Viti i Trembëdhjetë si Sukses e Fat për “Remusicën”

“Është gjë e rrallë që një festival i muzikës bashkëkohore të ekzistojë kaq gjatë-13 vjet dhe për këtë e dua këtë festival. Do të vija prapë”, tha Parliq për Gazetën Jeta në Kosovë, pasi interpretoi në piano vepra të kompozitorëve . Erik Satie, Graham Fitkin, Alvin Curran, Philip Glass, etj. 

Parliq që konsiderohet një nga pianistet më të mira të ish-Jugosllavisë performoi në “Natën minimaliste” të hënën, dy ditë para se të përfundojë “Remusica”. 

Kjo është hera e dytë që Parliq vjen në Prishtinë, pasi po në këtë festival ishte edhe para shtatë vjetësh. 

E marta e “Remusica-s” ishte rezervuar për muzikën akusmatike. 

Muzika akusmatike është një formë e muzikës elektroakustike e cila prezantohet përmes altoparlantëve. 

Muzika e tillë përmban një përzierje të zërave të njerëzve, atyre të rrjedhur nga instrumente muzikore, ose natyra, zëra të prodhuar në mënyrë elektronike apo të procesuar me efekte të ndryshme. 

Këtë lloj muzike e luajtën belgu Rafael Munoz Gomez dhe vetë drejtoresha e festivalit Donika Rudi, e cila ka magjistruar për muzikë akusmatike dhe elektroakustike pikërisht në Belgjikë. 

“Festivali është me të vërtetë i organizuar në mënyrë profesionale. Më pëlqejnë njerëzit këtu dhe fakti që ata dëshirojnë të sjellin muzikë të re para publikut. Mendoj se ky projekt duhet të vazhdojë më tej”, tha Gomez i cili vinte për herë të parë në Kosovë.

Rudi që doli në skenë pas Gomezit ndërsa performoi veprat e saj “Voyage vers l`inconnu” dhe “Emotion Machine” paralajmëroi një koncert të muzikës akusmatike në Kosovë. 

“Shumë shpejt do ta organizojmë një festival të muzikës akusmatike në Kosovë. Do të përpiqem të kontribuoj, të shërbej si një urë-lidhëse dhe të sjell njerëz të kësaj fushe në Kosovë”, tha Rudi e cila është edhe udhëheqëse e Qendrës së Muzikës Elektronike “Noise”` në Prishtinë.

Festivali zyrtarisht përfundoi të mërkurën me një koncert pedagogjik ku u përfshinë miniatura për kitarë të bazuara në këngë popullore dhe me podiumin e hapur ku performuan 50 artistë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova në formacione të ndryshme instrumentesh harkore, frymore, fizarmonikë, piano dhe solo-këndim. 

“Performansa e këtyre të rinjve ka qenë një mundësi shumë e mirë për të gjithë artistët, e sidomos për kompozitorët e rinj ku patën mundësi t’i paraqesin kompozimet në të cilat punojnë me vite të tëra”, tha Hajrullah Syla, koordinator i festivalit.

“Remusica” nuk i harroi as personat me nevoja të veçanta për të cilët organizoi një koncert humanitar jashtë programit zyrtar të enjten. 

Në të morën pjesë artistë nga Kosova e Shqipëria.