me 18 dhe 19 vjeçarët që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 shkurti të cilët shprehin brengat dhe kërkesat e tyre për qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Kosova shpesh paraqitet si vendi me popullsinë më të re në Evropë dhe me të drejtë pasi mbi gjysma e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare.

Secilin vit, mijëra të rinj mbushin 18 vjeç, rrjedhimisht të njejtit kanë edhe të drejtë vote. Këtë vit ende nuk ka të dhënë nga KQZ-ja për numrin e votuesve të rinj, por vetëm në zgjedhjet e kaluara të tetorit të vitit 2019, të drejtë vote për herë të parë kishin mbi 115 mijë qytetarë nga zgjedhjet e vitit 2017.

Prishtina Insight ka biseduar me disa të rinjë të cilët kanë arritur moshën për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, dhe 14 shkurti i këtij viti do të jetë hera e parë ku 18 dhe 19 vjeçarët i nënshtrohen një procesi zgjedhor. 

 Edmond Murtezi është 19 vjeçar nga Lipjani dhe duket mjaft i entuziasmuar që do të votojë për herë të parë dhe është mjaft optimist se vota e tij do të shërbej për një të ardhme më të mirë në Kosovë. 

Edmond Murtezi është një student i vitit të dytë i ekonomisë nga qyteti i Lipjanit Foto: Halim Kafexholli

Studenti i vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë që në Kosovë po mbizotëron një vetëdije e shtuar për një ndryshim dhe për një qeverisje më ndryshe, pasi sipas tij, qeveritë e kaluara kanë dështuar që t’i bindin të rinjët të mos largohen nga Kosova. 

“Keqqeverisja 20 vjeçare ka detyruar shumë të rinjë të ikin nga Kosova, dhe kjo tregon më së miri si është qeverisur”, thotë Edmondi. 

Vetëm midis 2015 dhe 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 170,000 persona e kanë braktisur vendin, e shumica e tyre të rinj.

Sipas Edmondit, qeverisja e ardhshme duhet të perpiqet ta ndalojë këtë trend të ikjes, mirëpo para së  gjithash, ai shqetësohet për situatën me COVID-19 në të cilën po kalon vendi.

“Edhe pse na ka kapluar kjo pandemi, mendoj që qeveria e ardhshme do të duhej të na nxjerr nga kjo situatë”, mendon Edmondi. “Jemi në një situatë le të themi recesionit, dhe mund të them që në të ardhmen mund të ketë rritje ekonomike vetëm nëse kemi një qeverisje të mirë”. 

Për Edmondin, dominimi i një fryme për ndryshim që po vërehet në diskursin publik, do të vë në presion qeverinë e ardhshme dhe ky është shkak që ai beson që do të ketë presion për zhvillim.

“Eshtë një disponim i paparë më herët, kjo vërehet kudo Kjo po vërehet edhe nga bashkëatdhetarët tanë, sepse edhe ata po dojnë një Kosovë ndryshe”, thotë votuesi i ri.

Në prag të diplomimit nga shkolla e mesme është edhe 18 vjeçarja nga Malisheva Edona Elshani, e cila poashtu do të dalë të votoj të dielen e 14 shkurtit. 

Edona Elshani do të përfundojë këtë vit shkollën e mesme Foto: Halim Kafexholli

Maturantja nuk pret ndonjë ndryshim shumë të madh nga këto zgjedhje, mirëpo për të secili ndryshim është i mirëpritur. “Mendoj që duhet të kemi ndryshime, sepse pavarësisht pritjeve, ndryshimet janë të mira çdoherë për vendin”, mendon Edona. 

Ndërsa si studente e ardhshme, Edona mendon që prioritet kryesor i qeverisë së re duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive më të mira të shkollimit dhe gjimnazistja shpreson se deri atëherë, një vend pune për të në Kosovë, nuk do të jetë problem sa është problematikë tani. 

“Synimet e mia janë që të studioj e punoj në të njejtën kohë.Shpresoj se në gjeneratën time nuk do të jetë problem sikur tani për të gjetur një vend pune pasi të përfundon fakultetin,” thotë ajo.

Sipas një ankete të vitit 2020 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 56 përqind e të rinjve mes moshës 15 deri në 19 kanë qenë të papunë në 12 mujorin e fundit të vitit 2020.

Ndërkohë, numri i studentëve që diplomojnë për çdo vit në Kosovë sillet nga shtatë deri në tetë mijë. Ndërsa vetëm në vitin 2019, me diplomë të universiteteve publike ishin paisur gjithësej 7,350 studentë. 

Votues i ri në këto zgjedhje do të jetë edhe Endrit Ndrecaj nga Suhareka. 18 vjeçari i cili ndjek studimet në vitin e parë për Edukim Fizik dhe Sport, shpreson shumë se vota e tij do t’i shërbej një ndryshimi të ardhshëm qeverisës dhe se do të ketë gjëra të cilat do të marrin kahjen e duhur.

Endrit Ndrecaj është në vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve. Foto: Halim Kafexholli

“Korrupsioni dhe investimi në arsim janë dy gjëra kyçe që duhet me u marrë qeveria e ardhshme”, thotë Endriti, i cili përveç studimeve në Universitetin e Prishtinës, merret edhe me sportin e volejbollit. Sipas tij, sporti është një fushë shumë e neglizhuar nga secila qeveri e pasluftës në Kosovë, mirëpo ai nuk është me shpresë se gjendja në sport do të ndryshoj as me qeverinë e ardhshme. 

“Nuk jam i sigurt që gjendja e sportit ka me ndërru. Se sporti diqysh nuk iu duket i rndësishëm”, thotë studenti 18 vjeçar.

Mirëpo, pavarësisht se është me shpresë se disa gjëra do të ndryshojnë në Kosovë, Endriti thotë se synimi i tij është që karrieren si volejbollist të përpiqet vazhdoj në Evropë. “Veç për këtë motiv e kisha lshu Kosovën, jo për tjera arsye”, shprehet ai. 

Hallin e papunësisë e ka edhe 18 vjeçari tjetër nga Skenderaj, Sherif Ferizi. Mirëpo, për dallim nga Edmondi e Endriti, studenti i ri i Biologjisë në departamentin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës, nuk është ende i sigurt se a do të dalë të votojë apo jo. Për Sherifin, shpresat e ngritura dhe zhgënjimet e një pas njëshme më pas, nuk po e bindin atë të dalë të votoj. 

Sherif Ferizi është një student i biologjisë nga qyteti i Skenderaj Foto: Halim Kafexholli

“Nuk e di, ndoshta mund të ndikohem nga fushata apo programet, mirëpo tash për tash nuk jam i vendosur se do të votoj në këto zgjedhje. Më shumë mendoj që nuk do të dal”, thotë disi me indiferencë Sherifi. 

Por, sipas tij, papunësia dhe gjendja e arsimit ne Kosovë janë dy thelbet kryesore të problemeve, dhe se shpreson sado pak që këto gjëra do të jenë prioritet i ardhshëm për këdo që qeverisë. 

“Përshembull në departamentin ku studioj unë, ka mungesë të madhe të laboratoreve dhe paisjeve ku ne si biolog të ardhshëm mund të mësojmë më shumë rreth fushës sonë. Dhe kjo mendoj do të duhej të jetë prioritet i qeverisë së re”, thotë ai. 

Përveç këtyre, Sherifi thotë se problem tjetër është edhe mundësia e punësimit pas studimeve. Kurse faktin që ka zgjedhur të studiojë biologjinë, i riu nga Skenderaj e sheh edhe më problematike mundësinë e punësimit.

“Nuk ka mjaft teren punësimi për biologë në vendin tonë. Mungojnë laboratore e institute të ndryshme studimi. Mundesh me kërku punë veç në arsim, me u bo mësues i biologjisë edhe kaq”, thotë studenti i Biologjisë.

Ky shkrim është publikuar fillimisht në Prishtina Insight.