Instalacioni "Duke menduar për ty" i artistes kosovare-britanike, Alketa Xhafa-Mripa Fotografi e shkëputur nga libri "In Their Own Words”

“Vetëm drejtësia mund të lehtësojë dhimbjen dhe vuajtjen tonë”

Rrëfimet e 16 të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë shpalosur në librin digjital të Kombeve të Bashkuara (OKB) “In Their Own Words”, pavarësisht se Kosova nuk është pjesë e kësaj organizate.

“Vetëm drejtësia mund të lehtësojë dhimbjen dhe vuajtjen tonë” është fjalia e fundit me të cilën e ka mbyllur rrëfimin e saj, 46-vjeçarja, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, e vetëpseudonuar me shifrën 1974, sipas bazës të të dhënave të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e të mbijetuarve seksualë gjatë Luftës së Kosovës.

Kjo nuk është fjalia e as rrëfimi i vetëm i një të mbijetuare të dhunës në librin e OKB-së. Në këtë antologji, janë shpalosur rrëfimet e qindra të mbijetuarve nga një duzinë vendesh të të gjithë botës, me 150 dëshmi nga konfliktet që nga viti 1992 e deri më sot.

Përveç kësaj, në libër janë përfshirë eksperiencat e grave që janë marrë direkt me të mbijetuarit e dhunës përmes organizatave, fondacioneve, Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit e organeve të drejtësisë.

Në mesin e historive të të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës në Kongo, Somali, Etiopi, Bosnjë e Hercegovinë e shumë të tjera, 16 të mbijetuar nga dhuna seksuale në Kosovë (14 gra dhe dy burra) nga 20 mijë sosh, kanë rrëfyer momentet më të sikletshme të jetës së tyre, që nga dhunimi e deri tek paragjykimet me të cilat ndeshen për më shumë se dy dekada pas luftës.

Të ndihmuar nga organizatat e shoqërisë civile, 15 të mbijetuarit kanë arritur të shpalosin torturën çnjerëzore që kanë përjetuar para më shumë se dy dekadave, torturë për të cilën askush nuk u dënua. Pasojat e kësaj tragjedie që ndodhi pa fajin e tyre, po e përjetojnë sot, duke mos arritur t’i shohin prapa grilave autorët e krimit e në të njëjtën kohë po paragjykohen nga shoqëria.

“Duke na quajtur një familje terroristësh, ata prenë rrobat e mia me thikat e tyre, më zhveshën dhe filluan të më dhunojnë para fëmijëve dhe xhaxhait të burrit tim. Isha gjashtë muajshe shtatzënë. Ata më prenë në fytyrë dhe barkun tim dhe thanë se do ta vrisnin terroristin e vogël që kisha në bark, pasi ata tashmë e vranë babnë e tij. Ata më shtynë pushkën automatike në fytyrë dhe më thyen të gjithë dhëmbët. Edhe në atë gjendje, me gjak mbi fytyrën time dhe barkun tim, ata ende më dhunuan brutalisht. Unë kisha dhimbje të papërballueshme…”, është vetëm një pjesë e rrëfimit të viktimës me shifrën 1974.

46-vjeçarja ka raportuar rastin në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në gusht 1999, dhe pastaj përsëri në Misionin EULEX në vitin 2014, në vitin 2017 ka raportuar në Njësinë për Hetimin e Krimeve të Luftës brenda Policisë së Kosovës, por ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të zbuluar autorët e krimit.

“Edhe pse ajo që ndodhi ishte kundër vullnetit tim, unë ende ndihesha fajtore. Isha në një situatë kaq të vështirë me shëndetin tim fizik dhe mendor, atë në vitin 2008 psikoterapisti im rekomandoi që të ndryshoja vendbanimin”, ka rrëfyer e mbijetuara, e cila ishte detyruar të zhvendoset në Lion të Francës, për ‘ndryshim gjaku’ nga frika se fëmija që kishte në bark gjatë dhunimit, kishte pasë mundësi të barte pasojat e asaj torture.

Në këtë libër janë publikuar edhe fotografi nga instalacioni “Thinking of You” i artistes kosovaro-britanike, Alketa Xhafa – Mripa, e cila kishte varur funde dhe fustane në një fushë të futbollit në vitin 2015, të cilat simbolizojnë ndjeshmërinë dhe mbështetjen kolektive për viktimat e përdhunimit.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po ashtu ka ndarë mendimet e saj në këtë libër edhe si presidente e cila ka dëgjuar rrëfimet e grave të dhunuara, por edhe si udhëheqëse e “Jahjaga Fondation” ka thënë se “mosndëshkimi i tyre shfaq boshllëqet e shumta në kombëtare dhe ndërkombëtare sistemet e drejtësisë”.

“Në shumicën e rasteve, të mbijetuarit nuk i kanë treguar kurrë këto histori, se kishin frikë nga izolimi, diskriminimi, stigma dhe braktisja nga shoqëria dhe madje edhe familjet- burrat dhe gratë e tyre, vajzat dhe djemtë, nënat dhe baballarët, dhe motrat dhe vëllezërit”, ka thënë Jahjaga.

Në rrëfimin e një nëne tashmë 54 vjeçare, e cila e ka treguar historinë e saj të dhunimit dhe të bijës së saj gjashtë vjeçare, shpalosen momente torture e përdhunimi për të cilat ende nuk është dënuar askush.

Me pseudonimin, Drita, ajo tregon se si është dhunuar për tre muaj, dhe pas dhunimit është detyruar të iu shërbejë me ushqim e pije serbëve që ia kanë shkaktuar momentet më të rënda të jetës së saj.

“Pasi ata pinë kafe, u larguan. Atë mbrëmje, ky B. dhe disa të tjerë erdhën përsëri në shtëpinë tonë. Ishte shumë errësirë; fëmijet ishin duke fjetur. Kur hapa derën, ata më thirrën “Srce Moja” dhe më shtynë te tavolina. Ulërima ime zgjoi fëmijët kështu që ata mbyllën dyert e dhomës së tyre të gjumit. Ky B. më kapi dhe filloi të më dhunonte. O Zot! Oh Zot! … Më ra të fikët, por kur u zgjova, kisha gërvishtje dhe mavijosje kudo. Meqenëse ishte errësirë, nuk e di nëse unë u përdhunova nga më shumë se një person. Kur u zgjova, ata ishin zhdukur, dera ishte e hapur dhe ishte pothuajse agim”, rrëfen ajo.

Pas dhunimit, të nesërmen, autorët e krimit kishin ardhë sërish në shtëpinë e Dritës duke kërkuar kafe e pite, të cilat ajo ishte e detyruar t’ua ofrojë, ose përndryshe do i vrisinin të gjithë.

Ajo tregon se si u dhunua para vjehrrës dhe fëmijëve të saj dhe e lanë ashtu. Përvç kësaj ajo shpalosi momentet e rënda kur para syve të saj, të njëjtit dhunuan vajzën e saj gjashtë vjeçare.

“Ajo ishte 6 vjeç. Ajo ishte ulur kur iu afruan, duke e prekur këmbët e saj… Unë qava dhe iu luta që ta linin të shkonte, ajo ishte vetëm një fëmijë i vogël. Njëri prej tyre i futi një shkop në organet gjenitale të vajzës. Gjaku po i binte në këmbë. Ajo po qante dhe ulërinte nga dhimbja… Ende më dhemb mua shpirti sepse vajza ime mban mend gjithçka … Ajo gjakderdhja nuk u ndal për tre ditë”, tregon e mbijetuara e dhunës dhe torturës.

Nga 20 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me shumicë vajza e gra, nuk u kursyen as djemtë e burrat.

Rrëfimi i tashmë 36-vjeçarit, me pseudonimin ‘XXX’ se si u dhunua në moshën 12-vjeçare, shpalos një nga tmerret e dhunës dhe pasojave që lë një situatë e tillë paslufte, tmerr të cilit i kanë kontribuar më pas edhe paragjykimet.

Në këtë libër, ai ka rrëfyer momentet se si ishtë ndarë nga nëna e tij, përderisa kishin shkuar të blenë bukë, dhe ishte torturuar seksualisht deri në atë pikë sa që ai nuk është në gjendje të lë pasardhës.

“Një mëngjes, më hapën derën dhe filluan të më rrahin dhe të abuzojnë me mua. Në mbrëmje, erdhën tre persona në dhomë me rroba të ndryshme dhe më zhveshën plotësisht, ata vazhdimisht shanin duke thënë diçka për “shqiptarët”, kjo ishte fjala e vetme që unë e kuptova. Pastaj me një mjet të mprehtë, mendoj se një bisturi, më prenë testikulin e djathtë; Unë kisha dhimbje torturuese dhe kisha gjakderdhje të madhe. Më lanë të gjakosur”, ka rrëfyer ai, pas 20 vitesh për organizatën KRCT.

Pasojat e kësaj torture ai i bartë edhe paluftës, pasojat e një veprimi për të cilin asnjëherë askush nuk është burgosur. Martesa e tij e parë ka dështuar, pasi që nuk mund të kishin fëmijë.

“Unë me të vërtetë dua të kem një fëmijë timin dhe do ta bëja gjithçka për ta bërë të mundur, por ata m mohuan këtë të drejtë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, në deklarimin e prokurores që po ashtu është përfshirë në libër, Drita Hajdari, ka shkruar se edhe pse e ka për detyrë të qëndrojë e fortë karshi këtyre situatave, për të nuk ka qenë aspak e lehtë të dëgjojë histori të tmerrshme të përdhunimit para fëmijëve dhe anëtarët e familjes, e të sheh plagët në të gjithë trupat e tyre.

Ne caktuam prokurore dhe police femra hetuesit në këto raste, duke pasur parasysh se shumica dërrmuese nga viktimat ishin gra. Duke vepruar kështu, ne synuam që e bëjnë procesin e mbledhjes së dëshmive më të rehatshme për to. Përveç kësaj, ne vendosëm të kishim intervistat në mjediset e OJQ-ve që u shërbejnë atyre, në prani të një terapisti”, ka thënë Hajdari.

Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë,  Minire Begaj-Balaj, ka thënë se gjatë punës së saj në Komision nuk kishte lexuar vetëm histori të vështira, por krime të tmerrshme e çnjerëzore.

 “Ne mund të shihnim dhimbjen në sytë e tyre, plagët në trupat e tyre dhe të dëgjojmë nga ta përvojat e tmerrshme, vuajtjet e tyre pas luftës, çështjet e tyre shëndetësore që vijnë nga dhuna seksuale, çështjet e tyre familjare dhe stigma e vazhdueshme në të cilën jetonin”, kishte treguar Begaj-Balaj, përvojën e saj.

Ndërsa, Mirlinda Sada, drejtoreshë e “Medica Gjakova” dhe Feride Rushiti drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kanë treguar për pervojat e tyre, gjatë punës direkt që kanë pasur me të mbijetuarit e dhunës dhe rehabilitimin e tyre. Përmes këtyre organizatave, rrëfimet e të mbijetuarve kanë arritur jo vetëm të dëgjohen brenda Kosovës, por edhe të jenë pjesë e këtij libri ndërkombëtar.

“Gjithçka filloi si trajtim psikosocial dhe kontroll gjinekologjik, e pastaj u bë një sistem i jashtëzakonshëm mbështetës për të mbijetuarit dhe familjet e tyre, të cilat më pas vazhduan të ofrojnë ndihmë juridike dhe burimet për fuqizimin ekonomik”, ka shkruar Sada.

Ndërkaq në shkrimin e Feride Rushitit thuhet se pas më shumë se dy dekadave pune në këtë fushë, peizazhi ka ndryshuar për mirë, ka mbështetje institucionale në rritje.

“Sot, ekziston një nivel më i lartë i ndërgjegjësimit në shoqëri, në pjesën më të madhe falë publikut që foli për disa nga tonat të mbijetuarit më trima siç është Vasfije Krasniqi Goodman e cila është tani anëtare e Parlamentit të Kuvendit të Kosovës, dhe Shyrete Tahiri-Sulimani”, ka shkruar ajo.

Rrëfimet e Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Tahiri-Sulimani janë të vetmet rrëfime të cilat janë shkruar në këtë libër pa qenë konfidenciale. Të dyja këto të mbijetuara të cilat i kanë mposhtur paragjykimet, pas rasteve tragjike që iu kanë ndodhur, kanë jetuar jashtë Kosovës, në SHBA.

Edhe pas më shumë se dy dekadave, situata e paragjykimeve, stigmës ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, ka bërë që ata/ato mos të ndjehen rehat që të ndajnë me emër e mbiemër momentet e tmerrshme të jetës së tyre, momente për të cilat nuk janë fajtorë viktimat.

Në lidhje me këtë gjendje stigmatizuese në shoqëri, Vlora Tuzi-Nushi nga “UN WOMEN” në Kosovë, thotë se një kulturë turpi dhe heshtja në Kosovë vazhdon të stigmatizojë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Këtë tabu e theu tashmë 39-vjeçarja Vafije Krasniqi-Goodman, e cila publikisht e shpalosi historinë e saj, që nga momenti kur e morën nga shtëpia paramilitarët serbë, nën britmat e nënës.

“Pastaj ai më dërgoi në një shtëpi që ishte ende në ndërtim, tërhoqi një thikë nga rripi i tij, ma vuri në fyt dhe filloi të zhvishte rrobat e mia, ndërsa thikën ma mbante në fyt. Atje ai filloi të më sulmonte seksualisht ndërsa unë qaja, bërtisja, dhe iu luta: “të lutem më vrit, mos ma bëj këtë”, ndërsa ai u përgjigj “kjo të dhemb më shumë sesa të të vras, gjithmonë do ta kesh në mendje…”, ka rrëfyer Krasniqi-Goodman, tragjedinë e tmerrshme që kishte përjetuar si 16-vjeçare.

Tmerri i asaj dite nuk ishte ndalur me kaq. Vasfija kishte treguar se si ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

“Pasi bëri atë që i pëlqente, më futi në makinë dhe më ktheu në fshatin serb ku ishim më parë, ndaloi makinën para një dyqani ushqimor, ku një civil i moshuar na u afrua, duke ma drejtuar armën në kokë nga mbrapa. Më nxori nga makina dhe më dërgoi në një shtëpi aty pranë. Vazhdova të qaja dhe të lutesha: ‘më vrit, më vrit ’, nuk doja të jetoja më, por ai vazhdoi të më dhunojë. Më vonë të dy më çuan në shtëpinë time dhe ata më kërcënuan të mos flas për atë që ndodhi, përndryshe do të na vrisnin të gjithëve”, vazhdoi ajo.

Ndërsa, e mbijetuara Shyhrete Tahiri-Sulimani ishte ndeshur direkt me pasojat e dhunimit që i kishte ndodhur, pasi pas një kohe i kishte treguar burrit të saj që është dhunuar nga një paramiltar serb, ata ishin divorcuar.

“Sepse burri im nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me mua, nuk isha në gjendje të kërkoja ndonjë ndihmë emocionale menjëherë në Kanada. Një vit e gjysmë pasi mbërritëm në Kanada, gjendja ime psikologjike po përkeqësohej ditë pas dite, kështu që mora guximin dhe i thashë. Ai më la menjëherë dhe që atëherë ne jemi divorcuar”, ka treguar Sulimani.

Në këtë LINK, mund të lexoni rrëfimet e të mbijetuarve tjerë të dhunës dhe torturës seksuale në Kosovë dhe në vendet tjera të botës.