Omer Shkrijel, Foto: KALLXO.com
VIDEO: Mjeku e pranon se gjatë orarit të punës në QMF shkon punon edhe në ordinanca private
Omer Shkrijel, mjek me profesion, po ia del shumë mirë që të mbajë katër vende punë në të njëjtën kohë.
Përpos vendit të punës në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Janjevë, Shkrijel po i mban edhe tre vende të tjera në laboratorë privatë.
Madje, Shkrijel e pranon se gjatë orarit të punës në QMF në Janjevë shkon e punon edhe në laboratorë të tjerë.
“Po, më pak se dy orë e kam lënë [punën], po s’është kanë ambulanta vet”, ka thënë Shkrijel.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë një profesionist shëndetësor, i cili është i angazhuar në sektorin publik me orar të plotë, ka të drejtë të ofrojë shërbime edhe për katër orë të tjera në sektorin privat.
Doktor Omer Shkrijel në bazë të fletë-evidencës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan brenda muajit shkurt ka mbajtur orarin e paradites në punë. Ai ka kryer shërbime shëndetësore në QMF në Janjevë nga ora 08:00 deri në orën 14:00.
KALLXO.com ka siguruar disa dokumente ku tregohet se Shkrijel në po të njëjtën ditë, përpos QMF-së në Janjevë ka qenë prezent edhe në tre laboratorë të tjerë privatë; në “Analiza-Lab”, në “Family Med” dhe në “Kanada Med&Lab”.
Këto dokumente janë të gjitha të vulosura me vulë e emër të doktorit të njëjtë, pra Omer Shkrijel.
Madje, në dokumentet e siguruara është parë se doktori në periudhën e njëjtë kohore ia ka dalë që të japë shërbime shëndetësore për pacientë në tri lokacione të ndryshme.
Sipas fletë-evidencës së QKMF-së, ku tregohet vijueshmëria e doktorit në punë, thuhet se më 21 shkurt 2022, Omer Shkrijel ka qenë në punë nga ora 08:00 e deri në 14:00.
Për t’u çuditur është fakti se në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com thuhet se në po të njëjtën ditë, në ora 10:47 doktori Shkrijel ka pranuar pacientë në laboratorin “Kanada Med&Lab”.
Vetëm një e orë e gjysmë më pas, në 12:17, i njëjti mjek ka pranuar pacientë të tjerë, mirëpo në një tjetër laborator, në “Family Med”.
Madje, dokumentet e siguruara nga KALLXO.com tregojnë që më 21 shkurt 2022, doktor Omer Shkrijel ka qenë edhe në vendin e tij tjetër të punës, në laboratorin “Analiza-Lab”.
KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Lipjanit për të parë nëse është në dijeni për këtë.
Në disa përgjigje për KALLXO.com, Drejtorati i Shëndetësisë ka treguar se nuk ka informacione nëse doktori Omer Shkrijel, që ka pozitën si mjek i përgjithshëm në institucionet shëndetësore të Lipjanit, është në punë që nga data 15 dhjetori i 1987-ës.
Drejtorati ka treguar se nuk kanë dijeni nëse Shkrijel ka vend pune edhe në institucione të tjera shëndetësore.
“Ne nuk kemi informacion se ky mjek punon edhe në institucione tjera”, është thënë në përgjigje.
Në anën tjetër, as tre laboratorët privatë nuk e kanë mohuar se Shkrijel ka një vend pune te ta.
KALLXO.com ka kontaktuar me këta tre laboratorë.
“Family Lab” ka thënë se doktori Shkrijel është pjesë e stafit të tyre dhe punon në orarin e paradites.
“Po, është i stafit tonë, mirëpo e ka kry orarin paradite [..]. Punon në orarin paradite, këtu te na punon në bazë të rregullave”, kanë thënë për KALLXO.com nga ky laborator.
Që Omer Shkrijel është koleg edhe i stafit mjekësor në “Kanada Med&Lab” nuk e ka mohuar doktori i këtij laboratori, Nexhmedin Lekiqi.
“Punon, por në këtë kohë nuk është duke punu, punon në Janjevë. [..]. Është pjesë e stafit tonë, punon masdite, po qeto ditë i ka nja dy-tri ditë të lira. […]. Zakonisht punon nga ora 15:30 deri në 17:30”, ka thënë Lekiqi për KALLXO.com.
Një konfirmim që Omer Shkrijel ka vend pune edhe në laboratorin “Analiza-Lab”, e kanë konfirmuar këta të fundit.
“Po, punon prej orës 13:00 deri në ora 16:00. [..]. Çdo ditë punon”, kanë thënë nga ky laborator për KALLXO.com.