'Virusi' i përsëritur i qeverive të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë e ka dorëzuar kërkesën me 46 nënshkrime për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, pjesë e së cilës është edhe vet.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) duken në rrugë për ta përfunduar qeverisjen më pak se dy muaj që nga themelimi, e për të cilin iu deshën më shumë se tre muaj për ta arritur.

Qeveria Kurti u votua më 3 shkurt të këtij viti.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.

Mocioni i mosbesimit i propozuar nga LDK-ja deri më tani ka marrë përkrahjen e PDK-së, AAK-së, dhe koalicionit Nisma – AKR.

Që nga shpallja e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka pasur 5 qeveri të ndryshme me 4 kryeministra.

Asnjë nga paraardhësit e Albin Kurtit nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e plotë.

Përderisa tri të parat janë larguar me mocion mosbesimi ndaj vetes, siç kishte bërë Thaçi dikur, ose për shkak të humbjes së shumicës në Kuvend, ose përmes mocionit të mosbesimit nga opozita, qeveria Haradinaj ka rënë për shkak të dorëheqjes së vet kryeministrit.

Haradinaj- Kryeministri i dorëheqjeve

Me 9 shtator të vitit 2017, ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës për të dytën herë pas 13 vitesh. Ai mori 61 vota, numri më i vogël i votave që një kryeministër ka marrë në Kuvendin e Kosovës, përkundër asaj se koalicioni qeverisës përbëhej prej 22 partive.

Mirëpo 19 korrik të vitit të kaluar ish-kryeministri Ramush Haradinaj para kabinetit qeveritar ofroi dorëheqjen e parevokueshme për shkak të siç deklaroi ai  ‘ftesës në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale’.

“Arsyeja e këtij vendimi që e kam marrë është për shkak të thirrjes së marrë nga dhomat e Specializuara si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i Kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë, shkoj si Ramush Haradinaj”,ka thënë ai.

Pasi përfundoi intervistimin, Haradinaj kërkoi prapë edhe një mandat të ri për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit. Koalicioni AAK-PSD 100 për qind Kosovë i radhit i 4-ti me  96 mijë e 872 vota.

Haradinaj nga këto zgjedhje siguroi vetëm ulësen si deputet, mirëpo dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Haradinaj kishte qenë kryeministër i Kosovës edhe para shpalljes së Pavarësisë.

Për herë të parë, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës më 3 dhjetor të vitit 2004, për ta mbyllur mandatin e tij më 8 mars 2005, pas një aktakuze për krime lufte të ngritur nga Gjykata e Hagës. Vite më pas ai u shpall i pafajshëm nga akuzat të cilat e rëndonin.

Qeveritë e ‘rrëzuara’ të Kosovës

Mandatin e tyre si kryeministra nuk kanë arritur ta përfundojnë as presidenti i tanishëm Hashim Thaçi në dy mandate si kryeministër e as kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër për herë të parë në 2007, përmes një koalicioni të madh me LDK-në.

Ky koalicion në atë kohë me Hashim Thaçin kryeministër, Jakup Krasniqit kryetar Kuvendi dhe Fatmir Sejdiun president të shtetit, i la në opozitë AKR-në, AAK-në dhe LDD-në.

Por Thaçi nuk arriti ta çojë mandatin deri në fund dhe në 2010 vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Deri te zgjedhjet erdhi pasi që Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit për shkak të opinionit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti nuk mund të ketë rol edhe në parti politike.

Sejdiu përveç presidentit të vendit kishte qenë edhe kryetar i LDK-së, por paraprakisht e kishte ngrirë postin partiak, sado që ky akt nuk kishte mjaftuar në gjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet e 2010 e nxjerrën përsëri Hashim Thaçin dhe PDK-në të parën nga partitë politike në Kosovë me 32 deputetë, ndërsa LDK-në me 29.

Thaçi ishte bërë bashkë në 2010 me AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilit ia premtoi postin e Presidentit. Por Pacolli e mbajti këtë post vetëm një muaj për shkak se në këtë rast ndërhyri Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar si jo kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së tij në Kuvend.

Kjo pastaj solli një shtrëngim duarsh në mes të përfaqësuesve më të lartë politikë e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, të cilët hapën zarfin e shumë folur, prej së cilit Atifete Jahjaga u zgjodh presidente.

Ajo mbetet presidentja e vetme e pas pavarësisë që e çoi mandatin 5 vjeçar deri në fund. Të paktën deri tash.

Përveç AKR-së, Thaçi ishte bërë bashkë edhe me disa parti tjera të vogla dhe me listën Rugova që në atë kohë kishin garuar fillimisht në një listë të përbashkët me AAK-në.

Qeveria Thaçi II zgjati deri në 2014, para se Thaçi ta dërgonte personalisht vendin në zgjedhje, pasi që atij i kishte dështuar nisma për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Thaçi e kishte dërguar vendin në zgjedhje pak muaj para se atij t’i përfundonte mandati i plotë si Kryeministër.

Në zgjedhjet e 2014 edhe pse PDK doli e para, Hashim Thaçit iu deshën mbi 6 muaj që ta thyejë bllokun opozitar që ishte krijuar ndaj tij.

Fillimisht asnjë nga partitë tjera nuk pranonte të hynte në koalicion qeverisës më PDK-në. LDK, VV, AAK dhe Nisma kishin krijuar një bllok dhe njiheshin VLAN. Mirëpo pas 6 muajve, Hashim Thaçi e shkëputi L-në nga VLAN duke e marrë LDK-në në Qeveri dhe duke krijuar njërën nga Qeveritë me numrin më të madh të deputetëve.
Kjo marrëveshje politike e bëri Hashim Thaçin fillimisht ministër të jashtëm e më pas president, atëherë kur Jahjagës i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit, në prill të vitit 2016.

LDK kishte pranuar që ta merrte postin e Qeverisë ndërsa kusht e kishin pasur që pas përfundimit të mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga, LDK ta votonte Hashim Thaçin për pasues të saj.