Ilustrim

Vonesa e të dhënave hedh hije mbi pretendimet për punësim të Qeverisë së Kosovës

 

Kosova po krijon vende të reja pune, apo po i zyrtarizon ato të vjetrat? Një mungesë në të dhëna po e vështirëson kontrollin mbi to.

Qeveria e Kosovës thotë se mijëra vende të reja pune janë hapur vitin e kaluar, megjithatë një vonesë në përditësimin e statistikave zyrtare të punësimit dhe stimujve për ta trajtuar ekonominë gri ngre dyshime mbi shtrirjen e këtij trendi punësimi.

Me 1 maj, Ditën e Punëtorëve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha transmetuesit publik të Kosovës se në periudhën shtator 2020 dhe shtator 2021, janë regjistruar “25,200 vende të tjera pune”.

Ditë më vonë, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, i bëri jehonë pretendimit, duke thënë se në Kosovë ishin krijuar 25,000 vende të reja pune në vitin 2021. Jo keq, ndoshta, për një vend me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon.

Të dhënat e shërbimit tatimor, të ofruara për BIRN nga Administrata Tatimore, tregojnë me të vërtetë një rritje të punonjësve të regjistruar, por sindikatat dhe zyrtarët tatimorë thonë se shumica e kësaj mund të llogaritet nga bizneset që i kanë regjistruar më parë punonjësit informalë për të përfituar nga masat e lehtësimit të COVID-19.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ASK, duhet të japë një pasqyrë më të qartë, mirëpo vonesat në raportimin e të dhënave të shkaktuara nga pandemia nënkuptojnë se shifrat e papunësisë nuk janë përditësuar që nga fillimi i vitit 2021.

“Pasi të përfundojnë ri-anketimet [për tremujorët e dytë, tretë dhe katër të vitit 2021], analiza dhe përpunimi i të dhënave do të vazhdojë”, tha Naime Rexhepi, xxxx xxxx në ASK. E njëjta nuk e specifikoi se kur do të përditësohen të dhënat.

Shkalla më e lartë e papunësisë në rajon

Me një popullsi më të re në Evropë, ekonomia e varfër e Kosovës lufton për të absorbuar mijëra punëkërkues të rinj që i futen tregut të punës çdo vit.

Me afërsisht 25 për qind, shkalla e papunësisë në Kosovë është më e larta në rajon, krahasuar me 18 për qind në Mal të Zi, 16.4 për qind në Bosnje dhe Hercegovinë dhe 16.3 për qind në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2020.

Nga ana tjetër, Serbia ka një shkallë zyrtare papunësie prej rreth 9.8 përqind, krahasuar me një mesatare të Bashkimit Evropian prej 7.2.

Sa i përket punësimit, sipas të dhënave të ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2019 në Kosovë ishin të punësuar 28.2 për qind e popullsisë në moshë pune, një shifër kjo që u përmirësua lehtë në 29.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, pak parase të shfaqej pandemia COVID-19.

Pas mbarimit të pandemisë, tregu i punës u rikthye, duke shënuar një shkallë punësimi prej 29.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2021.

Mirëpo në një punim të botuar në tetor të vitit të kaluar, Instituti kërkimor-shkencor Riiinvest me seli në Prishtinë, tha se zhvillimi ekonomik në të gjithë Kosovën “nuk ka rezultuar në gjenerim të konsiderueshëm të vendeve të punës”.

“Pjesëmarrja e fuqisë punëtore në Kosovë është një nga më të ulëtat në rajon, me një mesatare prej 39 për qind shkallë pjesëmarrjeje gjatë pesë viteve të fundit”, thuhet në punimin e lartcekur.

Shkalla më e lartë e papunësisë në Kosovë është tek të rinjtë [15-24 vjeç] dhe tek gratë, ndërkohë që Instituti Riinvest thotë se vendet e punës janë shumë të përqendruara në Prishtinë. Prishtina si kryeqendër e përbën më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore të punësuar zyrtarisht.

Masat e COVID inkurajuan regjistrimin e punonjësve

Qeveria e udhëhequr nga Kurti, e cila e ka përmbushur një vit në detyrë më 22 mars 2022, thotë se nga shtatori i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021 janë hapur 25 mijë vende pune, prej të cilave 10 mijë janë regjistrime të të punësuarve tashmë ekzistues.

Administrata Tatimore e Kosovës, ATK, kishte 371,546 punëtorë të regjistruar në shtator të vitit 2021, ose 25,525 më shumë se në shtator të vitit 2020, tregojnë të dhënat e BIRN. Por, ky është vetëm një përmirësim i vogël në shkallën e regjistruar gjatë 12 muajve të mëparshëm deri në shtator të vitit 2020, kur ATK regjistroi rreth 20,000 punëtorë më shumë.

Shifrat mund të shpjegohen pjesërisht me punën e rreth 25,00000 personave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, për të ndihmuar/punuar në zgjedhjet parlamentare në shkurt të vitit 2021 dhe 37,000 të tjerë për zgjedhjet lokale në tetor të po atij viti.

Të dhënat e ATK-së tregojnë se në tetor të vitit 2021 janë regjistruar 396.920 punëtorë, 25.374 punëtorë më shumë se në muajin shtator dhe 41.966 më shumë se një vit më parë. Por deri në fund të vitit, diferenca në vitin 2020 ishte vetëm rreth 20,000 punonjës më shumë, me sa duket sepse të punësuarit nga KQZ nuk ishin edhe më tutje të nevojshëm.

Kjo ishte afërsisht e krahasueshme me dhjetorin e vitit 2020, kur kishte rreth 25,000 punëtorë më shumë të regjistruar se në fund të vitit 2019.

Punëtorët e regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës, ATK. Të dhënat nga ATK

Viti/Muaji Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator tetor Nëntor Dhjetor
2019 300,348 306,043 312,518 315,731 318,572 321,174 323,976 323,525 326,039 345,502 341,788 331,787
2020 325,315 333,465 508,001 465,558 321,866 342,013 340,588 341,358 346,021 354,954 353,890 356,783
2021 344,926 354,005 380,714 362,674 363,195 366,391 368,674 369,584 371,546 396,920 392,573 376,972

Ekspertët thonë se rritja e numrit të punëtorëve të regjistruar është kryesisht rezultat i personave që kanë punuar më parë në ekonominë gri, duke u pajisur me kontrata pune pasi kompanitë kërkuan të përfitonin nga fondet e ndihmës të vëna në dispozicion nga qeveria për ta zbutur goditjen si pasojë e kufizimeve për shkak të pandemisë.

Në fund të marsit, Radio Evropa e Lirë citon Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke thënë se një numër i konsiderueshëm i të punësuarve të rinj në fakt janë njerëz që tashmë punonin në mënyrë joformale, por më pas ishin pajisur me kontrata pune.

Në të vërtetë, nën një paketë fiskale emergjente COVID-19 të iniciuar nga qeveria e mëparshme, jetëshkurtër e Kurtit, përpara se ta linte detyrën si kryeministër në qershor të vitit 2020, bizneset ishin të detyruara t’i regjistronin zyrtarisht punëtorët e tyre në rast se donin të përfitonin nga paketa fiskale emergjente.

Në korrik të vitit të kaluar, qeveria e dytë e Kurtit e miratoi një paketë për rimëkëmbjen ekonomike me vlerë 410 milionë euro dhe më pas në muajin gusht i ndau 15 milionë euro të tjera për ta stimuluar ri-punësimin e atyre që humbën punën gjatë pandemisë, duke i mbështetur punonjësit e regjistruar dhe duke inkurajuar punësimin e femrave. Deri në muajin qershor të këtij viti, bizneset do të marrin ndihmë shtetërore në vlerën 10 për qind të pagës së çdo punonjësi, duke i dhënë atyre një nxitje shtesë për legalizimin e punësimit.

Rritja e pagës minimale mund të ketë efekt të kundërt

Ekonomia gri e Kosovës përbën rreth 35 për qind të të gjithë aktivitetit ekonomik, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore. Një nivel i tillë informaliteti e bën shumë të vështirë gjykimin e shkallës aktuale të punësimit sipas shifrave të ASK-së.

“Sa i përket formalizimit, asnjëherë nuk mund të thuhet me saktësi të plotë se sa persona janë zyrtarizuar, sepse për tregun e punës ata konsiderohen si punëtorë të rinj sepse nuk kanë qenë të deklaruar më herët si punëtorë në Administratën Tatimore të Kosovës”, ka deklaruar për BIRN zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

Vetëm të dhënat e fuqisë punëtore të ASK-së mund të ndihmojnë në nxjerrjen e përfundimeve të tilla, por edhe ato të dhëna janë vonuar.

Në muajin maj, drejtori i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku, tha për Kallxo Pernine se “nga bizneset që i kemi kontrolluar, rreth 10 për qind e punonjësve kanë rezultuar të jenë të paregjistruar, kryesisht në sektorin e ndërtimit, bujqësisë dhe hotelerisë.”

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, tha për Kallxo Pernime se kompanitë shpesh marrin vendime t’i pajisin punëtorët joformalë me kontratë pune atëherë kur ofrohen stimuj nga qeveria.

Në muajin prill të këtij viti, qeveria mori vendimin që të gjithë pensionistët, studentët, punonjësit e sektorit publik dhe privat dhe ata që janë në ndihmë sociale ta marrin një pagesë njëherëshe 100 euro. “Në momentin që është marrë vendimi për ndihmë prej 100 euro, zyra jonë ka qenë e mbushur me punëtorë që kanë ardhur për t’u verifikuar nëse janë të regjistruar [në ATK]”, tha Azemi.

Mirëpo, ndërkohë që masat e qeverisë duket se kanë nxitur disa biznese të t’i pajisin punëtorët informalë me kontrata formale, premtimi i i qeverisë për ta rritur pagën minimale mund të ketë kundërefekt, thonë disa ekspertë.

Kurti dëshiron që paga minimale të rritet nga 170 euro në 250 euro neto [264 euro bruto] në muaj, në përfitim të, siç tha ai, rreth 100,000 punëtorëve.

Megjithatë, një raport i vitit 2020 nga Banka Botërore paralajmëroi se një rritje në 250 euro bruto do të rezultonte në një rritje të papunësisë prej 0.6 për qind për shkak të paaftësisë së disa bizneseve për të paguar./BalkanInsight