Vetëvendosje paralajmëron nisjen e procedurave për shkarkimin e Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet ka paralajmëruar se do të nisë procedura parlamentare për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, lidhur me një “marrëveshje sekrete” të vitit 2013, kur ky i fundit ishte kryeministër i vendit.

Pozita po kërkon shkarkimin e Presidentit Thaçi për shkelje të Kushtetutës, ndërkaq nga subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), thonë se duhen sqaruar se çfarë janë letër-këmbimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kërkojnë ose jo, ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti një ditë më parë ka publikuar një letërkëmbim mes Thaçit dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në vitin 2013 në kuadër të një “marrëveshje sekrete”, ku Thaçi garantonte se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it.

Kurti shqetësimet e tij ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar edhe hetim për kushtetueshmërinë e marrëveshjes në fjalë, ndërkaq kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se letrën e kryeministrit ua ka përcjell të gjithë deputetëve.

Sipas Kushtetutës, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi ka thënë për KALLXO.com se janë të gatshëm që presidentin ta çojnë në Kushtetuese dhe se në të ardhmen do të konsultohen me grupet e tjera parlamentare, për inicimin e peticionit.

“Ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, jemi të gatshëm që ta procedojmë për në Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të Kushtetutës, të ish-kryeministrit të atëhershëm për shkelje kushtetuese. Se si do të veprojmë ditët në vijim ne do të ju njoftojmë por presim pak a shumë edhe reagimet e grupeve të tjera parlamentare”, është shprehur ai.

Selimi ka theksuar se nuk po adresojnë problematika sa i përket përmbajtjes së letrës, por vetëm për “fshehjen” e saj nga Thaçi.

“Letra e dërguar dje nga kryeministri Kurti sqaron edhe qëllimin e kësaj letre që është transparenca ndaj deputetëve për një letër-këmbim, marrëveshje ndërkombëtare në mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s”, ka thënë Selimi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se përqendrimi i tyre nuk është as për raportet që ka dhe duhet të ketë Kosova në raport me NATO-n dhe KFOR-in.

“Prandaj ne vlerësojmë që me mbajtjen fshehtë të kësaj letre, pra theksoj me mbajtjen fshehtë të kësaj letre, jo me përmbajtjen e saj brenda  është shkelur neni 18 dhe neni 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë për KALLXO.com se së pari duhet ditur se çfarë është letër këmbimi dhe çfarë është marrëveshja ndërkombëtare.

“Duhet me ditë përtej kësaj cilat marrëveshje ndërkombëtare ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cilat nuk kanë nevojë me u ratifiku. Tutje, duhet me ditë kush ka të drejtë me dhënë opinion ligjor dhe atë e jep zyra ligjore, departamenti ligjor në kuadër të Kryeministrisë e jo këshilltarët politik ose persona të tjerë që nuk janë kompetentë”, ka theksuar Hamza.

Sipas tij nuk duhet të merren vendime pa i ndërmarrë të gjithë hapat juridik.

“…Pa e ditë mirë se cili është interesi i vendit dhe çka është interesi i vendit dhe pa e trajtuar mirë në aspektin legal një dokument të caktuar”, ka përfunduar Hamza për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Kushtetua e Republikës së Kosovës në nenin 91 përcakton rastet kur mund të shkarkohet Presidenti.

“1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në pikën 1 të këtij neni.

Ndërkaq, sipas pikës 2 të të njëjtit nen thuhet se procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

“Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”, thuhet në këtë pikë.

Në pikën 3 thuhet se mund të ketë shkarkim edhe “Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë – 35 – përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”.