Viti në Pasqyrë

Politika dhe presidenca:

Viti politik i Kosovës filloi me përsëritje të zgjedhjeve në tri komuna më 9 janar dhe në të katërtën, në Mitrovicë, më 23 janar.

Zgjedhjet u mbajtën për shkak të ankesave për mashtrime lidhur më rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të dhjetorit 2010, në të cilat Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, PDK-ja, doli e para me 32 për qind të votave të fituara.

Për dy muajt e parë të vitit shteti vazhdoi të udhëhiqet nga qeveria në dorëheqje e Thaçit.

Kuvendi i ri u mblodh më 22 shkurt për ta zgjedhur Thaçin Kryeministër për një mandat të dytë, për ta udhëhequr koalicionin e ri.

Koalicioni qeverisës përfshinte Partinë e Pavarur Liberale Serbe, SLS, dhe Koalicionin për Kosovë të Re, udhëhequr nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, AKR, Partinë e Drejtësisë dhe pakicat joserbe në kuadër të Grupit Parlamentar 6+.

Po ky kuvend zgjodhi kreun e AKR-së, Behgjet Pacollin, President të Kosovës. Zgjedhja e tij u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Më 28 mars, Gjykata nxori vendim se zgjedhja e Pacollit, i cili kishte dy shtetësi, të Kosovës dhe të Zvicrës, ishte në kundërshtim me kushtetutën.

foto  
Behgjet Pacolli | Foto: mabetex.eu  

 

Kjo ndodhi për shkak të bojkotit të opozitës në seancën e cila e zgjodhi atë, me ç’rast ishin të pranishëm më pak ligjvënës se që kërkohet me Kushtetutë. Pacolli dha dorëheqje të menjëhershme.

Institucionet e Kosovës u bënë tërësisht funksionale më 8 prill, pas zgjedhjes së Atifete Jahjagës me 80 vota. Gruaja e parë Kosovare në krye të shtetit ishte kandidate kompromisi në marrëveshjen e arritur me ndërmjetësim të SHBA-ve ndërmjet Kryeministrit Thaçi, Pacollit dhe kreut të partisë opozitare, Lidhjes Demokratike e Kosovës, LDK, Isa Mustafa.

Palët nënshkruese të marrëveshjes u pajtuan për zbatimin e reformave zgjedhore dhe kushtetuese, duke mundësuar që Presidenti të zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë, jo nga parlamenti, siç është e rregulluar aktualisht.

Palët u pajtuan që t’i realizojnë këto reforma brenda nëntë muajve, t’i mbajnë zgjedhjet presidenciale gjashtë muaj më vonë, si dhe t’i mbajnë zgjedhjet e përgjithshme jo më vonë se 18 muaj pas reformave zgjedhore.

Për shkak të premtimit të tij gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme për ngritjen e pagave të 70,000 shërbyesve civilë me rreth 30 për qind, Kosova nuk arriti t’i përmbush kushtet e FMN-së për marrëveshjen stand-by në vlerë prej 106 milionë eurosh dhe si pasojë, më 1 qershor, humbën qasjen potenciale në asistencën mikrofinanciare.

Pas vonesave të shkaktuara nga zgjedhjet, buxheti i vitit 2011 nuk miratua deri më 31 mars. Kjo hapi rrugë për privatizimin e kompanisë më profitabile publike në vend, Postës dhe Telekomit të Kosovës, PTK.

Gjykimet për krime të luftës:

Në muajin maj u bënë arrestimet e para serioze për krime të luftës. Katër ish komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, duke përfshirë Sabit Gecin, u shpallën fajtorë për vrasjen dhe torturimin e civilëve në Shqipërinë veriore në qendrat e paraburgimit në Kukës dhe Cahan. Në gusht ata morën dënimin prej gjithsej 40 viteve.

foto  
Fatmir Limaj  

 

Misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, nisi më 16 mars edhe një rast të profilit të lartë për krime lufte dhe ngriti akuzë për 10 ish luftëtarë të UÇK-së për krime të ndryshme të luftës kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës më 1999.

I dyshuari më i njohur, Fatmir Limaj, ish ministër i transportit dhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, u arrestua më 22 shtator dhe ende është në gjykim.

Dialogu me Serbinë:

Në mars Kosova dhe Serbia filluan “dialogut teknik” të ndërmjetësuar nga BE-ja me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ditore, përderisa të dy vendet lëvizin drejt integrimit Evropian.

Diplomati britanik Robert Cooper u emërua i Dërguar i BE-së për bisedimet, të cilat rezultuan me pesë marrëveshje, kryesisht për tregti, liri të lëvizjes, regjistra kadastralë dhe diploma universitare. Përderisa Prishtina zbatoi obligimet e saj nga bisedimet, Serbia deri në fund të vitit arriti të zbatojë vetëm marrëveshjen tregtare.

Më 1 prill, në Kosovë u realizua regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, 30 vite pas regjistrimit të fundit të plotë dhe të besueshëm.

foto  
Edita Tahiri në bisedimet me Serbinë  

 

Rezultatet preliminare treguan se në Kosovë jetojnë 1,733,872 njerëz pa përfshirë pjesën veriore të udhëhequr nga serbët, ku shumica e bojkotuan regjistrimin.

Ndërtimi i autostradës Vermicë-Merdare ishte investimi kryesor kapital i vitit. Segmenti i parë prej 38 kilometrash i kësaj rruge, e cila pas një kohe kohë do të kalojë nga kufiri me Shqipërinë deri në atë me Serbinë, u hap në nëntor. Ky segment nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë deri pranë qytetit të Suharekës, kushtoi 330 milionë euro.

Telashet në veri:

Në ndërkohë, në pjesën e tensionuar veriore të vendit u shtua dhuna gjatë tërë vitit.

Tensionet u përshkallëzuan në fund të korrikut kur qeveria zbatoi një ndalesë të mallrave serbe si kundërpërgjigje e bllokadës serbe për produktet e Kosovës që nga viti 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë.

Kryeministri Thaçi pastaj urdhëroi zbarkimin e policisë speciale në kufirin me Serbinë në portat 1 dhe 31, në Bërnjak dhe Jarinje, duke rezultuar me përleshje dhe vdekjen e një polici kosovar.

Serbët veriorë të cilët nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, e kundërshtuan me ngulm zbarkimin e doganierëve dhe policëve shqiptarë të Kosovës në kufi, duke e konsideruar atë si mjet të Prishtinës për marrjen në kontroll të territorit të tyre, i cili është nën sundimin faktik të Serbisë.

Pasi fillimit të përplasjeve më 25 korrik, serbët filluan të vendosin barrikada në rrugët që çonin për në kufirin e kontestuar. Si rrjedhojë, paqeruajtësit e NATO-s në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it duhej të shfrytëzonin helikopterë për të arritur te vendkalimet në Portat 1 dhe 31, meqë rrugët për në kufi ishin të bllokuara nga 18 barrikada. 

Përpjekjet e KFOR-it për t’i larguar barrikadat nxitën reagime të dhunshme nga serbët vendorë, duke rezultuar në lëndimin e së paku 50 paqeruajtësve dhe 70 protestuesve.

Për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës, Serbia ndërpreu pjesëmarrjen në dialogun me Kosovën në fund të muajit shtator. Ajo u kthye më vonë në tryezën negocuese dhe arriti marrëveshje për menaxhimin e kufirit në kuadër të shkurtesës ambivalente IBM.

IBM, Integrated Border Management (menaxhimi i integruar i kufijve) është model i BE-së për menaxhimin e doganës dhe imigracionit në Ballkan.

Por marrëveshja Kosovë-Serbi nuk përcakton se kjo marrëveshje në fakt bazohet në modelin IBM. Në vend të kësaj, ajo përcakton se të dyja palët janë pajtuar për “menaxhimin e integruar të vendkalimeve”. Për shkak të kësaj dykuptimësie, të dyja palët deklaruan fitore nga perspektiva e tyre.

Serbët e veriut që nga ajo kohë kanë kundërshtuar zbatimin e marrëveshjes, që nënkupton operimin e doganierëve dhe policëve kosovarë dhe serbë nën një kulm. Rrjedhimisht, bllokadat e rrugëve vazhduan dhe disa mijëra serbë dërguan një peticion në Moskë duke kërkuar shtetësi ruse, për të cilën morën përgjigje negative.