Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Vizita e Bidenit në Evropë e ka përmbushur një qëllim kyç

Gjatë vizitës së tij në Poloni ditë më parë, Presidenti Joe Biden mbajti një fjalim të pasionuar, historik, duke e cilësuar luftën në Ukrainë si pjesë të një lufte epokale midis demokracisë dhe autokracisë. “Kjo është detyra e kohës sonë, detyra e kësaj gjenerate”. Ishte kulmi i një udhëtimi në të cilin ai ndërtoi përgjigjen e Perëndimit ndaj sulmit të presidentit rus Vladimir Putin. Ai e lidhi sulmin e Putinit ndaj një fqinji demokrat me ngjarje që kemi parë diku tjetër, pasi “forcat e autokracisë janë ringjallur në të gjithë globin”. Në mënyrë të habitshme, ai e mbylli fjalimin e tij duke deklaruar: “Për hir të Zotit, ky njeri [Putin] nuk mund të qëndrojë në pushtet!”.

Misioni i Biden në Evropë këtë javë kishte një qëllim kryesor: ta parandalonte presidentin rus Vladimir Putin ta fitonte luftën e tij në Ukrainë. Dhe ta bënte këtë pa i nxitur instinktet më të këqija të Putinit, të cilat mund ta kthejnë luftën në Ukrainë në prelud të diçkaje edhe më katastrofike. Mirëpo fjalimi i Bidenit në Varshavë tregoi se ai beson se disfata e Putinit mund ta ndryshojë valën autokratike në të gjithë botën në vitet e fundit.

Është një ecje mbi litar që kërkon ekuilibër të hollë. Ne nuk do ta dimë nëse Biden pati sukses të menjëhershëm, por ajo që është e qartë është se Biden po ecën përpara – diçka që nuk mund të thuhet për forcat e Putinit të mbërthyera në Ukrainë. Dhe ndërkohë që Biden e shpjegon planin e tij dhe kërkon mbështetjen evropiane për të, toni i tij ka qenë i lehtë ndaj arrogancës dhe i palëkundur në bindje.

Për muaj të tërë, Biden ka pohuar se qasja e duhur për trajtimin e kësaj krize është ta forcojë mbrojtjen e Ukrainës, t’i mbledhë aleatët e Amerikës dhe komunitetin ndërkombëtar dhe t’i jap zë shkeljeve të Putinit. Ai i ka bërë të gjitha këto duke u përpjekur t’i mbajë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n jashtë luftimeve të drejtpërdrejta me Rusinë.

Ndërkohë, makineria ushtarake e Putinit po bombardon dhe vret civilët me qindra sosh, duke i sulmuar spitalet dhe objektet e kujdesit shëndetësor, ndërtesat e banimit dhe strehimoret e civilëve. Vuajtjet e popullit ukrainas janë të paimagjinueshme. Por Putini, deri më tani, nuk po i arrin objektivat e tij.

Ajo që Putini donte ishte e dukshme në një editorial të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve që e shpallte fitoren, botuar në dukje i rastësishëm por që u largua më pas shumë shpejt. Disa ditë pas fillimit të luftës, ajo njoftoi se “dominimi global” i Perëndimit ka marrë fund dhe “Ukraina është kthyer në Rusi”. Nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Sfidat për Bidenin dhe Perëndimin nuk po bëhen më të lehta. Sa më keq të performojnë forcat e Putinit, aq më i rrezikshëm bëhet lideri rus. Njerëzit e fortë nuk mund të mbijetojnë nëse duken të dobët. Dy dekadat e Putinit në pushtet u ndërtuan mbi represionin brutal të një rebelimi në Çeçeni – e ndjekur nga shfaqje të tjera të përdorimit të forcës brenda dhe jashtë vendit. Vetë legjitimiteti i tij varet nga arritja e fitores.

Tani, inteligjenca amerikane beson se një Putin i frustruar mund të jetë duke planifikuar të përdorë armë kimike ose biologjike. Edhe më keq, zëdhënësi i Kremlinit refuzoi të mohonte nëse Rusia do të përdorte armë bërthamore nëse ky vend do të përballej me një kërcënim ekzistencial. Por çfarë saktësisht do të thotë kjo?

E mbani mend “L’etat, c’est moi” (“shteti, jam unë”) i Louis XIV? Diktatorët e mbifuqishëm mendojnë se janë shteti. Nëse Putin ndjen një kërcënim ekzistencial kundër vetes, sa larg do të shkonte?

Në takimet në Bruksel me zyrtarët e NATO-s, G-7 dhe Bashkimit Evropian, dhe më vonë në Poloni, ku trupat amerikane janë vendosur pranë kufirit me Ukrainën, Biden e ndërtoi strategjinë e tij të shumëanshme – armë më shumë dhe më të mira për Ukrainën; forca ushtarake më të forta dhe më të mëdha në tokën e NATO-s; sanksione ekonomike më të forta dhe më efektive kundër Rusisë; dhe e ka zgjeruar mbështetjen për ukrainasit që ikin nga luftimet. Siç e përshkroi shkrimtari veteran George ëill, Biden “ka orkestruar një simfoni sanksionesh dhe dërgesash me armatime”.

Instrumenti më i fundit është një plan për ta larguar Evropën nga nafta dhe gazi rus, të cilin, siç tha Biden, Rusia e përdor për t’i “detyruar dhe manipuluar fqinjët e saj” dhe për “ta përzënë makinerinë e tij të luftës”. Çdo përpjekje e SHBA-së për ta ndihmuar Evropën ta reduktojë varësinë e saj nga Rusia është jo vetëm e drejtë “nga pikëpamja morale”, tha ai, por “do të na vendosë në një bazë strategjike më të fortë”.

Natyrisht, Biden mund ta kishte thënë të njëjtën gjë për të gjithë përpjekjen për ta mposhtur fushatën e Rusisë kundër Ukrainës dhe Perëndimit.

Fqinjët e Rusisë, ata brenda dhe jashtë NATO-s, janë bërë me të drejtë nervozë. Qëllimi i Putinit është pothuajse kozmik. Ai dëshiron ta kthejë kohën pas, t’i rivendosë territoret ish-sovjetike nën kontrollin e Moskës dhe ta rivendosë sferën e ndikimit të Rusisë. Fqinjët e tij e kanë përjetuar jetën nën çizmet e Kremlinit. Ata duan ta ruajnë pavarësinë e tyre.

Tani për tani, në vend që ta pushtojë Ukrainën, Rusia është zhytur në atë që duket si një fatkeqësi strategjike me përmasa historike. Shumë prej nesh paralajmëruam se Putini po po i bënte gabim llogaritë e tij, se planet e tij mund të shkojnë keq. Por një muaj nuk është një kohë e gjatë. Luftërat që dukej se ishin fituar në ditët e para pësuan humbje më vonë (pyetni këdo që luftoi në Afganistan, për sovjetikët ose më vonë për NATO-n).

E megjithatë, ka diçka që padiskutim po shkon mirë për ata që duan ta ndalojnë Putinin. Një muaj pas luftës, forcat ruse po humbasin trupat me një ritëm të shpejtë dhe po përpiqen t’i ruajnë arritjet e tyre në Ukrainë.

Merita, mbi të gjitha, u shkon ukrainasve; luftëtarët e tyre, udhëheqësit e tyre – tubimi i Presidentit Volodymyr Zelensky për kombin e tij dhe komunitetin ndërkombëtar – dhe njerëzit e zakonshëm që kanë punuar për ta mbrojtur vendin e tyre dhe për t’i mbështetur ata që janë larguar.

Por Ukraina ka qenë në gjendje të mos zmbrapset kundër një prej forcave më të mëdha ushtarake në botë në një masë të madhe, sepse ajo ka marrë burime kaq masive nga Perëndimi, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ishte inteligjenca amerikane që i shpërfaqi për botën përgatitjet e Rusisë për ta pushtuar dhe planet e saj për të krijuar një pretekst për një sulm. Është Amerika dhe aleatët e saj në NATO, që kanë dërguar mal me armë për t’i ndihmuar ukrainasit t’i godasin sulmuesit e tyre. Ukraina ka nevojë për më shumë, natyrisht, siç e kërkon Zelensky vazhdimisht, kuptohet.

Strategjia e Biden-it jo vetëm që ka ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës, ajo ka ndihmuar gjithashtu ta kthejë këtë debakël në një katastrofë gjeopolitike për Putinin, duke treguar se Rusia, e udhëhequr nga një diktator, është qartë agresori kundër një vendi të ri demokratik që përpiqet të mbetet i lirë.

Presidentët amerikanë kanë udhëtuar në Evropë për dekada me qëllim – me një përjashtim famëkeq – për ta shpallur forcën dhe unitetin e aleancës perëndimore. Ky udhëtim ishte ndryshe. Biden mbërriti gjatë një lufte të furishme në kontinentin evropian, mes kërcënimeve për sulme bërthamore dhe me miliona refugjatë që vërshuan nga Ukraina.

Me hapa të kujdesshëm, Biden tregoi se SHBA është ende, apo vazhdon të jetë, lideri i padiskutueshëm i botës së lirë. Vetë ai term, “botë e lirë”, që vetëm kohët e fundit dukej një anakronizëm, tani është ringjallur nga një udhëheqës agresiv rus i vendosur për ta rivendosur një perandori në rënie. Megalomania e tij mund të pengohet me ndihmën e një presidenti amerikan, i cili i kujton mjaft mirë ditët e vjetra sa të jetë në gjendje ta kuptojë se ajo duhet të ndalet./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala