ARKIV - Ilustrim

Vërshimet nxjerrin në pah dobësitë në infrastrukturë dhe sistem të emergjencës

Vërshimet e fundit e treguan brishtësinë e infrastrukturës dhe sistemit të emergjencës në Kosovë. Rrugë të dëmtuara, bodrume e shtëpi të mbushura me ujë, ara të mbjella të vërshuar apo asfalt i shqyer si letër, janë vetëm disa nga pamjet në shumë komuna të Kosovës. Fatmirësisht, vërshimet kaluan pa viktima, por dëmet materiale janë të shumta dhe pasojat e këtyre dëmeve do të përcjellin një numër të madh të qytetarëve të Kosovës për një kohë të gjatë.

Është e vërtetë që sipas statistikave vërshimet e përmasave të ditëve të fundit ndodhin shumë rrallë por, fatkeqësisht, për shkak të ndryshimeve klimatike të cilat po ndodhin paevitueshëm, këto vërshime do të jenë gjithmonë e më të shpeshta dhe shteti i Kosovës duhet të jetë i përgatitur që urgjentisht të përmirëson infrastrukturën dhe sistemin e emergjencës. Për më keq, një numër i madh i qytetarëve ankohen se sa herë që të ketë të reshura më të dendura, pronat e tyre vërshohen. Vetëm mund ta imagjinojmë stresin e këtyre njerëzve sa herë që të bie shi.

Partitë politike që garojnë në zgjedhjet e Shkurtit duhet të vendosin në programet e tyre se si do ti përgjigjen sfidave që lidhen me fatkeqësitë natyrore dhe si e planifikojnë sistemin emergjencës. Mos të vijmë në situatë që vërshimet si ato të ditëve të fundit apo ndonjë tërmet si ai i Shqipërisë të na vërteton dështimin e sistemin të emergjencës në Kosovë.

Programet e partive politike lidhur me sistemin e emergjencës duhet t`i kenë parasysh dy elemente.

Elementi i parë është ai i preventivës dhe elementi i dytë ka të bëjë me përgjigjen emergjente pasi të ndodhin fatkeqësitë natyrore.

Preventiva ndaj fatkeqësive natyrore nënkupton që të gjitha punët infrastrukturore duhet të bëhen me standarde profesionale duke i monitoruar në mënyrë rigoroze. Në rastin e vërshimeve duhet pasur parasysh kryesisht sistemin për mbrojtjen dhe largimin e ujit ndërsa në rastet e tërmeteve duhet të monitorohet ndërtimet nëse i përmbushin kriteret e statikës së objekteve. Ajo çka duhet të bëhet në mënyrë urgjente nga komunat e Kosovës është që përmes ekipeve profesionale të analizohet gjendja pas vërshimeve të fundit. Duhet të bëhen inçizime nga ajri dhe nga toka dhe të shihet se ku ka dështuar infrastruktura.

Pa shumë analiza të hollësishme është evidente se ka dështuar sistemi i mbledhjes së ujërave në të gjitha vendet ku ka pasur vërshime qoftë skaj rrugëve apo në hyrje të ndërtesave kolektive, siç ishte rasti në Fushë Kosovë. Po ashtu, lumenjtë si Sitnica e të tjerë kanë dalë nga shtrati në vende të populluara që tregon se argjinaturat (skajet mbrojtëse) të lumenjve nuk ekzistojnë apo janë jo efikase. Në Fushë Kosovë, për shembull, edhe në vendet ku ekzistojnë argjinaturat kanë ndodhur vërshimet. Është evidente se këto ato nuk janë punuar si duhet dhe duhet urgjentisht të ri-planifikohet vendosja e tyre. Nëse argjinaturat nuk vendosen si duhet ato bëjnë më shumë dëme se sa zgjidhje për arsye se pastaj këto argjinatura pengojnë që uji i lumenjve të kthehet në shtratin e vet.

Në rrjete sociale po sillen foto me asfalt të palosur si tepih pas vërshimeve duke aluduar në cilësinë e dobët të asfaltit. Pa dashur që të mbroj kualitetin e asfaltit, në rastin kur nuk ekzistojnë kanalet për mbledhjen e ujërave skaj rrugëve apo kur nuk funksionojnë, asfalti nuk mund të përballon vërshimet qoftë ai edhe 20 centimetër i trashë. Pra, në këto raste infrastruktura përcjellëse e rrugëve ka dështuar e jo asfalti. Nuk guxon asnjë rrugë të projektohet pa planifikuar rrjedhën e ujit. Shembull i mirë janë autostradat qoftë ajo Ibrahim Rugova apo Arber Xhaferi (në këtë rast autostradat janë marr si shembull i mirë për kualitetin e mirë të punëve por jo edhe për çmimet e larta). Autostradat gjatë tërë rrjedhës së vet përcillen me kanale skajore të cilat e lejojnë që uji të shkon paralel me rrugën deri në derdhjen më të afërt. Kjo duhet të jetë standard edhe për rrugët tjera, qofshin ato magjistrale apo rrugë lokale.

Ndërsa sa i përket përgjigjes së institucioneve të Kosovës për të reaguar në mënyrë emergjente pasi të ndodhin fatkeqësitë natyrore, këtu duhet të merren parasysh dy gjëra. E para është evakuimi emergjent i qytetarëve të goditur nga fatkeqësitë natyrore dhe e dyta sigurimi i strehimit, ushqimit dhe veshmbathjes për familje të cilëve ju kanë dëmtuar shtëpitë.

Evakuimi emergjent duhet të bëhet i planifikuar dhe jo ad-hoc siç po ndodh në Kosovë. Komunat e Kosovës duhet të kenë në dispozicion fuqi njerëzore por edhe pajisje (makineri) për fatkeqësi natyrore të cilat duhet të prezantohen në strategji komunale dhe të cilat duhet të testohen së paku një herë ne vit nga komunat dhe përkrahur nga qeveria e Kosovës përmes inskenimeve të fatkeqësive natyrore. Kjo është sidomos me rëndësi gjatë tërmeteve ku koha e veprimit është kruciale për të shpëtuar jetë. Tërmeti i fundit në Shqipëri ka treguar se atje sistemi i emergjencave ka dështuar ku koha e veprimit ka qenë shumë e gjatë.

Një problem tjetër i madh i cili është evident në rastet e fatkeqësive natyrore është çështja e banimit. Fatkeqësitë natyrore siç janë vërshimet apo edhe tërmetet përpos që lejnë pasoja në njerëz, dëmtojnë edhe shumë shtëpi banimi dhe literalisht i lejnë shumë familje në rrugë. Sipas ligjeve në fuqi, komunat e Kosovës obligohen që t`u sigurojnë banim familjeve në raste të fatkeqësive natyrore apo edhe kur nuk mund vet të sigurojnë çështjen e banimit.

Për këtë qëllim komunat e Kosovës duhet të posedojnë stoqe të banimit të veta si dhe të kenë plane emergjente për evakuim masiv (psh. adoptimi emergjent i sallave të sportit në objekte të strehimit të përkohshëm apo vendosjen e tendave  kur është moti i mirë). Pothuaj asnjë komunë e Kosovës nuk ka stoqe të banimit përpos ndërtesave për banim social të cilat vetëm se janë të zëna me banorë. Në këtë drejtim komunat duhet të planifikojnë çështjen e banimit në periudha tre vjeçare gjë që edhe kërkohet me ligj ku përpos tjerash duhet të bëhen planifikime buxhetore për banim në kohë të fatkeqësive natyrore. Zgjidhja e banimit të përkohshme mund të bëhet edhe përmes skemave të quajtura të bonus banimit ku familjet që kanë mbetur pa kulm mbi kokë mund të vendosen në shtëpi të ndryshme në dispozicion e komunave ju lejohet që të paguajnë një pjesë të qerasë për këto familje.