Vendimi seksist i Komunës së Artanës – Nuk konkurroi asnjë burrë, punësuan dy gra për një pozitë

Për shkak se të gjithë kandidatet kishin qenë gra, Komuna e Artanës përmes një vendimi seksist, ka vendosur ta shtojë numrin e kandidateve të suksesshme në konkursin për pranimin e një punëtori/e teknik/e. Këtë veprim, ata e kanë arsyetuar me një argument seksist, duke konstatuar se “puna e teknikut është e vështirë për një grua”. 

Komuna e Artanës kishte hapur konkurs publik, përmes së cilit kërkonte një punëtor/e teknik/e për nevojat e shkollës “Asdreni” të fshatit Koznicë të Artanës. 

Në këtë konkurs të hapur, sipas përgjigjeve të zyrtarëve komunalë, kishin aplikuar vetëm gra. 

Në kundërshtim me thirrjen e konkursit, autoritetet komunale kishin vendosur që t’i zgjedhin dy kandidate të suksesshme, duke e anashkaluar konkursin, për vetëm një person.

Vendimin për shtimin edhe të një kandidati/e të suksesshëm, Komuna e Artanës e ka arsyetuar duke dhënë një konstatim seksist, se “ndezja e kaldajes është punë e vështirë për një grua”.

“Ka pasur aplikuese vetëm femra, andaj duke u bazuar se shkolla duhet të pastrohet e në të njëjtën kohë edhe të ndizet kaldaja gjatë dimrit në orët e hershme te mëngjesit. Për fillim do të jetë kështu pastaj mendojmë ta bëjmë ndonjë transfer për shkak se është më mirë të jetë edhe një mashkull për shkak të ndezjes së kaldasë, ku kjo punë është e vështirë për femra.” – tha për KALLXO.com Flamur Uka, në emër të Drejtorisë së Arsimit në Artanë.

Konkursi ishte hapur në qershor të këtij viti nga autoritetet komunale e kishte titullin “Titulli i vendit të punës: – Punëtor/e teknik/e (1 pozitë)”. Pra, u mundësonte kandidimin të gjithëve, duke mos e vendosur si kriter përjashtues gjininë. Poashtu në konkurs është cekur se është vetëm një pozitë e lirë.

 

 

KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë përmes e-mailit se tek zyrtarët komunalë të Artanës se si kanë ardhur deri te konstatimi se “ndezja e kaldajës është punë e vështirë për gratë”. Ata nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje, duke thënë se “nuk kanë çfarë të shtojnë”.

“Jemi shumë të sigurtë se nuk kemi gabuar që ju kemi dhënë mundësi 2 femrave të sigurojnë vend pune.” – thuhet në përgjigjen e drejtorisë.

Në anën tjetër, drejtori i kësaj shkolle, Albert Mustafa e ka konfirmuar për KALLXO.com se kërkesa e tij ka qenë për një pozitë.

Madje, ai ka qenë edhe pjesë e komisionit që kanë kryer procesin e intervistimit dhe se procesi është mbajtur për vetëm një person.

“Kërkesën e kam dërguar për një punëtor dhe pritjet kanë qenë vetëm për një punëtor, intervista është mbajt vetëm për një person.” – tha Mustafa për KALLXO.com.

Sipas tij përzgjedhja dhe nënshkrimi i kontratës bëhet nga Drejtoria e Arsimit të Artanës, e cila udhëhiqet prej Sinisa Dimic.

“Gjatë rrugës njëherë e kanë pranu një, kemi vendos për një, tani janë marrë vesh edhe për një tjetër me e pru.” – shtoi drejtori Mustafa.

Hapjen e pozitave të reja në institucionet komunale bëhet me konfirmim nga Ministria e Financave.

Nga Komuna e Artanës e kanë konfirmuar se si komunë e kanë siguruar edhe fondet për punësimin e punëtorit të dytë.

Kriteret e konkursit 

Në konkursi e publikuar nga Komuna e Artanës, tek Detyrat dhe Përgjegjësitë Kryesore të kësaj pozitë askund nuk specifikohet gjinia, si kriter.

Kandidati i sukseshëm për këtë pozitë do të kujdesej për pastrimin e objektit të shkollës, ndezjen e kaldajës, hedhjen e mbeturinave në vendet e caktuara, zbatimin e masave sanitare dhe higjienike, kontrollimin e hyrjeve dhe daljeve të nxënësve, automjeteve, stafit dhe të tjerëve në shkollë si dhe mbajtjen e evidencës për to.

Përveç këtyre, kandidati i suksesshëm për këtë pozitë është përgjegjës për inventarin dhe mjetet që i përdor, kontrollimin e objektit të shkollës dhe evidentimin e parregullsive në librin e kujdestarisë. Po ashtu, ata do të duhej të kujdeseshin që të mos ndodhin zjarre, vërshime apo plaçkitje.

Ai apo ajo, po ashtu obligohet që në raste të fatkeqësive t’u japë ndihmë nxënësve.

Në kushtet e vendosura për të marrë pjesë në procesin e rekrutimin për këtë pozitë, nga komuna kanë kërkuar që ata të kenë përfunduar shkollimin bazik, të kenë shkathtësi të mira komunikimi, të jenë në gjendje të punojnë nën presion, të kenë aftësi të mira vendimmarrëse, të kenë vetë-iniciativë dhe të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësi.

Ky konkurs është shpallur më 17 qershor të këtij viti, ndërsa përzgjedhja e kandidateve është bërë 4 muaj më pas, më 18 tetor.