Foto kortezi nga Lebibe Topalli

Vizioni Urban: Piktorja e transformon qytetin përmes muraleve

Lebibe Topalli po i mbulon muret e vendlindjes së saj me piktura muralesh të ndritshme – duke e ndryshuar Ferizajn dhe duke i sfiduar stereotipet për gratë në të njëjtën kohë.

Disa vite më parë në Ferizaj, njerëzit me plot kurreshtje ngrinin kokat lart kur shihnin një grua hipur në një vinç teksa ngjyroste muret e qytetit. Mirëpo, tani një pamje e tillë është veç një rutinë.

Lebibe Topalli është e lumtur që i ka thyer disa tabu të vjetra.

“Nuk ka qenë e lehtë, kishte shumë paragjykime. Ka qenë diçka e çuditshme ta shohësh një grua në skelë në Ferizaj, apo kudo në Kosovë, mirëpo besoj se tash krejt kjo shihet si diçka normale,” tha Lebibja për BIRN në një intervistë. “Vajzat e reja tash e kanë shumë më të lehtë, tani tabuja është thyer,” thotë ajo.

Qyteti i Ferizajt po bëhet një qendër për artistët që pikturojnë murale në të gjitha ndërtesat e vjetra.

Synimi i Lebibes 37 vjeçare e cila e udhëheqë një OJQ lokale, MuralFest, është i thjeshtë: të ndryshojë pamjen e qytetit duke i mbuluar muret e tij me imazhe të mëdha dhe të ndritshme.

Ajo e ka bërë këtë që nga viti 2004, dhe e ka intensifikuar punën e saj vitet e fundit, pasi arti i rrugës në Kosovë është bërë më tërheqës si për artistët e rinj ashtu edhe për njerëzit e zakonshëm.

Tani, përveç punës si mësuese pikture në Shkollën e Mesme Artistike të qytetit të saj, ajo drejton MuralFest, i cili mbledh rreth 70 vullnetarë.

Pikënisja në një kamp refugjatësh në Turqi  
Foto kortezi nga Lebibe Topalli

Jeta e Lebibes si artiste nisi kur ajo ishte refugjate me familjen e saj. Kur ndodhi lufta  në Kosovë në mars të vitit 1999, familja e saj gjeti strehim në një kamp refugjatësh turq.

Në moshën 17-vjeçare, Lebibja u detyrua të largohej për shkak të sulmeve serbe në vendlindjen e saj dhe bashkë me familjen e saj iku për në Turqi. Ishte ky një moment që i ndryshoi asaj jetën.

“Si fëmijë, unë isha më shumë një tip shkencor. Isha e mirë në matematikë, falë babait tim që ishte mësues matematike. Arti kishte qenë vetëm një hobi dhe kurrë nuk e imagjinoja se do të bëhesha artiste,” kujton ajo.

Por, në një klasë të improvizuar në kamp, Lebibja pati mundësinë që pikturat e saj t’i shihnin shumë vizitorë, duke përfshirë udhëheqës lokalë dhe gazetarë. Disa prej tyre i dhanë asaj materiale pikture.

“Kam pikturuar të gjitha pjesët e kampit”, thotë ajo duke buzëqeshur. “Ndoshta ishte e çuditshme për të tjerët të shihnin një pikturë të refugjatëve të luftës, por u ndjeva mirë duke e bërë atë. Gjeta qetësinë shpirtërore, duke pikturuar në këto kohë të vështira”, thotë ajo.

Madje ajo u shfaq në një foto të agjencisë së lajmeve Reuters, duke mbajtur në të dyja duart një pikturë të cilën e kishte bërë me shtëpitë e djegura nga forcat serbe.

“Më kujtohet kur një kryebashkiak erdhi një ditë si një prej vizitorëve dhe më kërkoi t’ia shisja pikturat e mia dhe më pyeti se sa doja për to. Unë iu përgjigja: “Më jep sa të duash.” Më dha 1000 marka gjermane [rreth 500 euro], që ishte një çmim mjaft i madh për mua në atë kohë”, kujton ajo.

Por jeta nuk ishte aq e lehtë sa mund ta kishte menduar, pas luftës, kur u kthye në shtëpi dhe filloi të bënte plane për studimet e saj.

Kur mbaroi shkollën e mesme, ajo aplikoi për t’u regjistruar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, mirëpo nuk u pranua.

Kështu, ajo zgjodhi të regjistrohej në Fakultetin e Arteve në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut.

Shndërrimi i qytetit në një galeri të hapur

Për ferizajasit, pamjet me murale në muret e qytetit nuk janë një gjë krejtësisht e re. Shumë gjëra kanë ndryshuar në pamjen urbane të qytetit, por një ndërtesë në qendër të saj e ruan me xhelozi një pikturë të kahmotshme të vitit 1967, ku shfaqet një kamerier që mban në duar një tabaka me dy gota. Gjatë dekadave, kjo figurë është bërë një lloj simboli i qytetit.

“Ferizaj nuk ka pikë tjetër të fortë që të njihet nga të panjohurit dhe të bëhet më tërheqës për turistët. Si artistë e filluam MuralFest-in me synimin që Ferizaj të kthehet në një vend më tërheqës. Ne duam që qyteti të jetë një galeri urbane dhe e kemi nisur këtë”, tha Topalli.

“Prizreni ka DokuFestin, ndaj Ferizaj le të identifikohet me murale”, thotë ajo, duke iu referuar Qytetit të Prizrenit i cili tërheq mijëra vizitorë çdo gusht në festivalin e tij të filmit dokumentar.

Lebibja thotë se mund të jetë e vështirë të gjesh një motiv në art që t’i kënaqë të gjithë. “E gjen vetën në një lloj trekëndëshi, kur qytetarët, artistët dhe ju si organizator duhet të ndiheni mirë me punën që bën”, thotë ajo.

“Ka rregulla edhe në artin urban. Ndryshe është nëse pikturon fshehurazi mbishkrime gjatë natës dhe askush nuk e di se kush e ka bërë atë. Ne bëjmë art për qytetarët dhe duhet të përcjellim një mesazh përmes tij. Nëse një mural nuk nuk shkakton provokime, mendoj se efekti i tij është më i vogël”, shton Lebibja.

“Ne nuk bëjmë art ofendues, që u jep qytetarëve ndjenja të këqija. Dhe kur artistë të huaj vijnë këtu për të pikturuar murale, ndeshen gjithmonë me mikpritjen e qytetarëve”, thotë ajo.

Në vitin 2019, Lebibja organizoi një ekspozitë me piktura mbi të drejtat e grave duke u fokusuar në hezitimin e shoqërisë për t’i pranuar gratë si të barabarta. “Unë i prezantoja gratë në një mënyrë më ekspresive, në mënyrën që duan më shumë liri,” kujton ajo.

Arti nuk do të duhej të ngjall urrejtje
Foto kortezi nga Lebibe Topalli

Muajin e kaluar, udhëkryqi i rrugëve Njegosheva dhe Aleks Nenadovic në kryeqytetin serb të Beogradit u bë shkak për një mosmarrëveshje të vazhdueshme midis nacionalistëve dhe aktivistëve të të drejtave civile mbi glorifikimin e një krimineli lufte të dënuar serb boshnjak, Ratko Mlladiq.

Një mural i Mlladiqit, i dënuar, ndër të tjera, edhe për gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, u pikturua në një ndërtesë në një udhëkryq rruge në muajin korrik. Dështimi i mëvonshëm i autoriteteve për ta hequr atë nxjerr në pah mosgatishmërinë ose paaftësinë e tyre për t’u përballur me nacionalistët ekstremë serbë, të cilët ende e shohin Mlladiqin si një hero.

Shërbimi i inspektimit komunal i urdhëroi banorët e ndërtesës në të cilën është pikturuar murali që ta heqin atë në muajin shtator – por asnjë kompani nuk pranonte ta bënte një gjë të tillë.

Duke reflektuar mbi këtë dhe murale të tjera të drejtuara nga nacionalistët, Lebibja thotë se arti nuk duhet t’u shërbejë ideologjive të tilla të urrejtjes. “Kjo është tendencioze dhe krijon urrejtje. Arti nuk duhet të krijojë urrejtje. Artistët duhet ta përcjellin paqen”, thotë Lebibja.

“Ne përpiqemi të jemi të kujdesshëm me atë që bëjmë. Ne i shmangim simbolet shtetërore në veprat tona. Ato nuk duhet të trajtohen në art”, shton ajo.

Puna për muret për vitin 2020 ndërkohë ka përfunduar, dhe mendja e Lebibes është e fokusuar në atë që mund të sjellë viti i ardhshëm në muret e Ferizajt.

Ajo ka diçka në mendje, por gjithçka varet nga tema që zgjedh MuralFest. “Ka një mur të madh në qytet. Shpesh e shikoj dhe mendoj për muralin që mund të bëja”, mendon Lebibja.

“Nëse zgjedhim një temë sociale për vitin e ardhshëm, unë mund të pikturoj një mural kushtuar grave dhe nënave tona. Gjyshet tona kanë sakrifikuar shumë për ne – dhe ne duhet ta pranojmë këtë,” përfundon ajo.

Ky shkrim fillimisht është botuar në Balkan Insight.