Ilustrimi: KALLXO.com

Viti zgjedhor, me pak apo shumë zgjidhje?

Me metafora elektorale, prelude tipike parazgjedhore dhe zotime groteske, fundi i vitit 2024 i zuri kandidatët për kryeministër të ardhshëm të Kosovës duke u munduar të mbledhin vota nëpër kafene, hapësira publike dhe në objekte të ndryshme në Anamoravë, Llap, Dukagjin dhe jo vetëm. Fundi i 365 ditëve të mbushura përplot me zhvillime, është vetëm nisje e një viti zgjedhor në Kosovë. Pavarësisht se a do të ndërrohet pushteti a jo, çka e pret vendin në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, pritet të dihet tek pas 9 shkurtit.

Përderisa pritjet e tanishme janë se kush do të vihet në krye të pushtetit e kush do të marrë vota më shumë; kush nuk do ta kalojë pragun e kush mund të bëhet ndryshimi; e mbi të gjitha si do të formohet Qeveria e re, Kosovën e presin detyra të mëdha gjatë vitit 2025.

Zhvillimi ekonomik, ngritja e nivelit të demokracisë, mundja e varfërisë, zgjidhja e dialogut Kosovë- Serbi, marrëdhëniet me partnerët strategjikë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, njohjet e reja dhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë janë vetëm disa nga sfidat që e presin këdo që do të ulet në krye të vendit.

Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Europë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), njëherësh eksperte dhe hulumtuese e lartë e sigurisë, vlerëson se viti 2025 nuk pritet të jetë i lehtë, jo vetëm për shkak të paqartësisë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe kohës së mundshme që do të nevojitet për formimin e Qeverisë, në rast se do të duhet të krijohet një koalicion mes partive, por edhe për shkak të diskutimeve të mundshme ndërmjet tyre për pozitën e presidentit.

Duke i renditur pritjet në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, një çështje me rëndësi që Emini e thekson si të pranishme në Kosovë, është që këto dy politika janë ngushtë të ndërlidhura dhe ndikojnë në mënyrë të ndërsjellë te njëra-tjetra. Një realitet të tillë, ajo e quan fatkeqësi.

Veçanërisht, sipas saj, politika e jashtme dhe marrëdhëniet e Kosovës me vende strategjike si SHBA-ja dhe shtetet e BE-së, të cilat kanë ndikim në strukturat e Bashkimit Europian, përcaktojnë gjithashtu dinamikat e politikës së brendshme.

“E njëjta gjë vlen edhe për procesin e Dialogut me Serbinë, i cili ndikon negativisht në funksionimin e shtetit dhe në marrëdhëniet me komunitetin serb, që sfidon shtetësinë e Kosovës nga brenda”- tha Emini për KALLXO.com.

Edhe Seb Bytyçi, profesor në Universitetin e Winchesterit në Angli, thotë se pavarësisht rezultateve zgjedhore, pritet që viti 2025 të jetë sfidues për Kosovën, me theks në stabilitetin politik dhe menaxhimin e pritshmërive të qytetarëve.

“Sidomos në tremujorin dhe pjesën e parë të vitit, kemi një periudhë shumë senzitive”- tha ai për KALLXO.com.

E për Valon Murtezajn, profesor i Negocimit Ndërkombëtar, Menaxhimit të Konflikteve dhe Diplomacisë në IESEG School of Management në Francë, viti 2024 përkundër zhvillimeve dhe avancimeve në disa aspekte, nuk ka ofruar zgjidhjet për disa nga projektet madhore për Kosovën dhe se shumica prej tyre do të barten në vitin 2025.

“Në vitin 2024, politika e brendshme ishte tejet energji konsumuese. Kjo shpeshherë për Kosovën ka qenë pengesa kryesore. Ndoshta edhe gjysma e parë e vitit 2025 do të jetë e tillë e lidhur me formimin e qeverisë së re kjo merr kohën e vet”- shprehet Murtezaj për KALLXO.com.

Sfidat e reja dhe të vjetra

Në politikën e brendshme, Donika Emini vlerëson se disa çështje urgjente kërkojnë adresim në vitin 2025, nisur nga reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i qeverisjes së brendshme. Fusha të cilat sipas saj, në raporte ndërkombëtare, nuk kanë qenë pika të forta të qeverisë Kurti 2 gjatë katër viteve të fundit.

“Edhe pse kjo qeveri pretendon të ketë shënuar përparime në qeverisjen e brendshme, presioni për reformat e nevojshme do të jetë i pashmangshëm në një kontekst ku stagnimi ka qenë i dukshëm”- thotë Emini.

“Prandaj, pritet që edhe më tej të vazhdojë shmangia e përgjegjësisë përmes manipulimit me politikën e jashtme dhe Dialogun me Serbinë”- thotë ajo.

Për më tepër, Emini thotë se viti 2025 do të shquhet për sfidat që e presin Kosovën, duke marrë parasysh ndryshimin e administratës në SHBA, që sipas saj, ka sjellë pasiguri për të gjithë kontinentin europian dhe institucionet e reja të BE-së.

“Situatën e vështirë e thellon fakti se në shumë shtete anëtare të BE-së qeveritë aktuale janë duke lëvizur drejt të djathtës ekstreme të cilat janë të vështira për t’u naviguar nga Kosova”- thekson Emini.

Ajo beson që në vitin e ri, përparësitë e Kosovës do të përqendrohen në heqjen e masave të BE-së, të cilat që gati dy vite kanë bllokuar reformat dhe kanë krijuar tensione ndërmjet partnerëve strategjikë të Kosovës. Ekzistenca e këtyre masave, sipas saj, janë një sinjal negativ për Kosovën, duke e renditur atë në të njëjtin grup me vende si Bjellorusia dhe Gjeorgjia.

Valon Murtezaj thotë se përpjekjet e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Europian nuk kanë shënuar hapa vendimtar dhe se është e diskutueshme se cila palë, Kosova apo vet BE-ja, apo të dyja bashkë bënë që progresi të jetë shumë i ngadalshëm.

“Raporti i Komisionit Europian për vitin 2024 ka evidentuar progres në disa  fusha, por ky avancim është përfundimisht i pamjaftueshëm”- thotë ai.

Sipas tij, Kosova nuk jeton e izoluar nga zhvillimet e jashtme, dhe kjo ka ndikim të madh po ashtu në gjithë dinamikën e zhvillimeve brenda në Kosovë dhe rreth saj, si konfliktet në Ukrainë, Izrael-Palestinë, Siri dhe të tjera, të cilat ndikojnë në vëmendjen evropiane dhe amerikane, dhe kjo reflektohet padyshim edhe në angazhimet në relacion me Kosovën.

Në aspektin e politikës së jashtme, Murtezaj thotë se dy angazhime do të duhej të ishin prioritare për Kosovën: njohjet e reja dhe sidomos me fokus në vendet e BE-së, dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.

Murtezaj thotë se këto nuk janë projekte që mund të ndahen nga kontekstet e përgjithshme që rrethojnë Kosovën jashtë, dhe po ashtu varen nga zhvillimet politike brenda.

E, një çështje tjetër tejet e rëndësishme për pushtetin e ri, Donika Emini thotë se pritet të jetë marrëdhënia me SHBA-n, e cila mbetet gjithashtu e paparashikueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se qeveria Kurti në të kaluarën nuk ka pasur raporte të mira me administratën e presidentit të ri, Donald Trump.

“Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të ndërlikuar komunikimi me SHBA-në, një temë që do të dominojë agjendën e vitit 2025”- shton ajo, duke thënë se reformat e brendshme, si zakonisht, do të mbeten në hije për shkak të këtyre sfidave të jashtme.

Emini vlerëson se Qeveria e re do të përballet me sfida në të dy frontet dhe nuk ka më vend për justifikime duke u thirrur në të kaluarën ose në qeveritë e mëparshme. Dhe si rrjedhojë, ajo thotë se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për qeverisjen e saj, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.

Sipas saj, rrethanat për Kosovën nuk po bëhen më të favorshme, dhe politikat e stilit “të ulemi të flasim dhe të ankohemi se bota na ka faj” nuk janë të mjaftueshme.

“Shtetet e kontestuara si Kosova nuk e kanë pasur asnjëherë të lehtë në çfarëdo sistemi ndërkombëtar, prandaj kërkohet punë serioze për të zgjidhur këtë çështje dhe për t’i hapur rrugën ndërtimit demokratik të vendit”- thekson ajo.

Sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Emini thotë se kjo çështje është bërë edhe më sfiduese pas dështimit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.

Sipas saj, dalja e SHBA-së nga UNESCO për pak kohë sa ishte administrata Trump dhe qasjet jokonvencionale ndaj institucioneve multilaterale kanë komplikuar më tej përpjekjet e Kosovës, e cila ka mbështetur kryesisht në kapitalin diplomatik të SHBA-së dhe disa vendeve të BE-së për të siguruar vendin e saj në këto mekanizma.

Seb Bytyçi thotë se sidomos në vitin 2025, çështjet e brendshme do të jenë bosht gjatë këtij viti të ri.

“Koha e formimit të qeverisë dhe natyra e koalicioneve do të luajnë rol kyç, ndërsa dinamika e brendshme politike mund të shënohet nga polarizime të reja dhe pakënaqësi në fusha si energjia elektrike, zhvillimi ekonomik e arsimi”- tha ai për KALLXO.com.

Kurse, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ai thotë se edhe këtë vit do varet nga mbështetja e shteteve tjera, ani pse çështjet e brendshme do të jenë dominante për shkak të vitit zgjedhor.

“Përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare do të varen nga mbështetja ndërkombëtare dhe balanca rajonale”- thotë ai.

Çfarë fati do të ketë Dialogu?

Asnjëri nga kandidatët për kryeministër nuk e ka të njëjtin botëkuptim në lidhje me Dialogun Kosovë- Serbi i cili nisi nga viti 2013, por që ka prodhuar pak marrëveshje ndër vite.

I mbetur mes politikës së brendshme dhe asaj të jashtme, Dialogu mbetet një nga pikat kryesore të politikës me të cilat me vështirësi ndeshet secila parti që vjen në pushtet.

Të katërtat parti politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që kanë kandidat për shef të ekzekutivit kanë pasur fatin të jenë të ulur përballë në tavolinën e Dialogut në Bruksel me zyrtarët e lartë të Serbisë. Megjithatë, ende ekziston një paqartësi në lidhje me këtë proces, ani pse një gjë e tillë nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia, BE dhe shtetet e QUINT-it.

Në këndvështrimin e Donika Eminit, të gjitha qeveritë në Kosovë, pa përjashtim, e kanë përdorur politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë si një mënyrë për t’i ikur përgjegjësive lidhur me llogaridhënien dhe demokratizimin e brendshëm.

Duke marr shembull fushatën parazgjedhore joformale që po ndodhë tanimë, Emini shprehet se gjatë kësaj kohe më shumë diskutohet për marrëdhëniet me Serbinë apo BE-në, sesa për reformat konkrete të brendshme, të cilat janë po aq të rëndësishme dhe urgjente për t’u adresuar.

Nga ana tjetër, Kosova mund të përballet me presione më të mëdha, veçanërisht nëse përfshihen më fuqishëm SHBA-të në Dialog, sidomos në rast të ndonjë marrëveshjeje të përgjithshme, për shembull paketë me Ukrainën, një skenar i cili mbetet i mundshëm”- shton ajo.

Në anën tjetër, profesori Seb Bytyçi thotë se Dialogu Kosovë-Serbi do të mbetet kompleks dhe se pritet presion ndërkombëtar për zgjidhje konkrete, përfshirë çështjen e Asociacionit.

Sipas tij, shtysa nga Komisioni i ri Europian dhe administrata amerikane mund të krijojnë hapësira për përparim në proceset integruese dhe Dialogun me Serbinë.

“Nëse nuk ka ndryshim pushteti, qasja aktuale mund të vazhdojë me ngërç të pjesshëm; në rast ndryshimi, mund të ketë ritëm të ri, me rrezik për kompromis më të madh”- thotë ai.

Valon Murtezaj vlerëson se Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tani kishte vështirësi përmbajtësore, dhe pa hezitim mund të thuhet që kishte shumë pak përparim në këtë proces.

Sipas tij, Serbia mbetet faktori kryesor destruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mungesës së progresit në këtë proces.

“Ajo që i mbetet Qeverisë së Kosovës të bëjë është të jetë proaktive dhe e qartë në objektiva, dhe të tregojë vazhdimisht gatishmërinë e saj për të bërë punën e saj si një vend partner serioz evropian”- tha ai.

Ndërkaq, Emini thotë se pritet të vijojë presioni nga BE-ja për angazhim në Dialog nën udhëheqjen e re të, por edhe për shkak se Kosova do të duhet të intensifikojë përpjekjet për heqjen e masave kufizuese të BE-së, të cilat vlerëson se kanë penguar proceset e rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Ajo thotë se pavarësisht se kush do të jetë në pushtet, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbetet një çështje qendrore nën presion të madh, kjo për shkak të tensioneve dhe eskalimit të situatës së sigurisë në veri, si dhe përpjekjeve të BE-së për të ushtruar presion përmes institucioneve dhe lidershipit të saj të ri që synon të shtyjë përpara këtë proces.

“Nga ana tjetër, presioni mund të rritet edhe nga SHBA, si dhe nga nevoja urgjente që Kosova të angazhohet në këtë çështje, duke marrë parasysh dinamikat e reja gjeopolitike në Evropë”- thotë Emini, duke shtuar se nëse nis një proces negociues me Ukrainën, ekziston mundësia që Kosova të përfshihet në mënyrë indirekte në këto negociata apo marrëveshje të përgjithshme.

E për këto pretendime, Emini thotë se mund të mos i shkojnë për shtat interesave të Kosovës.

“Prandaj, është e rëndësishme që Kosova të veprojë me kreativitet dhe strategji në dialog”- thotë ajo.

Ndërsa çështja e Asociacionit, Emini thotë se do të vazhdojë të jetë një temë e ndjeshme. Sipas saj, në vend të një qasjeje të ashpër kundër këtij procesi, Kosova duhet të hapë një debat të brendshëm për hartimin ose diskutimin e draftit ekzistues të statutit.

“Një qëndrim i palëkundur kundër, pa ofruar ndonjë zgjidhje konkrete për tejkalimin e krizës aktuale, nuk do të mjaftojë”- beson Emini.

Për më tepër, vlerësohet se pozita e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë ka pësuar goditje, sidomos për shkak të masave të vendosura nga BE-ja dhe tensioneve me disa shtete anëtare.

“Këto tensione janë manifestuar qartë në rastin e Këshillit të Evropës, ku çështja e Asociacionit ka qenë një faktor përçarës”- thotë ajo.

E, për fund, Emini thotë se Kosova mund të bëjë presion dhe të lobojë për të marrë një përgjigje për aplikimin e saj për anëtarësim në BE.

Por, edhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe, pasi e gjitha varet nga ecuria e dialogut me Serbinë.