Vjosa Osmani dhe LDK – Sërish në udhëkryq

Vjosa Osmani dhe krahu tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë vazhduar kundërshtimet publike ndërmjet tyre, në kohën kur LDK-ja është shprehur tejet e gatshme të formojë një qeveri gjithëpërfshirëse pasi inicioi tërheqjen e besimit ndaj ekzekutivit në krye me Albin Kurtin, në Kuvendin e Kosovës më 25 mars.

Të martën, polemika e Osmanit në cilësinë e kryeparlamentares me deputetin e LDK-së Driton Selmanaj, u bë kryetemë nga seanca e Kuvendit të Kosovës e cila ishte thirrur nga opozita, për shkak të situatës me coronavirusin.

Osmani ia kishte ndërprerë fjalën bashkëpartiakut të saj, me arsyetimin se nuk do të lejojë ofendimet, përderisa ky i fundit qasjen e koleges e quajti autoritare.

Por tonaliteti i kryetares së Kuvendit ndaj deputetit të LDK-së, u interpretua kryekëput si ndërlidhje me kundërshtimet mes saj dhe zyrtarëve të tjerë të partisë, që votuan rrëzimin e qeverisë, tashmë në detyrë dhe që po kritikojnë punën e saj.

Duke mos mjaftuar kjo, LDK-ja në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të së enjtes ia bllokoi nismën legjislative të Osmanit, e cila një ditë më herët inicioi një Projektligj për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Kryesia u mblodh për të shqyrtuar edhe dy projektligje të tjera që kishin të bëjnë me pandeminë, si dhe për t’i inicuar të njëjtat në qeveri për mendim, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Përfaqësuesit e LDK-së lëshuan mbledhjen me arsyetimin se qeveria në detyrë nuk mund të jap mendime për ligje. Kurse, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi mohoi se kjo kishte të bënte me faktin se njëri projektligj ishte inicuar nga Vjosa Osmani.

“S’ka të bëjë hiç me zonjën Osmani kjo, ka të bëjë me raportet me qeverinë, sepse kjo nismë legjisative duhet të shkojë në qeveri për mendim sipas rregullores, ose duhet të ndryshohet rregullorja”, tha Gashi para gazetarëve.

Ndërsa, sipas një njoftimi të legjisltivit në këtë mbledhje Osmani ka theksuar se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e potencon rolin themelor të Kuvendit që të rregullojë me ligj të veçantë kufizimin e të drejtave e të lirive të njeriut në kohë pandemie.

Prandaj, sipas saj, Kuvendi duhet ta ndërmarrë një hap të tillë sepse është në interes të shëndetit publik.

Gjykata Kushtetuese në fund të marsit, kishte vendosuir se vendimi i Qeverisë në detyrë i marrë me 23 mars 2020 për kufizimin e lëvizjes nuk ka qenë  në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ajo ka shtuar se pavarësisht mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, Kuvendi është funksional, ndaj duhet ta ushtrojë kompetencën thelbësore të tij, që është ligjbërja.

“Në fund të mbledhjes, anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e grupeve që ishin të pranishëm u dakorduan që Kryetarja e Kuvendit së  shpejti t`i takojë shefat e grupeve parlamentare që të tentojë sërish të harmonizojë qëndrimet në lidhje me arritjen e konsensusit për procedimin e mëtejmë të tri nismave legjislative”, thuhej në njoftim.

Në anën tjetër nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje thanë se LDK-ja është e përkushtuar në luftën ndaj qeverisë në detyrë dhe jo të pandemisë.

“LDK-ja në mendje e ka një ‘corona-koalicion’ që po e paramendon ta bëjë me presidentin Thaçi dhe disa parti të tjera”, deklaroi Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi.

Pas rrëzimit të qeverisë me një mocion mosbesimi inicuar nga partneri qeverisës i Albin Kurtit, LDK-ja kjo e fundit është shprehur e hapur ta formojë një qeveri të re nëse i ipet e drejta, bashkë me AAK-në, Nismës Socialdemokrate e AKR-në, për të cilën mori mbështetje edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë, por me 6 vota kundër dhe disa abstenime.

Ndërkaq, nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani është shprehur në mënyrë kategorike kundër çfarëdo koalicioni të mundshëm me partitë e bllokut të njohur si PAN.

Këto zhvillime kanë ardhur pasi partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 –LVV-ja nuk po i dërgon presidentit Hashim Thaçi emrin e mandatarit për formimin e qeverisë, ndonëse mes vete kanë shkëmbyer disa letra.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e ka akzuar presidentin Thaçi për standard të dyfishtë, pasi sipas tij ai po koordinohet me partitë tjera për të mandatuar një qeveri uniteti. Ai ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas mbarimit të pandemisë COVID-19.

Raporti Kuvend-Qeveri në hartimin e projektligjeve

Bllokimi i nismave legjislative për të kërkuar mendim në qeveri, po vlerësohen të jenë më shumë të natyrës politike sesa që ka kufizime ligjore për të mos u marr një inicitaivë nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Njohësi i punës së legjislativit, Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus (D+) thotë për KALLXO.com se Kuvendi i Kosovës i ka tri funksione themelore të cilat ia garanton Kushtetuta.

“Të hartojë të shqyrtojë dhe të miratojë ligje, të mbikqyrë punën e Qeverisë dhe të përfaqësojë qytetarët. Këto funksione nuk mund të pezullohen për asnjë moment përderisa Kuvendi ka mandat, me përjashtim kur shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje”, thekson ai.

Sipas tij, puna e legjislativit uk mund të pezullohet tani për shkak se ka një qeveri e cila është në detyrë.

“Qeveria në detyrë ka kufizime vetëm sa i përket programit të saj që nuk do të duhej ta zbatonte, nuk do të duhej të bënte emërime dhe shkarkime të posoteve të rëndësishme siç është duke i bërë aktualisht, pra do të duhej t’i kryente vetëm këto funksionet e domosdoshme të cilat i kërkohen gjatë kësaj kohe sa është qeveri kujdestare”, thekson Krasniqi.

Ai tutje sqaron se kur është puna te hartimi i projektligjeve, Kuvendi ka për obligim që kur ka vetë nisma ligjore të kërkojë një mendim nga qeveria, por se ky mendim nuk është detyrues për Kuvendin.

“Por është më shumë një formë e konsultimit e që qeveria mund të përgjigjet, por mund edhe të mos përgjgijet për shkak se qeveria nuk është e obliguar të kthejë përgjigje në këto kërkesat e Kuvendit. Madje edhe për rastet kur qeveria përgjiogjet është më shumë një vlerësim teknik, nëse iniciativea ligjore ka implikime financiare dhe cilat janë ato dhe nëse është në përputhje me praktikat e BE-së”, thotë Krasniqi për KALLXO.com.

Krasniqi nuk sheh ndonjë kufizim që Kuvendi të mos mund të ketë iniciativë ligjore të cilat kanë të bëjnë me situatën nga pandemia.

“Kështu që pengesat të cilat janë bërë më shumë janë të natyrës politike pasi nuk ka vullnet politik sesa që ka kufizime ligjore për të mos u marr një inicitaivë e tillë. Për shkak se në fund është Kuvendi ai i cili vendos nëse do të miratojë ose jo, por nuk do të duhej ta bllokonte për shkak të interpretimeve të gabuara të cilat i bëhen situatës, shtoi ai.

Sipas Krasniqit LDK-ja, po pret që vetë ta formojë qeverinë dhe pastaj vetë t’i shtyjë përpara këto iniciativa.

Në Kosovë nga coronavirusi janë konfirmuar më shumë se 440 pacientë, përderisa qytetarëve u lejohet të dalin jashtë shtëpive të tyre për vetëm 90 minuta gjatë ditës.