Foto Ilustrim

Vodhi Katër Thasë me Barna

Pas grumbullimit të informatave dhe hetimeve intensive, Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor Kaçanik ka identifikuar dhe e ka arrestuar, Bujar D. (33 vjeç), i dyshuar se e ka kryer veprën penale të ‘Vjedhjes së rëndë’ , një ditë më parë, në barnatoren “Rigoni” në Kaçanik, ku janë vjedhur një sasi e barnave të ndryshëm si dhe 150 euro para të gatshme, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë rajonale në Ferizaj, Agim Gashi.

Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari e ka pranuar se vjedhjen e ka kryer së bashku me një person tjetër , i cili të premten është sjellë në lokalet e policisë dhe është intervistuar.

Te i dyshuari, gjatë bastisjes së shtëpisë, janë gjetur edhe prova materiale: katër thasë me barna të ndryshme, vlera e të cilave llogaritet në rreth 3 500 euro.

Me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalesës policore deri në kompletimin e lëndës.