Viti i ri por seksizmi i vjetër vazhdon

Obsesioni i Agim Veliut me Vjosa Osmanin është vetëm kapitulli i fundit i një sage mizogjenizmi me protagonistë politikanët e Kosovës.

Edhe një herë, Agim Veliu, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK-së, një humbës me sedër të lënduar, ka fyer Vjosa Osmanin, presidenten në detyrë të Kosovës dhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës.

Në 12 muajt e fundit Veliu tashmë e ka quajtur Osmanin përkthyese të [Hashim] Thaçit, e ka akuzuar atë që ka mendim në kundërshtim me qëndrimet  unanime të kryesisë së LDK-së, dhe madje e ka fajësuar atë për humbjen e partisë së tij në Podujevë, qytet ky në të cilin vetë Veliu ishte paraprakisht kryetar komune.

Për fat të keq, kjo fushatë shpifjesh nuk është vetëm betejë personale e Veliut. Disa zyrtarë të LDK-së e kanë fyer vazhdimisht Osmanin gjatë muajve të fundit, pasi e kanë përjashtuar paraprakisht nga udhëheqja e LDK-së, një parti në të cilën ajo ka vepruar që një kohë të gjatë.

Në gusht, Besa Gaxheri, deputete e LDK-së, e akuzoi Osmanin që po anon ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, VV, gjatë kryesimit të seancave parlamentare, ndërkohë që më pak se një javë më parë, Avdullah Hoti, kryeministri në detyrë tha se Osmani nuk ka karrierë politike pas largimit nga LDK. Vërejtje për Avdullahun: Ajo nuk u largua, shefat e tu e kanë qitë. 

Kjo fushatë fyerjesh arriti kulmin këtë javë, kur Osmani tha për BIRN se ajo do ta konsideronte kthimin në LDK nëse largohet Kryesia aktuale e LDK-së. Kjo provokoi një përgjigje nga Veliu, i cili tha:

“Unë e di që ajo është tepër e madhe dhe i duhet hapësirë shumë, a po kupton çfarë, qysh konteksti po e them. Unë e di që ajo është tepër e madhe, e gjanë (e gjerë) edhe i duhet hapësirë shumë, po nuk e paskna ditë që duhet komplet një Kryesi me ja lëshu vendin edhe nuk e di a e nxen”. ”

Ky koment në thelb mizogjen dhe ofendues në aspektin e formësimit trupor të një individi ishte i panevojshëm dhe jep një shembull të keq për mënyrën se si duhet të sillet një Ministër ose një figurë kyçe e një partie. Veliu ka qenë i ulët pamasë ndaj Osmanit gjatë gjithë vitit, gjë që i ka shtyrë anëtarët tjerë të LDK-së ta përçmojnë dhe të mos e respektojnë atë.

Nuk është hera e parë që LDK është diskriminuese ndaj grave, me anëtarë të kryesisë së LDK-së të cilët kishin urdhëruar më parë që Donika Gervalla, atëherë udhëheqëse e LDK në Gjermani, të tërhiqej zvarrë nga një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.  Në vitin 2016, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, gjithashtu ofendoi aktivistet e të drejtave të grave dhe anëtaret e shoqërisë civile, duke i akuzuar ato për ‘kullotjen e fondeve’ dhe duke shtuar se ato me gjasë do të ‘linin burrat e tyre dhe do të shkonin në Korenë e Veriut’.

Sidoqoftë, mizogjinia në politikën e Kosovës është larg të qenit problem vetëm në LDK.

Në vitin 2018, Kadri Veseli, atëherë Kryetar i Kuvendit, i tha Albulena Haxhiut, deputete e Vetëvendosjes ‘ma hongsh’. Kur ish deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku e akuzoi atë për fyerje dhe ofendim të deputetëve të Vetëvendosjes për hedhjen e gazit lotsjellës në parlament, duke i thënë se nëse do ta kishte parë duke ofenduar do t’ia kishte futur bombolën e gazit në gojën e tij, Veseli u përgjigj duke thënë ‘a e përdor me gojë shumë a? ‘, duke e shpërfaqur edhe një herë karakterin e tij të vërtetë.

Një tjetër thënie e preferuar mizogjiniste midis politikanëve tanë po i akuzon burrat si ‘gra te këqija’.  Këto fjalë rrëshqitën nga gjuha e Veselit kur ai po kacafytej me fjalë me deputetin e atëhershëm të Vetëvendosjes Fisnik Ismaili në vitin 2015, ndërkohë që një rrëshqitje e ngjashme fjalësh gjithashtu doli nga goja e deputetes aktuale të Vetëvendosjes Mimoza Kusari, kur ajo foli për zyrtarët e LDK-së, javën e kaluar.

Vetë Kusari është etiketuar si ‘prostitutë politike’ nga udhëheqësi i PDK-së në Gjakovë, ndërsa kolegu i saj në Vetëvendosje, Sami Kurteshi, më parë e etiketoi ish-Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, si ‘lopë’, duke shtuar më vonë se nuk pendohej që e ka quajtur atë në atë mënyrë.

Me gjasë, nëse je grua dhe je figurë publike, është e pranueshme që të sulmohesh pa hezitim nga shumica burra në politikë. Kjo qëndron gjithashtu e vërtetë për një grua tjetër që ka shërbyer si presidente e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila u poshtërua, objektivizua dhe sulmua në çdo mënyrë të mundshme.

Si rezultat i një kompromisi midis PDK, LDK dhe AKR, dhe me ndërmjetësimin e ish ambasadorit amerikan Christopher Dell, Jahjaga u emërua si kandidate për postin e presidentes pa ndonjë përvojë politike paraprake, duke punuar si zyrtare policore për disa vjet. Kjo provokoi zemërimin e politikanëve dhe qytetarëve të tjerë, të cilët e konsideruan atë si ‘të emëruar nga amerikanët’ dhe ‘e shfaqur nga hiqi’ si dhe e kritikuan vazhdimisht për çdo gabim të sajin.

Në fund të mandatit të saj, një mbishkrim në Prishtinë e paraqiti Jahjagën me një uniformë të seksualizuar të një polici. Ky grafiti u dënua nga shoqëria civile, por politikanët morën shumë kohë për të reaguar, duke e miratuar këtë sjellje me heshtjen e tyre ndërkohë.

Është e lodhshme të zgjohesh çdo ditë dhe t’i përballosh qëndrimet seksiste në Kosovë, dhe duhet të jetë edhe më e lodhshme të sulmohesh çdo ditë nga kolegët e tu vetëm pse jeni një grua që keni guximin të jeni aktive në jetën publike.

Është e qartë, nuk ka pasur ndonjë përmirësim në mendësinë e ‘politikanëve veteranë’ në Kosovë, përkundër rritjes së përfaqësimit të grave në politikë, ose gjithë atë punë të bërë nga aktivistë dhe organizata për të drejtat e grave.  Kjo gjeneratë e vjetër ka treguar se nuk është e gatshme të mësojë ose të ndryshojë.  E vetmja mënyrë përpara – siç sugjeroi Osmani – është t’i largosh ata.

Autorja është menaxhere e projekteve dhe hulumtuese në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA. Ajo ka studiuar MSc Metodat Kërkimore në Psikologji në Universitetin e Surrey (2019-2020).

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN.

(Ky shkrim është përkthyer nga Prishtina Insight)