Infografika: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Vetoja e Macron, dobësim i rolit të BE-së në dialogun Kosovë - Serbi

Vetoja franceze në bisedimet mbi anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i jep fund një kapitulli në marrëdhëniet e gjata dhe të mundimshme të BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke e lënë rajonin në një gjendje paqartësie dhe duke e dobësuar rolin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi.

 

Në shikim të parë, zgjerimi i BE-së në Ballkan mund të mos duket një gjë e vdekur.

Mbi të gjitha, ishte vetëm Franca ajo që kundërshtoi më me ngulm fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, ndërkohë të gjitha shtetet e tjera anëtare ishin në favor të, së paku, hapjes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, dhe madje ishin të gatshme të provojnë ta bindin Presidentin Francez Emmanuel Macron. Të veçuarit e Francës në kundërshtimin e tyre u bë evidente kur kritikat publike për këtë vendim të sajin u bënë jo vetëm nga presidentët në largim dhe ata në ardhje të Komisionit Evropian, KE, por edhe nga kryeministrat dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga e gjithë BE.

Për më tepër, shqetësimet franceze nuk kishin asnjë lidhje me këto vende, kështu që nëse kërkesat e Macron për reforma në BE dhe për metodat e zgjerimit të mëtejshëm adresohen, Franca mund ta largojë bllokadën e saj.

Ndërkohë, bisedimet për anëtarësimin e Malit të Zi dhe Serbisë vazhdojnë, që mjetet tjera që nevojitën për angazhimin e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës,  vazhdojnë të jenë në dispozicion.

Shkurtimisht, shumëçka mund të vazhdojë pavarësisht nga bllokada e javës së kaluar. Mbi të gjitha, nuk është hera e parë që Franca ka kundërshtuar bisedimet mbi  anëtarësimin. Dy herë e ka thënë “non” (jo-në) e saj të famshme ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe gjithashtu e ka kundërshtuar anëtarësimin e Spanjës në BE, ndërsa Macron tashmë dy herë, personalisht e ka vonuar hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, kësaj here ndjesia është krejt ndryshe. Jo vetëm që qeveria maqedonase e Zoran Zaev u dorëheq menjëherë pas vendimit kundër të BE-së, porse ky vendim gjithashtu i ka dhënë një shuarje shpresave të shumë njerëzve në Ballkanin Perëndimor për t’u anëtarësuar në Unionin Evropian.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, angazhimi i BE-së në rajon është parashikuar në lidhje me mundësinë e anëtarësimit në BE. Tash e tutje, BE nuk mund të bëjë këtë ofertë në një mënyrë të besueshme ose brenda një afati kohor të arsyeshëm. Pasojat janë me shumë domethënie edhe përtej Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ta marrim si shembull dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Dialogu i Brukselit u iniciua nga BE në vitin 2011 dhe mbështetej në ofertën që përmirësimi i marrëdhënieve dhe normalizimi eventual mes të dyja vendeve dhe do ta qartësonte rrugën drejt BE-së.

Por, ashtu siç na e ka bërë me dije me plot dhimbje qeveria e Maqedonisë së Veriut, një vendimmarrje e vështirë dhe jopopullore për të zgjidhur një mosmarrëveshje dhjetëvjeçare me Greqinë, nuk ofron shpërblime nga BE.

Udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë kanë marrë shënime tashmë nga situata e fundit. Në veçanti, Serbia do të përfitojë pak nga përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën nëse kjo ofertë nuk përmban ndonjë shpërblim më të madh – dhe ky shpërblim po duket i pamundshëm.

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, paparashikueshmëria e anëtarësimit në BE dekurajon në mënyrë aktive udhëheqësit për të marrë rreziqe dhe për tu përfshirë në reforma të guximshme. Përkundrazi, udhëheqësit autokratë dhe kleptokratikë do ta shohin veten të riafirmuar pse nuk janë përpjekur sa duhet për tu bërë pjesë e BE-së.

Ballkani Perëndimor nuk do të bie në duart e Rusisë apo Kinës, ashtu siç kanë frikë disa: përkundrazi, ai do të bëhet një Casablanca, një vend ku njerëzit kalojnë përmes, duke u përpjekur të largohen, por duke mbetur të ngecur – një vend ku shtete të fuqishme e  të ndryshme luftojnë për ndikim dhe ku paraja dhe pushteti shkelin rregullat dhe vlerat.

Kundërshtime të pasinqerta dhe humbje e besueshmërisë

Duke arsyetuar vendimin e tij për të mos nisur hapen e bisedimeve për anëtarësim, Macron u përqëndrua në nevojën e BE për tu reformuar, si dhe për të krijuar një mekanizëm të ri për zgjerimin. Këto shqetësime janë pjesërisht serioze, por pjesërisht të pasinqerta.

Në mënyrë legjitime BE ka nevojë për reformë që të mbetet funksionale me, potencialisht, 33 vende anëtare, dhe procesi i zgjerimit me të vërtetë mund të përmirësohet, vetë KE kishte një sugjerim të tillë  në strategjinë e saj për vitin 2018.

Sidoqoftë, Macron prapëseprapë del të jetë i pasinqertë. Franca nën presidencën e tij nuk ka bërë asnjë përpjekje për të përmirësuar procesin e zgjerimit, madje as ka dhënë sugjerime se si mund të bëhet ky zgjerim. Asnjëherë nuk e kishte ngritur çështjen deri më pak se një javë më parë.

Për çështjen e reformimit të BE-së, ideja se reformat janë të nevojshme para bisedimeve për anëtarësim, në vend se duke u bashkuar në vetvete, është gjithashtu jo bindëse.

Mbi të gjitha, Mali i Zi filloi bisedimet për anëtarësim shtatë vjet më parë dhe akoma nuk është as afër anëtarësimit. Edhe nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ti kishin nisur bisedimet këtë vit, ato nuk do të arrinin të anëtarësoheshin edhe një dekadë tjetër, nëse nuk shfaqen pengesa serioze, duke i lënë BE-së kohë të mjaftueshme për reformim.

Nëse reformat e parashikuara nuk do të ishin të plota, Franca ose anëtarët e tjerë do të kishin mundësi të shumta për ti ngadalësuar, apo edhe për ti ndaluar bisedimet e anëtarësimit në vitet në vazhdim.

Prandaj është e paqartë nëse kërkesat e Macronit mund të adresohen lehtësisht. Për më tepër, gatishmëria e një shteti anëtar për të ndaluar procesin e zgjerimit ka të ngjarë të kopjohet nga të tjerët. Edhe nëse Franca do ta pranonte një vendim të tillë, janë shumë shtetet tjera anëtare që janë të gatshme të bllokojnë hapat e mëtejshëm.

Vetot e mëparshme shpesh bazoheshin në mosmarrëveshje të ngushta bilaterale, siç ishte vetoja greke ndaj Maqedonisë së Veriut, por tani shtetet anëtare kanë filluar të dyshojnë në vlerësimin e KE për gatishmërinë e vendeve, duke minuar në thelb besueshmërinë e saj.

Prandaj Komisioni Evropian nuk ka më aftësinë të ofrojë ndonjë premtim për Ballkanin Perëndimor. Ideja që reformat dhe zbatimi i rregullave të BE-së do të shpinin në progresin drejt BE-së bazuar në vlerësimin e KE-së, është e  vdekur, bashkë me atë të kushtëzimit .

Kushtëzimi i BE-së, një mekanizëm kryesor në thelb të zgjerimit për më shumë se 20 vjet, kësisoj ka marrë fund. Me të, politika e jashtme e BE ndaj Ballkanit Perëndimor është minuar seriozisht. Premtimi për zgjerim duket të jetë premtim bosh, dhe, në skenarin më të keq, është plotësisht i humbur.

 

Florian Bieber është Profesor i Historisë dhe Politikës së Europës Juglindore në Universitetin e Gracit (Austri) dhe koordinator për Ballkanin në Grupin Këshillëdhënës për Politika të Ballkanit. Ai sapo ka publikuar librin ‘The Rise of Authoritarianism in the Western Balkans’ (Palgrave, 2020).

Opinionet e shprehura në rubrikën Mendime janë vetëm të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish pikëpamjet e BIRN.