VIDEO- Naser Sahiti tregon për planet e tij nëse zgjidhet rektor i UP-së

Ish-prorektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ia ka mësyrë garës për të parin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Sahiti në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se çka e ka shtyrë atë që të i hyjë kësaj gare.

“Iniciativa ka rrjedhur nga vetë unë, për arsye se kam një përvojë të konsiderueshme si akademike po ashtu edhe menaxheriale, besoj që është një përvojë që mund ta shfrytëzojë në dobi të universitetit. Është një moment i volitshëm që të kandidohem, të ofrohem si një kandidatë potencial për rektor të  Universitetit të Prishtinës”, tha ai.

Tutje, ai tha se pret që ta marrë këtë post nëse Këshilli Drejtues i UP-së, nuk bien pre e ndikimeve politike.

“Nëse anëtarët e Këshillit Drejtues nuk bien pre e ndikimeve politike, jam mjaftë I sigurt që kam gjasa reale që të zgjidhem si rektor. Nëse veç, konfirmohet një gjë e tillë atëherë një prej atyre që unë synoj të arrij mandatin e ardhshëm është që universiteti ta ofrojë më shumë komunitetin, në mënyrë  që nga UP mos të përfitojnë drejtpërdrejtë vetëm studentët e UP-së, por edhe shoqëria në tërësi. Në këtë mënyrë ofrojmë edhe studime sa më cilësorë për studentët, për arsye se programet tona do të jenë në interes të shoqërisë”, tha Sahiti.

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike thekson se nëse zgjidhet si rektor do të merret me ndryshimet ligjore dhe rregulloret e UP-së.

“Shumë zbrazëtira në aspektin ligjor dhe rregulloreve kanë nevojë të plotësohen, disa të avancohen, ka një mori çështjesh që jam i sigurt që jam në gjendje kontribuojë që UP të ngritët edhe më tutje”.

Ai ka disa fjalë edhe për avancimet akademike që bëhen çdo vit në Universitet.

“Respektim strikt të të gjitha rregulloreve, normave dhe akteve ligjore dhe statutit të UP-së, kur është në pyetje edhe avancimi i stafit akademik. Pavarësisht rekomandimeve nga Këshillat apo instanca të tjera, ajo çka do të vendoset përfundimisht është përputhja e atyre propozime me akte ligjore, nëse nuk janë në përputhje nuk do të pranohen në asnjë formë”, thekson Sahiti.

Në fund, ish-prorektori thekson se Kosova ka nevojë për një universitet që i shërben gjithë shoqërisë.

“Është koha kur në universitetin e Prishtinës vërtetë duhet të zgjidhet një rektor që jo vetëm që është i pranueshëm për komunitetin aktual akademik, por edhe i ka potencialin, por edhe përvojën e nevojshme që UP ta transferojë nga një universiteti i zakonshëm siç jemi mësuar, më shumë i koncentruar në mësimdhënie, në një universitet cili është gjendje që të merret me problematikat e nivelit shkencor, i cili është në gjendje të kontribuojë edhe për shoqërinë, dhe për të gjitha këto kërkohet një përvojë e gjerë edhe një përvojë menxheriale, por edhe akademike”, shton ai.

Sahiti është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike dhe ligjëron në Departamentin e Termoenergjetikës dhe Energjisë së Ripërtrishme.

Ai ka qenë prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, por kishte dhënë dorëheqje në vitin 2018, pasi pati mospajtime me rektorin Marjan Dema.

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti. Konkursi ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik.

Për këtë pozitë kishin kandiduar pesë persona, por vetëm tre prej tyre janë dërguar në Këshill Drejtues nga komisioni profesional, i formuar nga senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, ka eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti. Ky komisioni ka larguar nga kandidatura Isuf Musliun dhe Zenun Halilin.

Ky i fundit për KALLXO.com ka thënë se do të ngrisë kallëzim penal ndaj komisionit profesional, pasi sipas tij i është bërë padrejtë.

.