Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Votat që morën në zgjedhjet e fundit të rikandiduarit e LDK-së në komuna

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mërkurën zyrtarizoi kandidaturat për kryetarë të tetë komunave për zgjedhjet lokale, shumica prej të cilëve janë aktualisht udhëheqës në komunat përkatëse.

Deri më tani, LDK-ja nuk e ka asnjë kandidate grua për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.

Për t’u kthyer pas në kohë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, këta kandidatë që ia kanë mësyrë vendeve të para sërish, kanë dallime të theksuara në vota mes tyre.

Kryesia e LDK-së të mërkurën njoftoi se kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës është Përparim Rama, të Podujevës Ekrem Hyseni, për kryetar të Komunës së Pejës është Gazmend Muhaxheri, për Suharekë është Ardian Shala, për kryetar të Lipjanit është Imri Ahmeti, të Fushë -Kosovës është Burim Berisha, për Vitinë Sokol Haliti dhe për kryetar të Komunës së Vushtrrisë është Xhafer Tahiri.

LDK-ja synon ta mbajë qeverisjen në Komunën e Pejës, duke e rikandiduar sërish Gazmend Muhaxherin, i cili në zgjedhjet e fundit lokale mori 22,014 vota ose 50,23%.

Imri Ahmeti, kryetar aktual i Komunës së Lipjanit, do të garojë sërish duke synuar mandatin e tretë për udhëheqjen e kësaj komune. Ai në zgjedhjet lokale të 2017-s fitoi Lipjanin pa balotazh duke siguruar 17,019 vota ose 59,51%.

Me Burim Berishën kandidat, LDK-ja po dëshiron ta mbajë në udhëheqje Komunën e Fushë-Kosovës. Në zgjedhjet e fundit lokale, Berisha pa balotazh fitoi në këtë komunë, duke marrë  9,821 vota apo 63,84%.

Rikandidim në Komunën e Vitisë do të ketë kryetari aktual Sokol Haliti. Në zgjedhjet e 2017-s ai pa balotazh mori besimin qytetar, duke siguruar 10,768 vota ose 51,65%.

LDK-ja synon ta vazhdojë qeverisjen edhe në  Vushtrri me kandidatin Xhafer Tahiri, i cili në zgjedhjet e fundit lokale, arriti të fitojë nga balotazhi me PDK-në, duke marrë 15,122 vota ose 54,24%.

Ekrem Hyseni është kandidat për kryetar të Podujevës, me të cilin LDK-ja do të tentojë të kthejë bastionin e saj.

Me këtë komunë, për disa vite radhazi ka qeverisur Agim Veliu i LDK-së. Veliu dha dorëheqje për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti 1, për të vazhduar më pas edhe në Qeverinë Hoti.

Zhvillimet e çuan në zgjedhje të jashtëzakonshme Podujevën, duke bërë që komunën ta marrë në udhëheqje Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin në nëntor të vitit të kaluar. Në këtë garë Bulliqi la pas Nexhmi Rudarin e LDK-së.

Me kandidimin e Ekrem Hysenit, Agim Veliu u shkarkua edhe nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së partisë të mërkurën, deklaroi se Veliu nuk ka shprehur ambicie për të garuar edhe për një mandat.

Në garën për Prishtinën, LDK-ja e Lumir Abdixhikut zgjodhi të kandidojë me një emër krejtësisht të ri, me arkitektin Përparim Rama, i cili nuk ka marrë pjesë më herët në ndonjë proces zgjedhor.

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e shtatë nga LDK-ja, Ardian Shala mori besimin e partisë së tij për të kandiduar për të parin e Suharekës. Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 ai mori 9,373  vota.

Votat e LDK-së në zgjedhjet parlamentare 2021 në komunat e të rikandiduarve

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, përveç rezultatit përmbysës në nivel qendror, dhanë indikacione për ndryshim të gjendjes edhe në nivelin lokal.

Në këto zgjedhje, në të tetë komunat të cilat LDK-ja i bëri publike kandidaturat është mposhtur me vota nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve të KQZ-së, e para me vota në Komunën e Fushë-Kosovës ku qeveris LDK-ja, doli Lëvizja Vetëvendosje, me 11,371 vota ose 56,592%. Kurse, LDK-ja mori vetëm 3,179 vota ose 15,821%.

Vetëvendosje e la mrapa LDK-në me rezultat edhe në komunën e Pejës.

LDK-ja u rendit e dyta me 8,643 vota ose 18,329%, kurse LVV-ja mori 23,822 vota ose 50,517%

Renditja e njëjtë mes këtyre dy subjekteve qëndron edhe në Podujevë. LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit në këtë komunë mori 9,819 vota ose 23,108%, kurse LVV-ja 25,899 vota ose 60,950%.

E dyta u pozicionua LDK edhe në Prishtinë pas LVV-së. Kjo e fundit mori 71,873 vota ose 65,132%, ndërsa LDK-ja mori 17,961 ose 16,276%.

Në Viti, LDK-ja po ashtu doli e dyta pas LVV-së, duke marrë 4,305 vota ose 19,881%.

Në Vushtrri, Suharekë dhe Lipjan doli edhe më dobët, duke u renditur e treta.

Në Vushtrri, LVV mori më së shumti vota pasuar nga PDK-ja dhe më pas LDK-ja që arriti të sigurojë vetëm 3,463 vota ose 9,843%.

Në Suharekë LDK-ja u rendit pas LVV-së dhe AAK-së, duke siguruar 5,249 vota ose 18,235%.

Në Lipjan LDK-ja u radhit pas LVV-së dhe PDK-së. LDK-ja siguroi vetëm 6,059 vota ose 20,264%, PDK-ja mori 6,088 vota ose 20,361% dhe LVV-ja 14,638 vota apo 48,955%.