Vota e deputetit të dënuar me burg formoi e rrëzoi qeveri

Policia e Kosovës nga sot është në kërkim të Deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, i cili është i dënuar nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione, me 1 vit e 3 muaj burgim.

Arifi së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, u dënuan pasi Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë i gjetën fajtorë për përvetësimin e 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës Arifi dhe Gashi nuk i kanë përdorur subvencionet e Ministrisë për atë qëllim që u janë ndarë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Ndërkohë, deputeti Arifi të cilit iu shty dy herë ekzekutimi i dënimit, pra dërgimi i tij në burg,  ka marrë pjesë në votimet për formimin e Qeverisë  së udhëhequr nga Albin Kurti, rrëzimit të saj dhe formimit të Qeverisë  së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit deputeti Etem Arifi e ka humbur mandatin e deputetit pas plotfuqishmërisë së vendimit mbi dënimin e tij.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 70 ka paraparë se një nga mënyrat e humbjes së mandatit të deputetit është dënimi i plotfuqishëm me një ose më shumë vite burgim.

Arifi ka votuar për qeverinë Kurti në Kuvend me datë 3 shkurt 2020. Ai po ashtu, ka votuar për rrëzimin e kësaj qeverie me 25 mars 2020 dhe për formimin e qeverisë Hoti me 3 qershor 2020.

Por, në formimin e qeverisë aktuale, të kryesuar nga Avdullah Hoti, deputeti Arifi ishte votë përcaktuese, pasi kjo qeveri mori minimumin e votave të duhura në Kuvend, 61.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, me 6 qershor ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ‘antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimti’ të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes.

Sipas tyre, pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për qeverinë Hoti e bën jolegjitime këtë qeveri.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i kishte dërguar letër, me 5 maj, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës së Apelit, nga të cilat kishte kërkuar që t’i përcillen në Kuvend aktgjykimet nga të gjitha instancat gjyqësore për rastin e deputetit Etem Arifi.

“Pas raportimit në media se deputeti Etem Arifi është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 1 vit e 3 muaj burg për mashtrim me subvencione, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, menjëherë e ka adresuar këtë çështje në instancat përkatëse meqë deri në ato momente Kuvendit nuk i ishte dërguar asnjë njoftim zyrtar lidhur me këtë rast”.

Kurse sot, me 4 gusht, Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj deputetit Etem Arifi. Urdhëri është lëshuar me qëllim për ta dërguar atë në vuajtje të dënimit me burg, ndërsa u lëshua pasi Gjykata e kishte shtyrë dy herë ekzekutimin e dënimit me nga dy muaj për Etem Arrifin

“Pasi që Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e të dënuarit E.A. si të pabazuar, vendimi i gjykatës së shkallës së parë ështe bërë i plotfuqishëm”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se “i dënuari E.A., pasi ka marrë vendimin, është dashur të lajmërohet në Qendrën për vuajtje të dënimit me burgim”.

“Andaj, Gjykata ka lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgim në qendrën për vuajtje të dënimit”, tha ajo.

Deputeti tani i dënuar Etem Arifi, është dashur që më 9 mars të paraqitej ne qendrën për vuajtje të dënimit, mirëpo gjendja shëndetësore e të njëjtit kishte bërë që Gjykata e Prishtinës të shtyjë 2 herë me nga 2 muaj ekzekutimin e dënimit.

Gjykata lëshon urdhër-arrest ndaj deputetit kosovar për ta çuar në burg