Veton Berisha: Kandidati liberal për martesat dhe shaminë

Çështja e bordeve publike zakonisht ka qenë pjesë e marrëveshjeve në mes të qeveritarëve, në mes partnerëve të Qeverisë, të cilët i kanë ndarë këto pozita dhe shpesh ka ndodhur kur ka pasë bord, kur ka kaluar nëpër komision, e kemi pasë mundësinë t’i filtrojmë, me pasë pak a shumë profilin e tij, dhe megjithëse do duhej të jenë profesionistë, ta kenë profilin e mirë, ka ndodhur që kanë ardhur persona të propozuar nga partia dhe nuk e kanë pasë profilin e mirë.

Kështu ka thënë Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE), i cili është kandidat për mandatin e tij të tretë për deputet në Parlamentin e Kosovës.

Kauza e tij në mandatin e ardhshëm do të jetë përfaqësimi sa më i mirë i komunitetit që ai përfaqëson.

“Përfaqësoj komunitetin egjiptian, punoj fuqishëm që komuniteti egjiptian me jetu dinjitetshëm, me pasë respekt dhe me u trajtu i barabartë në Kosovë”, theksoi Berisha.

Ai shton se nëse Kosova i beson në përgjegjësi të reja është i gatshëm të udhëheqë edhe ndonjë post ministror.

Tutje Berisha mendon se Kosova duhet të krijojë lehtësira për bujqit.

“Me u liru prej taksave sidomos bujqit dhe me pasë lehtësira te bujqit se ata nëse e promovojnë produktin vendor duhet të kenë lehtësira”, theksoi Berisha.

I pyetur se cilat janë tri amendamentet e para që do t’i propozojë nëse bëhet deputet, Berisha thotë se kanë lënë disa prej amendamenteve në proces nga mandati i kaluar.

“Jemi duke këmbëngulur që në Ligjin për festa zyrtare me e futë ditën e komunitetit egjiptian si ditë nacionale, jemi shumë të interesuar të ndryshojmë kriterin në Ligjin për skemën sociale që është një kriter se kanë të drejtë vetëm familjet që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeçare me u hjekë, ne vetëm kemi qenë në proces të largimit dhe amendamenti tjetër ka qenë që tek regjistrimi i fëmijëve në shkolla te mësimi i obligueshëm me u shtu një paragraf ku parashihen masa konkrete ku familjet do të sanksionohen nëse fëmijët e braktisin procesin mësimor”, tha Veton Berisha.

Duke qenë se vjen nga komuna e Pejës, ai thotë se një nga problemet kryesore të kësaj komune është infrastruktura rrugore, ndriçimi publik dhe punësimi.

Berisha thotë nuk do të mendojë asnjëherë ndërrimin e partisë. Ndërsa në lidhje me kundërshtimet ndaj qëndrimeve të grupit parlamentar në Parlamentin e Kosovës thotë se ka ndodhur që ka votuar kundër.

“Normalisht qëndrimi im ka qenë i lirë dhe ka ndodhur kur kam votuar edhe kundër vullnetit të grupit parlamentar sepse kam qëndrimet e mija brenda partisë në të cilën veproj”, shtoi Berisha.

Berisha thotë se fëmijët në rrugë dhe gratë e pambrojtura do ta ndjejnë më së shumti përkrahjen e tij si deputet.

“Fëmijët në rrugë dhe vajzat e gratë e pambrojtura d.m.th. rastet e trajtimit të keq ndaj fëmijëve dhe dhe vajzave dhe grave të pambrojtura”, theksoi Veton Berisha.

I pyetur se çka do të bëjë për përmirësimin e ambientit dhe për ajrin e ndotur në Kosovë, Berisha u shpreh se qymyri duhet të eliminohet nga përdorimi.

“E dua natyrën megjithatë ne kemi nevojë shumë veprime me ndërmarrë të cilat e ruajnë ambientin. Normalisht qymyri jam i interesuar me u eliminu prej përdorimit”, potencon Berisha, i cili gjithashtu është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

“Unë jam kundër dhe jam deklaru kundër  sepse kam shumë shembuj që këto ndërtime të hidrocentraleve kanë qenë jo të mira dhe jo të shëndetshme për ambientin dhe njerëzit që jetojnë atje”, deklaroi Berisha.

Veton Berisha është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit por jo tani. Ai thotë se pas 10 viteve duhet të ndërtohet kjo autostradë.

Kundër absolutisht  është shprehur për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ndërsa sa i përket taksës në gjendjen e tanishme tha se do duhej të mbetet në fuqi.

“Po nëse krijohet reciprocitetit d.m.th. qysh i kemi marrëveshjet  shteti me shtet dhe janë marrëveshjet aktuale nuk do të jetë e nevojshme as taksa përndryshe për momentin duhet të mbetet kështu qysh është”, theksoi Berisha.

Veton Berisha u shpreh se është kundër monopolit në homologim qysh është edhe kundër çdo lloj monopoli tjetër.

Ndërsa sa i përket martesës në me të gjinisë së njëjtë, Berisha u shpreh: “Është një çështje se koncepti im liberal, unë jam Parti Liberale Egjiptiane, normalisht se e lejon dhe e mbron, personalisht nuk jam kundër, s’kam arsye me qenë kundër dhe unë jetoj mbi konceptin e jetës së lirë ndërsa e kam edhe pjesën fetare dhe mendoj si diçka që është e kundërt me parimet fetare, nuk ka koment sepse Zoti ka th]në se njerëzit duhet me jetu të lirë”.

Berisha nuk është kundër as bartjes së shamive në shkolla.

“Unë nuk e shoh shaminë si pengesë për me qenë pjesë e procesit mësimor për mua është shumë me rendësi me qenë një pjesëtare që mban shami me qenë në shkollë se sa një pjesëtare që mban shami me qenë jashtë shkollës”, theksoi Berisha.

Berisha nuk mendon se duhet të ketë kuotë për deputete nga diaspora sepse sipas tij ata kanë të drejt të zgjidhen në Kosovë dhe praktika ka treguar se ka pas edhe deputet në parlamentin e Kosovës nga diaspora. Mirëpo thekson se duhet të hekën taksat e sigurimit që mërgimtaret tanë i paguajnë për makina gjatë qëndrimit të tyre për pushime në Kosovë.

Berisha thotë se veteranët që kanë luftua duhet të shpërblehen ndërsa ata që kanë abuzua duhet të merret ligji me ta.

Berisha thotë se fushatën po e financon nga fondi i demokratizmit të partisë ndërsa të hyrat mujore të tij janë paga e deputetit  ndërsa pasuria e tij e trashëguar e përbashkët me gruan dhe familjen është mbi një milion.

Ai gjithashtu thotë se mban vetëm një vend pune prej që është bërë deputet dhe frekuenton spitalet publike kur ndodh të sëmuret, gjithashtu familjarët e tij shkollohen në shkolla publike.

Sa i përket punësimit të familjareve të tij gjatë kohës sa do të jetëdeputet apo ministër ai tha se pret që bashkëshortja e tij të punësohet sepse këto ditë specializon në Fakultetin e Mjekësisë dhe bëhet specializante e Gjinekologjisë dhe se punësimi i saj do lidhet me nevojat që ka shteti për të.

Berisha tha se njëherë ka votuar për fatin e Trepçën dhe edhe sot është i pajtimit se kjo ndërmarrje  duhet të mbetet aset shtetëror edhe për një kohë të gjatë.

Ndërsa sa i përket kushtëzimit të votës së tij për buxhetin Berisha u shpreh: “Me secilin projekt i cili ka të bëjë me jetën e komunitetit egjiptian në radhë të parë sigurisht se ky është obligim i imi më të cilin shkoj në kuvend dhe çështja e dytë është Kosova që unë e mendoj që në projektin e një qeverisje ose në projektin buxhetor ka dëme që shkaktohen sigurisht që do të kushtëzoj me çështje që janë të përgjithshme, sepse çfarëdo çështje që e prek Kosovën dhe e dëmton Kosovën normalisht na dëmton edhe komunitetin egjiptian dhe kjo është shumë e lidhur dhe zakonisht e kam bë të njëjtën dhe do ta bëj të njëjtën”.

Berisha theksoi se sa ka qenë në Parlamentin e Kosovës ka qenë shumë aktiv me pyetje në Parlament, komisione dhe takime me qytetarët e komunitetit që ai i përfaqëson.

Në pyetje se a jepni dorëheqje nëse ngrihet aktakuzë ndaj tij, Berisha tha se nuk jep dorëheqje nëse ka me qenë deputet sepse nuk ka kthim mbrapa, e humb edhe mandatin që ia ka dhënë sovrani, ndërsa nëse është në postin ministror do të japë dorëheqje menjëherë.

Berisha tha se është kundër numrit të madh të ministrive sepse ka shumë ministri që do mundë të shkrihen në një siç janë ministritë e çështjeve ekonomike.