Foto kortezi nga Skender Ferizi

Viti i Ri në burgun e vjetër

Gëzim e mërzi ishte për të burgosurit politikë,  përfundimi i një viti dhe fillimi i një viti të ri.

365 ditë më pak dënim e një vit më shumë i kaluar pa familje.

Sa herë Skënder Ferizi e dëgjon këngën “Vijnë vaporat” zhytet në lot. Teksti i kësaj kënge ia kujton momentet e pritjes së vitit të ri 2001 në burgun e Beogradit.

“Erdhi një gardian na tha këndoni me zë më të ulët e na vazhduam veç edhe më lartë që të dëgjoheshim në gjithë pavijonin. Më kujtohet  e këndonim ‘Vijnë vaporat’ se na të gjithë të dënuar. Edhe sot kur e dëgjoj më dalin lotët se e këndoja  edhe në burgun e Gjilanit me një shok”, rrëfen ish-i burgosuri.

Ishte ky i vetmi vit kur ata festuan me këngë në burg. Sipas rrëfimit të Ferizit, ky Vit i Ri u festua me debate, histori, tregime dhe me shumë pak ushqim. Mënyra e vetme për të dalë nga monotonia e burgut e mungesa e familjarëve kanë qenë bisedat qesharake e shkëmbimi i përvojave e historive me shokët e burgut.

Skënder Ferizi nga Papazi i Ferizajt, u dënua me 14 vite por nga ato vuajti katër vite burgim. U arrestua me 28 qershor 1998 së bashku me të ashtuquajturin “Grupi i Ferizajt” për të ashtuquajturat ‘veprimtari terroriste  e armiqësore, propagandë’, formim të shtabit të UÇK-së “Nerodimja”. Deri në atë kohë ishte anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Ferizaj. Nga burgu u lirua me 27 mars 2002. Ai është fotograf profesional, ekonomist i diplomuar dhe në vitin 1996 ka qenë Kryetar i Forumit Rinor të LDK-së.

Skender Ferizi

Të njëjtën ditë feste në burgun serb e mban mend edhe Idriz Asllani.

“Më kujtohet, bashkë me Besim Zymberin (i burgosur politik) në të njëjtën dhomë në Beograd, në errësirë, kënduam nga gëzimi në natën e Vitit të Ri. Kjo ishte pothuajse hera e parë pas disa vitesh, guxuam të rrezikojmë të na dëgjojnë organet e burgut se akoma jemi gjallë”, tha 66 vjeçari Idriz Asllani i cili përjetoi torturat në burgjet famëkeqe të Serbisë.

Idriz Asllani nga Tërstena e Mitrovicës priti gjashtë fundvite në burgjet e Serbisë. Ai u burgos edhe në vitin 1981, 1989 në demonstratat masive pastaj u lirua në pranverë 1990. Pastaj u burgos në 1996 deri me lirimin e tij të fundit në vitin 2002. Ai ka qenë anëtar në Kryesinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, koordinator në Korporatën Energjetike të Kosovës, distrikti në  Vushtrri. Ai tash është pensionuar.

Të dhënat të vitit 2015 të Komisionit për njohjen e statusit të dënuarve politik dhe ish-të burgosurve politik, dëshmojnë se dy të burgosurit ishin prej 6,774 burrave dhe grave të cilët kanë konfirmuar të kenë qenë të mbajtur politikisht gjatë viteve ’90.

Skënder Ferizi përshkruan se si e kishte pritur vitin ’99 në burgun e Prishtinës. Me pak ushqime që kishin grumbulluar nga ato që i silleshin gjatë ditës dhe biskota të ruajtura nga vizitat e familjarëve. 51 vjeçari rrëfen se si kanë qenë të detyruar të hanë bukën e cila ishte ruajtur për ta ngrënë qentë.

“Kam qenë në dhomë me Shaban Gërbeshin. Ky e ka pas merak gjahun. Bukën e rreshkur që e ka ruajtur në podrum për qentë e kemi ngrënë ne. Mbasi vizitat ishin një herë në dy javë dhe pesha pesë kilogramë, ata u detyronin që të na sjellin bukën e rreshkur se më e lehtë, mos t’i rëndojnë se na sillnin edhe rroba e gjëra tjera. Kështu e kemi prit vitin 1999”, rrëfen fotografi.

Idriz Asllani

Me pak biskota e shumë mërzi e priti edhe vitin 2000.

“Këtë vit e kemi kaluar në Mitrovicë të Sremit. Zakonisht kur kemi pasur vizita përmes Kryqit të Kuq më dërgonin motrat ushqim  prej Gjermanisë edhe  vëllai nga Zvicra. Atë ushqim që e kishim u mundoheshim ta ndanim në mënyrë proporcionale. Edhe biskotat i ruanim për festa si 28 nëntori, 10 qershori e Viti i Ri”, tregon ish-i dënuari.

Ndërsa nga 15 vite dënim, Idrizi vuajti gjashtë vite burgim. Ky vit nuk ishte i vetmi i pritur në mizorinë serbe. Ai kaloi edhe shumë “festa” në këtë situatë.

Pjesëmarrësi në demonstratat masive të vitit 1989 tha se e priti edhe vitin 1998 me 20 të burgosur në një dhomë të ftohtë në dimër të ashpër, me acar afër 20 gradë nën zero.

“Drejtori dhe i gjithë stafi i burgut ishin njerëz të stërvitur për të na torturuar me çdo mjet dhune, në çdo situatë dhe secilin të burgosur. Çdo gjë ishte në heshtje. Gardianët, kishin monitorin në zyrën e tyre, përmes tij na kontrollonin direkt në dhomë. Ata i larguan dyert e tualetit, që edhe aty të jemi në mbikëqyrje. Për mua dhe të tjerët nuk ishte as pak e lehtë ”festa” në heshtje. Vetëm morali i fortë më mbante gjallë”, shpalos përjetimet 66 vjeçari.

As vitin 1997 nuk e kishte pritur në ambientin familjar. Torturat mizore nuk u ndalën as në kohë festash. Duke e ditur që po hyjmë në vit tjetër ai tregon se nuk ka qenë në gjendje as ta ndjej festën. Njerëzit vriteshin, maltretoheshin, dhunoheshin në prag të fund vitit.

“Isha në dijeni se është festa e Vitit të Ri, por nuk e ndjenim në shpirt se kjo kishte rëndësi. Torturat nuk u ndalën as një natë, asnjëherë, sa që gjatë marrjes në pyetje i vranë disa shokë  me tortura çnjerëzore. Këtu prapë e pritëm fund vitin. Shumica nga ne ishim të vendosur nëpër qelitë ku qëndronim të vetmuar. Pra, vetëm dhe pa pas as një fjalë me kënd ta ndërrosh”, tha mitrovicasi.

Këto pengje u morën pas bombardimeve nga forcat e NATO-s.

Gjatë kalimit nëpër Drenas, forcat paqeruajtëse goditën një automjet të ushtrisë serbe. Si hakmarrje ndaj këtij veprimi kërkuan gjak nga shqiptarët e vendosur nëpër autobusë.

“I goditën me thika me kondak të pushkëve dhe kërkuan që t’i vendosin disa në derë të autobusit për t’i masakruar. Edhe pas rezistencës së tyre se aty ka edhe të burgosur të nacionaliteteve tjera dhe me dënime tjera ata vazhduan. Paramilitarët, ngulën këmbë, vetëm dy sjellni dhe shihni se si e kemi dorën e lehtë gjatë therjes me thikat tona. Ky është urdhër nga Sllobodan Millosheviqi, ata do i përdorim mish për peshq”, kujton Idrizi.

Skënder Ferizi rrëfen torturën për 21 ditë pa ndalur dhe si pasojë i  janë shkaktuar nëntë plagë të mëdha dhe tjera të vogla.

“Më kanë mbyllur në kasafortë të metalit dhe e kanë goditë atë me qëllim të më humbin dëgjimin. Ka pas raste që janë mbyllë njerëzit në puseta që të shpëtojnë por edhe aty kanë hedhur eksploziv dhe i kanë vrarë. Më kanë maltretuar me kërcënime ndaj familjes, më kanë rrahë me karrige, drunj, shufra metali e bejsbolli edhe veç me një copë bukë e kam mbajt shpirtin gjallë. E kur më kanë lënduar kafkën e kokës më është ngjitur pluhuri, me kanë dërguar në spital. Mjeku serb nuk ma shëroj plagën ne mënyrën e lehtë por i futi gërshërët brenda plagës dhe i tërheqi ato lartë”, shpjegon i mbijetuari i Masakrës së Dubravës.

Kjo masakër është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Sipas të dhënave, rreth 1,000 të burgosur janë sjellë nga burgjet e Serbisë në Dubravë në pranverë 1999, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.