Foto: Twitter- Emmanuel Macron

Vladimir Putin: "Më parë do të luaj hokej mbi akull sesa të zhvilloj bisedime paqeje me Bidenin"

Lideri rus i ka bërë disa komente kundërshtuese gjatë një telefonate të tensionuar me presidentin francez vetëm katër ditë para pushtimit të Ukrainës.

Një Vladimir Putin përçmues i ka thënë Presidentit francez Emmanuel Macron se më parë do të “luante hokej mbi akull” sesa ta merrte një vendim nëse do të takohej me Presidentin amerikan Joe Biden për ta shmangur luftën në Ukrainë, vetëm katër ditë para se ai ta pushtonte atë.

Anashkalimi i presidentit rus u bë në fund të një bisede nëntëminutëshe të tensionuar dhe shpesh surrealiste me Presidentin Macron që do të transmetohet në një dokumentar të enjten në France 2, kanali kryesor televiziv shtetëror.

Sipas ‘C A Vous’ (It’s Over To You), emisioni i kanalit televiziv të France 5 që i transmeton fragmentet e para, dokumentari e transmeton gjithashtu një tjetër bisedë midis Macron dhe kryeministrit britanik Boris Johnson vetëm dy ditë para pushtimit.

Në të, kryeministri i shpreh rezervat e tij për përpjekjet e Macron për të dialoguar me autokratin rus, duke i thënë: “Sa herë që flasim me Vladimir Putin, kam përshtypjen se ai është më agresiv, më duket se tingëllojmë paksa të dobët. Ai dëshiron të marrë atë që dëshiron. Nuk do të ndalet me kaq.”

Nën kritikat për pretendimet se ai ka qenë shumë i sjellshëm me Putinin, me të cilin ka folur dhjetëra herë para dhe pas pushtimit, Macron vendosi qartë se mënyra më e mirë për ta treguar një realitet më të nuancuar ishte t’i ftonte kamerat në zyrën e tij.

“Vladimir, së pari një gjë!”, dëgjohet duke thënë Macron në fillim të bisedës, e cila u zhvillua në mëngjesin e 20 shkurtit, ndërkohë që lideri francez bëri atë që doli të ishte një përpjekje e pafrytshme për ta ndaluar Rusinë që të futej në luftë. “Dëgjo, Emanuel”, ia ndërpren fjalën atij lideri rus.

Të dy burrat e përdorin formën joformale “ti” për t’iu drejtuar njëri-tjetrit.

E thënë troç, presidenti 44-vjeçar francez pyet: “Dëshiroj që së pari të më jepni leximin tuaj të situatës dhe ndoshta drejtpërdrejt, siç e kemi zakon, të më tregoni se cilat janë qëllimet tuaja”.

“Çfarë mund të them? Ju vetë e shihni se çfarë po ndodh,” përgjigjet Putin, duke e akuzuar Ukrainën për shkeljen e marrëveshjeve të Minskut që e reduktuan shkallën e një konflikti që shpërtheu në vitin 2014.

Ai kritikon presidentin properëndimor të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke akuzuar në mënyrë të rreme Kievin se është në kërkim të një armë bërthamore.

“Broçkulla”, mund të dëgjohet duke bërtitur këshilltari diplomatik me ndikim i Macron në Elysee, Emmanuel Bonne.

“Në fakt, kolegu ynë i dashur Zelensky nuk po bën asgjë” për t’i zbatuar marrëveshjet e Minskut, pretendon Putin. “Ai po ju gënjen”, shton ai.

Putin më pas argumenton se propozimet e separatistëve në Ukrainën lindore duhet të merren parasysh. “Por neve nuk na interesojnë propozimet e separatistëve”, thotë Macron.

“Nuk e di nëse këshilltari juaj ligjor e ka mësuar ligjin! Sa për mua, unë thjesht shikoj tekstet dhe përpiqem t’i zbatoj ato,” thotë Macron. “Unë nuk e di se cili këshilltar ligjor mund t’ju thotë se në një vend sovran, tekstet legjislative propozohen nga separatistët dhe jo nga autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike.”

“Kjo është mirë,” dëgjohet të thotë një këshilltar diplomatik.

“Nuk është një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike,” përgjigjet Putin. “Ata fituan pushtetin përmes një grushti të përgjakshëm. Njerëzit u dogjën të gjallë. Ishte një gjakderdhje. Dhe Zelensky është një nga fajtorët.

Pavarësisht tensionit, Macron kërkon gjithashtu ta luajë rolin e ndërmjetësit, duke thënë se do t’i kërkojë Zelensky-t që t’i “qetësojë të gjithë” jo vetëm në forcat e armatosura të Ukrainës, por edhe në mediat sociale.

“Mos u dorëzoni ndaj provokimeve të asnjë lloji në orët dhe ditët në vijim”, thotë Putin.

Telefonata përfundon me Macron duke i sugjeruar Putinit që ta mbajë një samit me Biden, presidentin e SHBA.

Putin duket i papërkushtuar, duke thënë se do t’i duhet të përgatitet plotësisht. Në fakt, samiti nuk u zhvillua kurrë, pavarësisht njoftimeve nga Elysée se një gjë e tillë do të ndodhte.

“Të jem i sinqertë, doja të shkoja të luaja hokej mbi akull”

Megjithatë, pothuajse si një mendim i mëvonshëm, presidenti rus e thotë një fjali cinike.

“Për të qenë i sinqertë, doja të shkoja të luaja hokej mbi akull. Këtu po ju flas nga salla e sportit para se të filloj me sforcimin fizik. Por fillimisht do të flas me këshilltarët e mi”, shton ai.

I patrazuar, Macron thotë: “Faleminderit në çdo rast Vladimir. Ne do të qëndrojmë në kontakt në kohë reale. Nëse ka diçka, më telefononi.”

“Unë ju falënderoj President,” thotë Putin, duke e thënë këtë në frëngjisht.

Macron flet sërish me Putinin një ditë më vonë, më 21 shkurt. Mirëpo më 24 shkurt, Rusia nis pushtimin e Ukrainës.

Atë natë, dokumentari përsëri pati qasje në bisedën e parë të Macron me Zelenskyn pasi raketat ruse goditën Kievin.

“Tani ata janë në Kiev. Ata po luftojnë në Kiev,” thotë presidenti ukrainas.

“Ata janë me forca speciale dhe helikopterë apo…?”, pyet Macron i shqetësuar.

“Po, aeroplanë dhe helikopterë, gjithçka. I shohim në media, e shohim kudo, shumë prej tyre”, u përgjigj homologu i tij ukrainas.

“A keni ndonjë ide se sa civilë janë vrarë tashmë?” pyet Macron.

“Jo, mijëra…”, është përgjigjja.

“Po ti, a je vetë në siguri?”

“Mendoj se po,” u përgjigj Zelensky.

Presidenti ka bërë telefonata të mëtejshme me Putinin edhe pas fillimit të pushtimit, duke përfshirë edhe vetë 24 shkurtin, por ato biseda pak a shumë janë zvenitur.

Ai gjithmonë ka këmbëngulur se diplomacia ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por gjithashtu u përball me kritika që më në fund bëri një udhëtim në Kiev për ta mbështetur Zelenskyn vetëm javën e kaluar dhe jo më parë.

Kur u pyet nga prezantuesja e ‘C A Vous’ Anne-Elisabeth Lemoine pse Macron vazhdoi të përpiqej ta bindte Putinin kur edhe këshilltari i tij më i afërt diplomatik e pranonte se “gënjeshtra është një pjesë integrale e strategjisë së Putinit”, gazetari Guy Lagache tha se presidenti francez i tha: “Kjo është e vërtetë që ai ka logjikën e tij, por nëse mund t’i bëjmë mendjet të lëvizin pak, atëherë mund të ketë një efekt.”

Megjithatë, në një intervistë vetëm pak ditë më parë, kur Macron më në fund udhëtoi për në Kiev, Macron pranoi: “Ne nuk arritëm ta bindim Putinin dhe ai e pushtoi Ukrainën”.

“Mendova se mund të gjejmë, përmes besimit dhe diskutimit intelektual, një shteg daljeje me Putinin”, shtoi ai.

I pyetur nëse mendonte se Putin është një njeri i rrezikshëm, ai tha: “Unë asnjëherë nuk do t’ua them se çfarë mendoj”./The Telegraph

Përgatiti: Nuhi Shala