Ilustrim - Autostrada Prishtinë - Shkup

VIDEO - Hetimi i papërfunduar për vdekjen e punëtorit të Bechtel-Enkas

Prokuroria e Prishtinës dhe institucionet e tjera kanë shmangur nga përgjegjësia penale kompaninë Bechtel – Enka, pas aksidentit ku vdiq punëtori i kësaj kompanie, Hamdi Sallahaj.

Një hetim penal për kompaninë dhe zyrtarët përgjegjës është hapur vetëm pasi familja Sallahaj kishte dorëzuar kallëzim penal.

Me 21 maj 2019 në autostradën Prishtinë –  Hani i Elezit, në një aksident trafiku kishte vdekur punëtori i kompanisë Bechtel -Enka, Hamdi Sallahaj.

Sipas dosjes së lëndës, Sallahaj bashkë me një koleg të tij të punës, kishte shkuar në kilometrin e 14-të të autostradës Ferizaj – Han i Elezit, pasi që kishte marrë urdhër për të shkuar atje, për t’i ngritur disa shenja, të cilat ishin rrëzuar.

Pasi që i kanë ngritur shenjat, në vendin e ngjarjes ishte ndalur një veturë Taksi për t’i pyetur diçka. Më pas, një veturë tjetër në lëvizje e ka goditur taksin e më tutje edhe Hamdi Sallahajn dhe kolegun e tij.

Si pasojë, Hamdiu kishte ndërruar jetë rreth 3 orë më pas në QKUK, ndërsa kolegu i tij fatmirësisht kishte shpëtuar.

Ngjarja ishte hetuar si aksident trafiku dhe shoferi i makinës ishte dënuar, mirëpo familja kishte ngritur dyshime se rregullat e sigurisë në punë nuk ishin zbatuar në këtë rast.

Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati i Punës nuk kishin vërejtur apo hetuar në drejtim të sigurisë në punë. Djali i viktimës Drilon Sallahaj ka nisur një betejë ligjore. Ai ka dorëzuar një kallëzim penal, i cili ka rezultuar me nisjen e hetimeve për zyrtarët e kompanisë. Hetime këto që nuk kanë përfunduar tash e disa vite.

“Aksidenti ka ndodhur në territorin e Prishtinës, mirëpo ka dalë Inspektorati i Ferizajt, më shumë se 16 orë me vonesë, arsyet pse ka dalë Inspektorati i Ferizajt nuk e di dhe pse 16 orë me vonesë, pasi janë larguar të gjitha shenjat” – thotë Drilon Sallahaj.

Ai thotë se fillimisht rasti është hetuar nga prokurori Ali Ajdini, i cili sipas Sallahajt, e ka hetuar vetëm anën e shkaktarit të aksidentit, e nuk ka hetuar mossigurimin e vendit të punës.

“Domethënë prokurori Ali Ajdini, përkundër që ka pasur prova të mjaftueshme, të cilat ne ndërkohë i kemi siguruar si familje, nuk ka marrë vendim për t’i hapur hetimet kundër përfaqësuesve të Bektel-Enkës” – thotë Sallahaj.

“Më është dashtë me udhëtu disa herë prej Finlandës, me i siguru prova prokurorit Ali Ajdini, me u taku me prokurorin, përkundër provave të siguruara nuk i ka marrë parasysh, me arsyetimin se familja duhet të bëjë kallëzim penal, kundrejt personave tjerë dhe t’i bashkëngjis provat”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, prokurori Ali Ajdini ka thënë se më 7 dhjetor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet E.B., për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik’. Në lidhje me aktakuzën, është shqiptuar dënimi i formës së prerë nga Gjykata Supreme me dënim me 3 vjet e 6 muaj burgim.

Ndërsa në lidhje me pretendimet e Sallahajt, se nuk ka hapur hetimet ndaj Bechtel – Enka dhe Inspektoratit të Punës, prokurori Ajdini ka thënë se nuk ka pasur vepër penale.

Tutje, Sallahaj thotë se sipas ekspertizës së Prokurorisë, të bërë me 31 maj 2019, zona e punimeve nuk ka qenë e siguruar sa duhet.

“..sepse në atë rast pa shenja mbrojtëse paralajmëruese zona punuese ka qenë me rrezik të lartë, si për punëtorët ashtu edhe për pjesëmarrësit në trafik, e që fatkeqësisht e vërteton vendndodhja e aksidentit, që e ngarkon me një përgjegjësi të posaçme kompaninë Bechtel – Enka”.

Pasi që kanë angazhuar avokatin, familja Sallahaj ka angazhuar ekspertin e komunikacionit, Yll Koshin, për të bërë një ekspertizë të re.

Në një përgjigje për KALLXO.com, eksperti Ylli Koshi ka thënë se sipas ekspertizës që ka përpiluar, faktori kryesor për aksidentin është ‘faktori rrugë’, apo konkretisht, sipas tij, mos sinjalizimi i komunikacionit.

“Në këtë rast sipas analizës, kam ardhë në përfundim se shkaktar kryesorë i këtij aksidenti është faktori rrugë. Gjegjësisht mos sinjalizimi apo mos sigurimi i komunikacionit, rrjedhës së komunikacionit në momentin kur janë kryer punimet në atë pjesë të autostradës. Pra është si faktor kryesorë.

“Ndërsa kam numëruar edhe disa faktorë të tjerë të cilët kanë kontribu në këtë aksident, që prej tyre është shoferi i veturës A, që sipas prokurorisë është i ndjekur dhe i pandehur dhe i akuzuar më vonë, e i cili drejtpërdrejtë e ka shkaktu me shpejtësinë e tij aksidentin. Si dhe kontribut ka një mjet tjetër, i cili në atë pjesë të rrugës është ndalë në autostradë, edhe pse është e ndaluar me u ndalë, edhe ai në një pjesë ka kontribu në këtë aksident, si sekondar, në shkaktimin e këtij aksidenti” – ka thënë Koshi.

Dosja me kallëzimin penal të familjes Sallahaj ishte bartur në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë e Prishtinës.

Arsyeja për këtë bartje ishte hetimi për Inspektorin e Punës, i cili ishte i përfshirë në këtë ngjarje.

Sallahaj pretendon se edhe në këtë rast pati vonesa.

“Kërkesa jonë e Enka ka qenë që të zbardhet drejtësia, të merren veprimet e nevojshme dhe të zbardhet drejtësia dhe të krijohet një precedent, ndryshe nga sa është tani, që nesër pasnesër baballarët tonë, vëllezërit e motrat tona mos ta humbin jetën në vendin e punës. Domethënë kjo ka qenë qëllimi i jonë i vetëm, që të zbardhet drejtësia” – rrëfen Sallahaj.

Prokurori Rafet Halimi, i cili kishte punuar për disa muaj në këtë lëndë ka thënë për KALLXO.com se ai është angazhuar në hetimin ndaj inspektorit të punës dhe në momentin kur është konstatuar se ai nuk ka përgjegjësi penale, lënda sërish është bartur në Departamentin e Përgjithshëm.

Sipas prokurorit Halimi, janë shqyrtuar provat e paraqitura, është bërë intervistimi i dëshmitarëve dhe pas shqyrtimit të të gjitha provave, është ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i pandehuri K.Sh, në cilësinë e inspektorit të punës ka kryer vepër penale. Për këtë arsye, është marrë vendim për pushim pjesërisht të hetimeve vetëm për të pandehurin K.Sh., ndërsa për të pandehurit tjerë të vazhdojë procedura.

Më pas lënda është deleguar te Departamenti i Përgjithshëm, për t’u hetuar përfaqësuesit e Bechtel – Enkas.

KALLXO.com ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit informata se ku qëndron aktualisht lënda, por deri në momentin e publikimit, Prokuroria nuk ka ofruar kurrfarë informacioni.

Po ashtu, kompania Bechtel-Enka nuk ka asnjë kontakt apo zyre në Kosovë. KALLXO.com ka dërguar pyetje përmes zyrës qendrore të kompanisë në lidhje me pretendimet e Sallahajt, por nuk ka pranuar përgjigje.

Inspektorati i Punës më 13 shtator të vitit 2019 kishte gjobitur me 1 mijë e 500 euro gjobë kompaninë Bechtel – Enka. Arsyeja e gjobitjes, sipas dokumentit që ka siguruar KALLXO.com është moszbatimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

“..pasi që ka kaluar afatet e kontrollimit mjekësor të punonjësit të përcaktuar në këtë dispozitë, ku punëdhënësi ka qenë i detyruar ta dërgojë në kontrollim mjekësor të punësuarit së paku një herë në vit dhe sa herë të paraqitet nevoja, varësisht prej gjendjes shëndetësore të tyre” – thuhet në arsyetim.

Sipas Inspektoratit, hera e fundit kur i ishte bërë kontrolli mjekësor të ndjerit Hamdi Sallahaj, ishte më 4 nëntor 2015.