Vetëm Një Votë Kundër Thaçit

Vetëm një delegate e konventës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet nga gjithsej 719 votoi kundër rizgjedhjes së kryeministrit Hashim Thaçi për kryetar të partisë.

Komisioni i punës ftoi delegatët për kandidatura tjera, por Thaçi mbeti, siç pritej, kandidati i vetëm.

Ai u zgjodh me vota të hapura.

Anëtari i komisionit të punës, Hajredin Kuçi, kërkoi aprovimin e deputetëve për votim të hapur për kryetarin. “Unë ju luta”, u tha duke qeshur delegatëve, Kuçi.

Thaçi, i kritikuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, për përvetësim të partisë më të madhe në vend, do të jetë kryetar i PDK-së edhe për katër vjet.

PDK-ja filloi të dielën punimet për Kongresin e VI-të të Përgjithshëm të saj, me rreth dy orë vonesë.

 Hapja u bë nga  Basri Musmurati-nënkryetari i PDK-së për çështje organizative, njëherit koordinator për zgjedhjet brendapartiake.

Fillimisht u zgjodhën Kryesia e Punës, e përbërë nga Enver Hoxhaj, Hahredin Kuçi, Flora Brovina, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ramë Buja dhe Basri Musmurati si propozime nga Kryesia e Partisë.

Këtyre emrave iu bashkuan edhe tre anëtarë të tjerë të propozuar nga delegatët e pranishëm, Njazi Kryeziu, Ganimete Musliu, Drita Fazliu.

Komisioni verifikues u miratua nga kongresi në përbërje të Nait Hasanit, Shemsi Veselit dhe Memli Krasniqit, formacion ky i propozuar nga kryesia aktuale.

Kongresi po ashtu miratoi rregulloren e punës dhe rëndit të ditës. Gjithashtu është zgjedhur edhe komisioni kandidues, në përbërje të Rrustem Mustafes kryetar, Adem Grabovcit, Bajram Rexhepit dhe  Safete Hadergjonaj.

Rexhep Hoti, anëtari aktaul i Këshillit Drejtues, ndërkohë tha se “PDK nuk duhet të lejojë t’i largohen njerëzit që kanë punuar për të”.

Hoti i ka bërë thirrje sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, t’i kthehet asaj duke thënë se “njerëzit nganjëherë mund të bëjnë lajthitje”.