Veshët e Shurdhër të Shtetit

I

Para 823 ditëve, më 15 nëntor 2012, në emër të Institutit GAP dorëzova një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundrejt Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Arsyeja e padisë ishte shkelja e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

E drejta që na u mohua ishte mos përgjigja e MZHE ndaj kërkesave tona për të pasur qasje në asetet e KEDS, para se kjo ndërmarrje të privatizohej në një proces jo transparent.

Në ditën e 688 të padisë sonë, kur nuk kishim marrë asnjë përgjigje nga ana e Gjykatës, rastin e dërguam në Zyrën e Prokurorit Disiplinorë. Kjo Zyre, na njoftoi menjëherë se ka filluar hetim disiplinorë ndaj gjyqtares së ngarkuar me rastin.

Në ditën e 803 të padisë, më 27 janar 2015, pas fillimit të hetimeve nga ana e Zyrës së Prokurorit Disiplinorë, ne marrim një përgjigje nga ana e gjyqtares Halide Reka, aktvendimi i së cilës përmbante këto dy pika: 1) Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është kompetent për trajtimin e kësaj lande; dhe se 2) landa duhet ti dërgohet Departamentit për Çështje Administrative!

Gjyqtarja e ka mbajtur në sirtar lëndën për rrafsh 803 ditë! Departamenti për Çështje Administrative dhe ai për Çështje të Përgjithshme janë departamente të të njejtës Gjykatë, në të njëjtin objekt. Në kohën e dorëzimit të padisë para më shumë se dy viteve, Gjykata nuk ishte e ndarë në departamente.

Tani lënda ka kaluar në “zyrën” tjetër, tek një gjyqtarë tjetër. Tash, shpresojmë të mos presim edhe 803 ditë. Shpresojmë.

II

Një ditë, derisa po vizitoja një lokal zejtar të pastrimit kimik, pronari i lokalit, të cilit i kujtohesha nga aktivitetet e shoqërisë civile në kundërshtim të rritjes së çmimit të energjisë, mu ankua për një hall të tij. Biznesi i tij i vogël, i cili ka vetëm një të punësuar, në muajin dhjetor kishte pranuar një faturë për pagesën e energjisë elektrike prej 391.38 eurosh. Nga ky çmim, 53.98 ishte TVSH. Pagesa për energji elektrike është më e madhe se sa paga mujore e një punëtori në këtë biznes të vogël.

Por në faturë, borxhi total i figuronte 699.69 euro. Arsyeja për këtë ishte se me datën 1 shtator 2014, pronari i biznesit zejtar kishte pranuar një shkresë nga KEDS se pas korrigjimeve të bëra, ai duhet të paguaj edhe 201.82 euro. Kjo faturë, pronarit 64 vjeçar të lokalit, i kishte shkuar e shkruar në anglisht me termin “Corrections” dhe pa asnjë shpjegim se përse ka ndodhur kjo. Si është e mundur të bëhet ky “korrigjim” në dëm të pronarit, pagues i rregullt i faturave të energjisë dhe kur leximi i njehsorëve automatik ishte bërë nga punonjësit e KEDS?

Pronari ishte ankuar në KEDS, por ankesa e tij ishte refuzuar pa ndonjë arsyetim valid. Të njëjtën ankesë e kishte drejtuar më 22 tetor 2014 edhe tek ZRRE dhe nuk ka marr përgjigje për më shumë se tre muaj.

III

Në tetor 2014, një numër i madh i organizatave të shoqërisë civile, organizuam një peticion me disa kërkesa, të cilat i drejtoheshin Kuvendit që të marr masa konkrete për të mbajtur në nivele të përballueshme çmimin e energjisë elektrike.

Për një kohë rekord, në vetëm 30% të komunave, u mblodhën mbi 33 mijë nënshkrime.

Pas zgjidhjes së ngërçit politik, peticioni u dërgua në komisionin funksional parlamentar. Kanë kaluar disa muaj nga koha kur janë mbledhur këto 33 mijë nënshkrime. Dhe asgjë nuk ka ndodhur në Kuvend.

IV

E përbashkëta e këtyre tre shembujve dhe shembuj të tjerë si këto është mos funksionimi i instrumentit të ankesës. Nuk ka asgjë më irrituese, dhe nuk ka faktor tjetër më me ndikim në humbjen e besimit në shtet, se sa përshtypja e personave se shteti po i trajton padrejtësisht.

Kemi dëgjuar kohëve të fundit se qytetarët duhet të adresojnë ankesat e tyre në rrugë institucionale. Se shteti ka krijuar mekanizma të ankesës. Por kur këto mekanizma nuk funksionojnë, cila mbetet zgjidhja?

Shteti duhet të zhvilloj shumë më shumë mekanizmave të ankesës. Ndërtimit të këtyre mekanizmave duhet tu kushtohet rëndësi e njëjtë, sikurse politikave për vendosjen e mekanizmave të dënimit e taksimit për qytetarët.

Në mungesë të këtyre mekanizmave, e vetmja rrugë e protestës mbetet rruga. E deri më tani, institucionet shtetërore nuk kanë treguar se dinë të marrin parasysh ankesat, deri sa ato shndërrohen në protesta masive, e për fat të keq të të gjithëve, në protesta të dhunshme.