VIDEO: Rrëfimi i mullisit 87-vjeçar nga Skenderaj që punon pa pagesë për të varfërit

Rrugën jo të gjatë nga shtëpia deri të mulliri qindravjeçar, 87-vjeçari Zenel Beka nga fshati Kuqicë e Skenderajt e përshkon me traktor.

Mulliri me ujë, ku bluhen drithërat, tashmë është pjesë se monumenteve historike të Kosovës.

Objekti i mullirit gjendet në një hapësirë të rrafshët, e rrethuar me gjelbërim dhe gurin e mullirit e sjell uji i dy përrenjve me ujë të pastër si loti.

Kjo pamje magjeps secilin që kalon këndejpari.

Përveç makinerive për bluarjen e misrit dhe grurit, brenda mullirit të ndërtuar me gurë dhe lloç, gjenden edhe dy karrige e një tavolinë në dispozicion për mysafirët e shumtë që ka Zenel Beka.

Humanizmi është një prej vetive që e karakterizon 87-vjeçarin.

Herë pas here ai përlotet kur tregon se si u ka ndihmuar të varfërve.

I veshur me një mantel pune të kaltër, Beka në një intervistë për KALLXO.com rrëfen se si asnjëherë nuk ka marrë ujem nga njerëzit që kanë ardhur në mullirin e tij. Ujemi është mielli ose drithi që i jepej mullisit si pagesë për blojën apo prodhimi që jepej si pagesë për një punë që bëhej në bujqësi.

Zenel Beka – Mullist nga fshati Kuqicë e Skenderajt, Foto: KALLXO.comBeka thotë se kujdeset për mullirin vetëm nga dëshira dhe jo nga nevoja pasi që ekonomikisht qëndron mirë.

Ai kujton kohën kur shtatë dekada më parë filloi të merrej me mulli, për të cilin rrëfen se as paraardhësit e tij nuk e kanë ditur se kush e ka ndërtuar.

“Sipas gojëdhënave, (mulliri) i ka 667 vjet. Për katër gjenerata që i di unë, Zeneli ni gjeneratë, baba një, babëgjyshi, baba i babëgjyshit, ata kurrkush nuk kanë tregu as kush e ka maru e as që sa vjet është, e tash deri në nëntë gjenerata e çoj familjen tem”, rrëfen ai. “Për mulli, prej se i kam ba 15 vjet, nuk e kam ru, po kam pasë babën e babëgjyshin e mixhën… prej atëherëshit po i bie që 75 vjet jam si mullixhi”, shton ai.

Duke rrëfyer për bujarinë e tij dhe të familjes, fillon të emocionohet teksa tregon rastet kur tek ai kishin ardhur për të bluar drithëra persona të varfër.

Ai thotë se e ka amanet nga gjyshi që të mos pranojë asgjë nga skamnorët.

“I kena pasë njerëzit e caktum prej tij (gjyshit), prej Kline, prej Tërrnavci, prej Kuqice, prej Klinës së Mesme, prej Prekazi, kush ishin të varfër, i prujshin me thes në krah, dikush me kerr me kije, dy-tre thasë qysh i kish kushtet, e ai na ka thanë, filani-filani se kushdo që vjen e bjen bremen me krah, ujem mos i merr hiç.. Betohem para juve, që shit në Mitrovicë, Skenderaj miell, prej 10 kg deri 20 kg pasha Zote që është nja, nuk ia kam marr paret, të varfërve. Ardhshin turlifare, prej kahmose, sa po i don?! Dy killa. Qe merri katër killa, edhe jo me u livdue po, e kemi si traditë familjare më dhanë”, shprehet ai.

Guri i mullirit vihet në funksion kryesisht nga dy përrenj, por uji i pamjaftueshëm e zvogëlon punën e tij.

Ai thotë se së fundmi një qytetar është detyruar të kthehet mbrapsht pa bluar për shkak se nuk ka pasur ujë.

“Nuk ka shumë ujë, se burimin e ka të vogël, burimin e mbajnë kah pak do përroje, 27 përroje janë prej qituhit deri nalt, dy përroje që e mbajnë pak shumë. Prej Abrie u kanë para dy-tri jave, u ardh me blu ni thes kallamboq, një thes elb, thash pasha Zote nuk ka ujë, t’më falsh se s’ka, s’kam çka të baj, vijnë prej kahmosi vijnë”, tregon Beka teksa ngriti edhe shqetësimin për mungesën e drithërave në tokat bujqësore në fshatrat përreth Kuqicës.

Dera e mullirit të tij u hap më shpesh kur institucionet shëndetësore alarmuan për një mbyllje totale pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë, në muajt mars dhe prill 2020.

Atë kohë Beka tregon se me disa para që ia kishte dërguar një mërgimtar kishte blerë drithëra e gjatë këtyre dy muajve kishte bluar vazhdimisht.

“Kur po u përgatitshin për këtë sëmundje, erdhën m’veten, sa blun?! e kam blu qisi viti derisa mu ka nal uji, 2 muaj e gjysë, ujem kujt marr s’i kam”, rrëfen ai teksa ngrit edhe shqetësimin për mungesën e drithërave nëpër tokat bujqësore.

Kur uji arriti nivelin e duhur, ai i vendosi pajisjet në funksion për bluarjen e kokrrave të misrit. Teksa mielli ishte rrugës, Beka nuk përtonte që gjatë gjithë kohës të tregojë për emrat e pajisjeve dhe funksionet për secilën makineri. Disa prej tyre i kishte rregulluar vet për t’ia lehtësuar punën vetes.

Pas gjithë kësaj, dryrin ia vendos mullirit por derën e shtëpisë së familjes lë të hapur për të gjithë të interesuarit për bluarje.

Kurse, rrugën për në shtëpinë e tij në të djathtë e nis me traktorin që e vozit tashmë e 28 vite. Ai është edhe traktorist i certifikuar.

Ky mulli është në mesin e monumenteve të Ministrisë së Kulturës. Si rrjedhojë asnjë investim nuk është bërë në të dhe as familja Beka nuk lejohet të ndërhyjë këtu.

Por nga dashuria për mullirin e tij, Beka kujdeset që ta mbajë të pastër për mysafirët e tij që asnjëherë nuk i lë të largohen duarthatë.