Veprimtaria ushtarake e politike e Kadri Veselit

Gjykata Speciale e konfirmoi aktakuzën për krime kundër njerëzimit ndaj Kadri Veselit, njërës prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në vitin 2015, si deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PKD), Kadri Veseli ishte njëri nga ligjvënësit që kishte votuar për themelimin e Gjykatës Speciale.

Pesë vjet më vonë, para nisjes për në Hagë për t`u përballur me akuzat, Veseli deklaroi se këtë pjesë e sheh si mundësi që më në fund të përgjigjet ndaj siç tha ai “këtyre dyshimeve dhe thashtethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra”.

Ai mes tjerash tregoi pse e ka përkrahur themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që t`u jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrahur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces”, thuhet në deklaratën e tij.

Gjykata Speciale është një mekanizëm në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, e formuar që të gjykojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo gjykatë u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010. Një task forcë e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Marty-t dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Prokuroria e Dhomave të Specializuara së fundi ka konfirmuar aktakuza e arrestuar figura të larta politike në Kosovë, të cilët kishin funksione udhëheqëse në UÇK.

Angazhimet institucionale të Kadri Veselit 

Veç angazhimit në UÇK, Kadri Veseli ka qenë edhe drejtutues i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), për të vazhduar me një karrierë të bujshme politike.

Veseli ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura, në vitet 2014-2017 dhe 2017-2020.

Kadri Veseli – Foto: KALLXO.com

Me zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës, i cili ka qenë kryetar i PDK-së, pozitën për të drejtuar partinë e mori Kadri Veseli, më 2016-n.

Në konferncën e Rambujesë Veseli, ka shërbyer si Këshilltar i jashtëm në Delegacionin e Kosovës. Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës dhe synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Sipas një biografie të Veselit, të publikuar nga PDK-ja, Veseli ishte një nga udhëheqësit e rinj të Lëvizjeve studentore, gjatë viteve 1988 – 1990, kundër shkeljes së të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë, dhe për njohjen e të drejtës për pavarësi.

Ndërkaq, konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit, ka bërë që ky i fundit të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike. Veseli është deputet i zgjedhur i legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës.

Veseli të enjten përmes një deklarate ka bërë të ditur se të mërkurën pasdite është informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.

“Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqëndrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces”, thuhet në deklaratën e tij.

Veseli ka shtuar se  nuk do të bëjë deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon.

“Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, vijon deklarata e tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor të këtij viti, kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit. Edhe aktakuza ndaj Thaçit u konfirmua, si dhe ky i fundit dha dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës.