Vjetrimi i Lëndës e Liron nga Akuza për Falsifikim (TV)

Ali Azemi, kryetari i Sindikatës së ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj mund të dënohej me një vit burg dhe gjobë, për falsifikim nënshkrimesh, sikur aktakuza ndaj tij të mos konsiderohej e vjetruar të marten, nga vetë ndjekësi i tij, prokurori i çështjes Burim Çerkini.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Ali Azemit më 1 dhjetor 2008, me dyshimin e bazuar se kryesindikalisti kishte falsifikuar nënshkrimet e disa punëtorëve të Fabrikës së Tubave.

Sindikata e kësaj fabrike është e përfshirë në një “betejë” të gjatë ligjore me qeverinë dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke kërkuar prej tyre kompensim material për largimin e padrejtë nga puna në periudhën dhjetëvjeçare 1989-1999.

Në vitin 1989 punëtorët e kësaj fabrike ishin larguar nga puna prej organeve të dhunshme të instaluara në fabrikë në kohën e regjimit të Millosheviqit.

Ish-Gjykata Komunale e Ferizajt me një vendim të vitit 2002 u dha të drejtë për kompensim punëtorëve të fabrikës, ndërsa Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 obligoi qeverinë dhe AKP-në që t’a kryejnë këtë kompensim.

Gjykata në vitin 2002 kërkoi 26 milionë euro kompensim për punëtorët e Fabrikës së Tubave, të cilat punëtorët nuk i kanë marrë ende.

Kryesindikalisti i ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave Ali Azemi akuzohej se kishte falsifikuar disa nënshkrime të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje, për ta bartur lëndën gjyqësore të kësaj fabrike nga një avokat te tjetri.

Prokurori gjatë arsyetimit të tij në seancën e së martës deklaroi se në këtë rast është arritur parashkrimi(vjetrimi) absolut i lëndës, çka e bën të pamundur ndjekjen penale.

Në Kodin Penal të Kosovës parashihet afati i vjetrimit të një lënde, varësisht nga natyra e veprës së kryer penale.

Për veprën penale falsifikim, të dënueshme me gjobë dhe me kohëzgjatje burgimi deri në një vit, vjetrimi(parashkrimi) parashikohet të ndodhë tre vjet pas kryerjes së një vepreje të tillë, me nenin 106, pikën 1.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pasi prokurori paraqiti arsyetimin, gjykatësi i kësaj çështjeje Elmaz Zenuni tha se palët e pakënaqura mund të ankoheshin në Gjykatën e Apelit për vendimin e pushimit të ndjekjes penale ndaj Ali Azemit.

Në seancën e së martës, sikur lënda të mos ishte parashkruar, parashikohej të dëshmonin shtatë persona, ndërsa vetëm tre prej tyre ishin të pranishëm në sallën e Gjykatës Themelore të Ferizajt.